Nga Roald A. HYSA
Dëshmi e rrallë nga Mahmud Kupe për revistën Kibla e botuar në nr. 2/2017.
Jehona e tragjedisë së ngjarjeve të vitit 1944 vazhdon të mbetet e gjallë edhe sot e kësaj dite midis komunitetit çam të mbijetuar në Shqipëri. Një nga ata të pakët të mbijetuar nga masakrat e bëra nga zervistët në Çamëri është edhe Mahmud Mustafa Kupe me origjinë nga fshati Kajicaj i Paramithisë, 92 vjeç. Xha Mahmudi megjithëse i ka kaluar të 90-at gëzon shëndet të mirë fizikisht dhe me një kujtesë shumë të mirë akoma i tregon me shumë dhimbje ngjarjet e atyre ditëve tragjike. Ai e kujton se si “Kapedan Delianaqi mori nga çdo fshat 4-5 veta, i lidhi me një litar 170 veta, i çoi prapa Selanjit, atje i vrau të gjithë.” Në ato ditë të qershorit 1944 xha Mahmudi asokohe 17 vjeçar kaloi peripeci nga më të ndryshmet, për shkak se babai i tij tashmë kishte ndërruar jetë dhe e kishte lënë jetim qysh kur kishte qenë foshnje, ndërsa vëllain e vet ia kishin burgosur ushtria greke dhe atij iu desh t’i dilte për zot familjes së vet dhe pronave. Përveç masakrave njerëzore u shkatërruan pronat dhe u grabitën të gjitha familjet muslimane të pasura ose jo, qoftë në qytete apo fshatra. Vetëm në një vendgrumbullimi ushtarët grekë kishin mbledhur mbi 4,000 kokë bagëti na dëshmon xha Mahmudi, ku nga këto 270 kokë ishin vetëm të familjes Kupe. Shumë prej tyre ngordhën nga pakujdesia, duke i rritur edhe më tej dëmet pasurore ndaj popullsisë së pafajshme çame. Gjatë gjithë kohës që na tregonte për vuajtjet dhe peripecitë e hequra nga ai dhe familja e vet na i përsëriste si refren vazhdimisht dy fjali:
“Turk[1] që ta zini,
Pa vrarë mos e lini!”
Kjo ishte motoja e forcave kriminale zerviste dhe e të gjithë forcave të tjera, të cilat shkatërruan dhe shfarosën sistematikisht fshatrat dhe qytetet muslimane në Çamëri. Gjatë asaj periudhe të dhimbshme iu desh të kalonte edhe sulmet për ta grabitur, ku një grek e qëllon nga larg për t’ia grabitur bagëtinë. Xha Mahmudi na tregon se si u shtir si vdekur pasi plumbi i kishte kaluar shumë afër atij. Mirëpo më pas me gjithë se një grek i një fshati fqinj me atë të Kajicës e kishte paralajmëruar atë që të largohet në drejtim të Shqipërisë për të mos u kthyer më kalvari i mundimeve sapo kishte nisur. Ai na tregon vështirësitë e atij udhëtimi, i cili ngjason me atë të mijërave muslimanë çamë të tjerë, që u shpërngulën me dhunë dhe u përzunë drejt kufirit shqiptar. Mirëpo një ngjarje interesante që na e tërhoqi shumë vëmendjen tonë është ajo, që na tregon xha Mahmudi pasi i kishin grabitur 270 kokë bagëti të imta familjes së tij.
Ai rrëfen, se pasi ia kishin grabitur bagëtitë i drejtohet postës së policisë greke të asaj kohe për t’i marrë mbrapsht dhe ia del të marrë një letër prej tyre, që t’i tërheqë nga vendgrumbullimi. Polici grek e pyet, se si mund ta njohë ai bagëtinë e vet dhe ai i thotë se të gjitha bagëtitë e tij kanë një vulë të posaçme me të cilën ai mund t’i njohë të gjitha. I shoqëruar nga një korofillak shkojnë drejt e në vend-grumbullim për të tërhequr bagëtitë.
Në këto momente nis edhe kjo ngjarje tejet e veçantë nga të gjitha peripecitë e kaluara nga djaloshi. Roja greke i drejtohet korofillakut dhe i thotë:
– Pse e ndihmon këtë turkun ti? Unë do ta vras,- i ka thënë greku shokut të vet,- e ti do ta shohësh… – Xha Mahmudi tregon, se ushtari grek ia ka drejtuar pushkën nga dy metra afër atij. Ai betohet: vAllahi… tri herë nuk i ka shkrepur pushka grekut.- Ai i është lutur Zotit në atë moment tejet të vështirë dhe e ka thënë shehadetin.
-Tri herë s’i ndezi pushka atij,- thotë xha Mahmudi,- s’ishte shkruar. – ndërsa ushtari tjetër i ka thënë shokut të vet pasi ia ka ulur pushkën,- lëre more dreq djalin. Një çast shumë i vështirë ky për xha Mahmudin, i cili na e përsërit prapë “Turk që ta zini/ Pa vrarë mos e lini!” Ishin betuar ata,- thotë ai,- t’i vrisnin të gjithë turqit.- e pra, shumë jetë njerëzore dhe familje u shkatërruan duke u masakruar e përdhunuar gratë, duke i vrarë burrat e duke i copëtuar kufomat.
Ai tregon ngjarje të dhimbshme të familjeve të ndryshme çame se si iu grabit e gjithë pasuria, e u vranë burrat e familjeve. Xha Mahmud Kupe na tregon se si erdhën partizanët grekë dhe iu bënë thirrje të ktheheshin nëpër shtëpi, e më pas i lanë në duart e kriminelave nacionalistë si Zerva etj. Më pas ai na tregon se si është larguar me pjesën tjetër të familjes për në Shqipëri dhe kujton me mall, se sa mirë i kanë pritur në Delvinë, e më pas se si janë vendosur në fshatin Libofshë të Fierit, ku edhe sot e kësaj dite banon së bashku me nipat e mbesat e djemve të vet. Xha Mahmudi i fal të pesë namazet rregullisht dhe thotë, se nuk do t’i ndahet xhamisë deri sa të ketë frymë. Ai ka shumë për të treguar nga ato ngjarje të dhimbshme, që filluan në qershor të vitit 1944, e vazhduan edhe në pjesën më të madhe të vitit 1945.
[1] Me emërtimin turk nënkuptohet popullsia muslimane, pra në këtë përdorim nuk ka kuptimin e kombësisë apo etnisë.