XHAMIA, KY VEND I PASTËR E PLOT BEKIME

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 28 minuta lexim

Nga hoxhë Othman Agolli

 

Allahu i Lartësuar thotë: “Shtëpia e parë e ndërtuar për njerëzit është ajo në Bekë (Mekë), plot bekime dhe udhëzuese për mbarë botën.” – Allahu i Lartësuar na tregon këtu për madhështinë dhe mirësinë e Shtëpisë së Shenjtë në Mekë. Ajo është e para ndërtesë që Allahu i Lartësuar e përcaktoi për njerëzit si vend ku të kryejnë adhurimet e tyre për Krijuesin e dashur dhe të mëshirshëm. Gjithashtu, në këtë faltore adhurohet Zoti, falen gjynahet, mbulohen të metat, lëshimet dhe mangësitë. Tek ajo kryhen shumë lloje adhurimesh dhe përkushtimesh, nëpërmjet të cilave krijesat afrohen tek Allahu dhe fitojnë kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Atje fitohet shpërblimi i Allahut dhe shpëtohet prej ndëshkimit të Tij, prandaj Allahu i Lartësuar e ka cilësuar si “mubaraken” – plot bekime.[1]

  • Ja kështu janë xhamitë e Allahut të Lartësuar, ato janë vendet më të mira dhe të pastra. Xhamia është shtëpia e Allahut prandaj në të duhet të përmendet dhe adhurohet vetëm Allahu i Lartësuar. Siç thotë i Lartësuari: “Me të vërtetë, xhamitë janë vetëm që t’i lutesh Allahut, prandaj mos iu lutni në to askujt tjetër veç Allahut!” [Xhin 18]. Në shpjegimin e ajetit Shejh Abdur-rahman ibn Nasir Es-Sidij thotë: – Lutja (dua-ja) është adhurim, dhe adhurimi nuk lejohet t’i përkushtohet askujt tjetër, veç Allahut të Madhërishëm. Dua-ja është dy llojesh:
  1. Dua e kërkesës (duaul mes’eleh), kur i lutesh të Adhuruarit shprehimisht për diçka, me fjalë.
  2. Dua e adhurimit (duaul ibâdeh), kur i lutesh të Adhuruarit të të japë atë që dëshiron apo të të ruajë nga ajo së cilës i druhesh, jo shprehimisht me fjalë, por nëpërmjet adhurimeve, të cilat Ai i ka përcaktuar si të tilla, pra, si mundësuese të të mirave dhe larguese të të këqijave.

Në këtë ajet kemi të bëjmë me një urdhër për të njësuar të Madhëruarin me adhurimet tona, mes të cilave është dua-ja. Pra, nuk lejohet që dua-ja, me të dyja mënyrat e saj, t’i drejtohet dikujt a diçkaje tjetër, veç Allahut të Madhërishëm, të Lartësuar, të Gjithëmëshirshëm dhe Bujar. Xhamitë, të cilat janë shtëpitë e Allahut dhe vendet më të rëndësishme të adhurimit, duhet të jenë të pastra nga idhujtaria, me të gjitha mënyrat e saj. Këto shtëpi të Allahut duhet të ndërtohen me adhurime të sinqerta dhe të përkushtuara veç për të Vetmin që i meriton ato, për Allahun e Madhërishëm. Allahu i Lartësuar duhet të adhurohet veçse me mënyrën dhe rrugët që Ai i ka përcaktuar si adhurime. Xhamitë e Allahut duhet të mbushen me madhërimin dhe përunjësinë e adhuruesve të sinqertë për Allahun e Madhërishëm; me nënshtrimin e plotë të tyre ndaj Krenarit të Gjithëpushtetshëm.

 

  • Xhamia është ai vend adhurimi që është ndërtuar në emër të devotshmërisë për Allahun dhe si e tillë ajo është vendi i të pastërve dhe atyre që duan të pastrohen dhe Allahu i lartësuar i do ata që pastrohen. Duke përshkruar xhaminë Kuba Allahu i lartësuar thotë: “Është më e drejtë të falesh në atë xhami, themelet e së cilës, prej ditës së parë, u ngritën si devotshmëri ndaj Allahut. Aty ka burra që dëshirojnë të dëlirësohen. Allahu i do ata që dëlirësohen.” Teube 108. Në shpjegimin e ajetit është thënë: “Ai vend që vërtet e meriton të falesh është xhamia e ndërtuar për devotshmëri që ditën e parë që Islami mbërriti në atë qytet. Këtu bëhet fjalë për xhaminë Kuba. Ajo xhami u ndërtua që të gjitha adhurimet t’i kushtoheshin me sinqeritet veçse Allahut. Atje përkujtohej me madhështi Allahu i Lartësuar dhe nderoheshin simbolet e fesë së Tij të përzgjedhur. Ajo xhami mbushej me njerëz të edukuar me besim të drejtë dhe vepra të mira. Për këto arsye ajo xhami e zgjedhur ishte vërtet e denjë për besimtarët, që të faleshin dhe të adhuronin Zotin në të. Ajo mbushej me njerëz të mirë, që adhuronin Zotin si Një e të Vetëm. Vetë Zoti i ka lavdëruar ata besimtarë të mirë, duke thënë: – “Aty ka burra që dëshirojnë të dëlirësohen.” – Ata synojnë të pastrohen nga gjynahet, të ruhen nga papastërtitë e çdo lloji, si ato fizike, ashtu edhe ato shpirtërore. Çdokush që dëshiron diçka, përpiqet e punon që ta arrijë atë. Edhe besimtarët përpiqeshin shumë për të qenë të dëlirë në të gjitha aspektet: në dituri, vepra të sinqerta, moral, mënyrën e jetesës dhe në adhurim. Ata ishin ndër të parët që pranuan Islamin, falnin namazin, që luftonin me vendosmëri për hir të Zotit në të gjitha drejtimet, së bashku me të Dërguarin. Ata i plotësonin me korrektësi ligjet e fesë së Zotit. Ata ishin njerëzit që qëndronin më lart se të gjithë, sipas gjykimit dhe vlerësimit të Zotit dhe Profetit të Tij për ta. Kur Allahu i Lartësuar shpalli këto ajete që tregojnë kujdesin e madh të besimtarëve ndaj pastërtisë, Profeti (a.s) i pyeti dhe ata i thanë se, përveç pastrimit me gurë, përdornin edhe ujin, me gjithë kushtet e vështira ku ndodheshin. Atëherë Profeti i Zotit i përgëzoi për pastërtinë e tyre të lartë. E si të ndodhte ndryshe, kur vetë Zoti i Lartësuar tha: – “Allahu i do ata që dëlirësohen.” – Allahu e do dëlirësinë, me të gjitha llojet e saj: pastërtinë nga shirku, mosbesimi, bidtet, veset etj., ashtu si edhe pastërtinë fizike. Allahu i Madhëruar i do ata që gjithmonë pastrojnë trupin, rrobat e tyre dhe vendin ku rrinë.”[2] Ja këto mirësi arrihen dhe edukohen në shpirtrat e njerëzve, që falen në xhamitë e Allahut.

 

  • Allahu është Drita e qiejve dhe e tokës dhe xhamia është vendi ku meret Drita e Allahut dhe ndriçohen shpirtrat e besimtarëve. Thotë i Lartësuari:Allahu është Drita e qiejve dhe e tokës. Shembulli i Dritës së Tij i gjason një kandili të vendosur në një zgavër të errët. Kandili është brenda një qelqi e qelqi, si të ishte yll i shndritshëm. Ai (kandili) ndizet prej (vajit të) një Druri të bekuar, – prej ullirit, që nuk mund të quhet as i Lindjes, e as i Perëndimit e vaji i të cilit gati ndriçon edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë. Allahu udhëzon drejt Dritës së Vet atë që do Ai. Ja kështu, Allahu sjell shembuj për njerëzit dhe Allahu Di gjithçka për çdo gjë. (Ajo dritë) Është në shtëpitë (xhamitë), që Allahu i lejoi të ngrihen, e të përmendet emri i Tij. Në to lavdërohet emri i Tij mëngjes e mbrëmje. Ata (namazlinjtë) janë njerëz që nuk i pengon, as tregtia e largët, e as shitblerja në vend, për ta përmendur Allahun, për ta falur rregullisht namazin dhe për ta dhënë zeqatin. Ata i frikësohen një Dite kur do të tronditen zemrat dhe sytë. (Ata luten) që Allahu t’i shpërblejë më së miri për veprat e tyre dhe për t’ua shtuar të mirat prej (bujarisë së) Allahu i dhuron pa masë atij që do.” Nur 35 – 38. Xhamitë janë vendet ku merret Drita e Allahut. Në tefsirin e ajetit është thënë: – (Ajo dritë)Është në shtëpitë (xhamitë), që Allahu i lejoi të ngrihen, e të përmendet emri i Tij. Në to lavdërohet emri i Tij mëngjes e mbrëmje. – Allahu adhurohet në këto shtëpi madhështore e të nderuara, që janë vendet më të dashura për Të. Ato janë xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen, me qëllim që në to: “…të përmendet emri i Tij dhe t’i bëhet tesbih Atij mëngjes e mbrëmje.” Këtu përmblidhen disa norma për xhamitë: si ndërtimi i tyre, pastrimi dhe përkujdesi për to, ruajtja e tyre nga papastërtitë e gjërat e ndaluara, ruajtja nga të marrët dhe fëmijët që nuk janë të ndërgjegjshëm për pastërtinë, mbrojtja nga jobesimtarët, shmangia e kotësive brenda xhamive, ngritja e zërit etj., përveç rastit kur bëhet dhikër, kur falen namazet, qofshin farze, synete a nafile, kur bëhet lexim Kurani, tesbih, tehlil etj., kur ka mësim, itikaf e shumë adhurime të tjera, që kryhen në xhami. Kështu, ngritja e xhamive nënkupton dy forma: ngritje fizike, duke i ndërtuar dhe duke u kujdesur për to, dhe ngritja e tyre me përmendjen e Zotit, përmes namazeve e adhurimeve në to. Forma e dytë është më e rëndësishmja dhe më e mira, prandaj edhe u ligjërua namazi me xhemat dhe falja e xhumave. Madje për shumë dijetarë, namazi me xhemat është detyrë, ndërsa për disa të tjerë është i pëlqyeshëm. Në vijim Allahu i Madhëruar i lëvdon ata që i ndërtojnë këto xhami me adhurime e: “…që të përmendet emri i Tij dhe t’i bëhet tesbih Atij mëngjes e mbrëmje.” Ata e dëlirësojnë Zotin dhe i shprehin adhurimet e tyre me sinqeritet të plotë në fillim të ditës e në fund të saj. Allahu i Madhëruar i veçon këto dy kohë për vetë vlerën e lartë dhe rëndësinë e veçantë të adhurimeve në këtë kohë, por edhe për një shkak tjetër. Në këto kohë mundësohet më mirë afrimi tek Zoti përmes adhurimeve. Ato janë kohët më të përshtatshme e më të lehta për adhurim. Po këtu futet tesbihu i namazeve e jashtë tyre. Gjithashtu, në këto kohë janë caktuar edhe dhikri i mëngjesit dhe i mbrëmjes. Ja si i përshkruan Zoti frekuentuesit e xhamive: “Ata janë njerëz që nuk i pengon, as tregtia e largët, e as shitblerja në vend, për ta përmendur Allahun, për ta falur rregullisht namazin dhe për ta dhënë zekatin.” – Në këto xhami i përkushtohen Zotit me adhurime e tesbih ata burra, që nuk i mashtron dynjaja, që t’i japin përparësi asaj kundrejt Zotit. As stolitë e kënaqësitë e dynjasë, as shitblerja e pasuria nuk i bëjnë të shkujdesen nga adhurimi i Zotit. Në fakt Allahu i Lartësuar thotë, për këta se merren me tregti, por edhe pse merren me të tilla aktivitete njerëzore, kjo nuk i bën që të harrojnë adhurimin dhe përmendjen e Tij. Kështu, marrja me tregti e aktivitete të tjera nuk është e ndaluar, nëse ato nuk bëhen shkak për cenimin e detyrave të Zotit. Me gjithë angazhimet e tyre, ata e falin namazin e pëmendin shumë Allahun dhe e japin zekatin. Madje, bindja ndaj Allahut dhe adhurimi i Tij është qëllimi final dhe themelor i tyre. Çdo gjë që ndërhyn mes tyre dhe këtij qëllimi ata nuk ngurrojnë ta largojnë. Natyrisht që lënia e dynjasë dhe e atyre gjërave të saj aq të dashura për shpirtin, mund të jetë shumë e vështirë dhe, shpeshherë, dhënia përparësi hakut të Zotit mund të bjerë ndesh me këtë kënaqësi. Prandaj Allahu i Madhëruar na përmend një fakt që i ndihmon ata fatlumë që ta kenë të thjeshtë këtë përballje, që për të tjerët është e vështirë: – Ata i frikësohen një Dite kur do të tronditen zemrat dhe sytë.- Kjo është ajo që ua lehtëson lënien e dynjasë e stolive të saj, kur ato bien ndesh me besimin dhe adhurimin e Zotit dhe të pengojnë prej tij. Ata i frikësohen asaj dite të tmerrshme. Ajo është dita kur do të tmerrohen zemrat dhe trupat do të dridhen nga frika. Duke kujtuar vazhdimisht atë ditë, atyre u bëhet e thjeshtë përgatitja për të. Kjo është një këshillë e vyer, që Zoti u jep njerëzve për t’i bërë më të përkushtuar në adhurimin e Tij dhe për t’ua lehtësuar shkëputjen nga stolitë e kësaj dynjaje, nëse ato të largojnë nga diçka që është më e mirë, pra, nga adhurimi i Zotit e përgatitja për ditën e vështirë të llogarisë. Pas këtij kërcënimi vjen edhe inkurajimi e shpresa: – (Ata luten) që Allahu t’i shpërblejë më së miri për veprat e tyre… – Këtu bëhet fjalë për veprat e mira, pra, për adhurimet që të afrojnë me Zotin dhe e kënaqin Atë. Njeriu bën edhe gjëra të lejuara, siç janë premtimet e ndryshme në këtë botë, por ai do të shpërblehet veçse për ato që janë të mira, dhe të tilla janë ato që i janë dedikuar vetëm Zotit, për ta kënaqur Atë, dhe që janë kryer sipas porosive të Tij, sikurse thotë Zoti: “Allahu do t’ua falë më të keqen e atyre (gjynaheve) që bënë dhe do t’u japë shpërblimet më të mira për ato (vepra të mira) që bënë.” [Zumer 35]. [3]

 

  • Profeti a.s. ka njoftuar se kush e ka zemrën të lidhur me xhamitë e Allahut Ai do të jetë nën hijen e Arshit të Zotit në Ditën e Gjykimit.

 

  • Allahu i Lartësuar e ka konsideruar si më të madhin zullumqar atë që pengon njerëzit nga xhamitë e Tij dhe shkakton prishjen e xhamive. Thotë i Lartësuari: “E kush mund të jetë më i keq se ai që, në xhamitë e Allahut, pengon të përmendet emri i Tij dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre? Ata nuk do të hyjnë në to, përveçse me frikë. Në këtë jetë, ata meritojnë poshtërim, ndërsa në jetën tjetër do të kenë dënim të madh.” [Bekare 114]. Në shpjegimin e ajetit Shejh Sidi thotë: – Domethënë, nuk ka zullumqarë më të mëdhenj sesa ata që i mbyllin xhamitë, në mënyrë që në to të mos përmendet emri i Allahut dhe mos adhurohet Ai, ose e thënë ndryshe: ata që pengojnë faljen e namazit dhe çdo adhurim tjetër që kryhet në to. Në fragmentin: “ue seâ fî ħarâbihâ” (…dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre), fjala “seâ” ka kuptimin: “përpiqet duke provuar të gjitha mënyrat dhe mjetet për të arritur qëllimin”. Ndërsa për pjesën “për shkatërrimin e tyre”, mund të themi se shkatërrimi i xhamive (el ħarâbu) është dy llojesh:
  1. Shkatërrim fizik, nga ana materiale, sikurse është shembja apo përdhosja e objektit, e çdo lloji a mënyre qoftë.
  2. Shkatërrim që kryhet duke i penguar përkujtuesit dhe adhuruesit e Allahut, që të adhurojnë Allahun brenda faltores. Me pak fjalë, ky lloj shkatërrimi nënkupton pengimin e shfrytëzimit të xhamive për atë qëllim që ato janë ndërtuar.

Ky ajet i përfshin të gjithë ata njerëz që i bëjnë këto punë. Për shembull, i tillë ishte Ebrehaja dhe ushtria e tij, që synonte të shembte Qaben. Këtu hyjnë edhe kurejshët, të cilët e penguan Profetin (a.s.) të shkonte drejt Qabes, në vitin e Hudejbijes. Të tillë ishin edhe ata të krishterë që shkatërruan Xhaminë e Shenjtë në Kuds (Palestinë). Në këtë kategori përfshihen edhe shumë e shumë të tjerë, të cilët, me shkatërrimin apo mbylljen e xhamive, synojnë të pengojnë njerëzit nga rruga e Allahut. Ata thjesht shprehin armiqësinë e tyre ndaj Allahut dhe ndaj profetëve të Tij. Për shkak të kësaj pune të shëmtuar Allahu i Lartësuar ua ndaloi atyre futjen në xhami. Edhe nëse ata do të hynin në to, do të ishin të frikësuar dhe të poshtëruar. Kështu, Allahu i Lartësuar ua ktheu me të njëjtën monedhë. Ata donin të frikësonin dhe poshtëronin frekuentuesit e xhamive, por Allahu i Lartësuar mbolli frikën dhe poshtërimin në zemrat e tyre. Kështu ndodhi me idhujtarët, të cilët e munduan dhe u përpoqën të pengonin Profetin e Allahut dhe besimtarët nga Xhamia e Shenjtë. Por nuk kaloi shumë dhe Profeti (a.s.), me lejen e Allahut të Lartësuar, hyri si triumfator në Mekë. Pas kësaj ngjarjeje idhujtarët nuk do të hynin kurrë më në atë vend të pastër dhe të shenjtë, pasi i Lartësuari tha: “O besimtarë! Në të vërtetë, idhujtarët janë të ndyrë, prandaj të mos i afrohen më Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti. Dhe mos kini frikë nga varfëria, sepse po deshi Allahu ju bën të pasur me mirësitë e veta. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” [Teube 28]. “Ushtria e Elefantit” pësoi të njëjtin fat. Allahu i Lartësuar na rrëfen se çfarë bëri me ta:  “Vallë, a nuk e ke dëgjuar ti se çfarë bëri Zoti yt me njerëzit e Elefantit? A nuk ua prishi atyre kurthin (për shembjen e Qabes), duke dërguar kundër tyre tufa zogjsh, të cilët i gjuajtën me gurë prej balte të pjekur? Dhe kështu, i bëri si byk i përtypur.” [Fil 1-5]. Po kështu e pësuan edhe të krishterët në xhaminë e Kudsit, në Palestinë, dhe kështu do të ndodhë gjithmonë me cilindo që vepron në të njëjtën mënyrë. Këto konsiderohen si shenja shumë të mëdha, sepse Allahu i Lartësuar ka lajmëruar rreth tyre para se ato të ndodhnin, dhe ato kanë ndodhur pikërisht ashtu si i ka përshkruar Allahu i Lartësuar. Disa dijetarë janë mbështetur në këto ajete për të thënë, gjithashtu, se nuk lejohet futja e qafirëve në xhami. “Në këtë jetë, ata meritojnë poshtërim, ndërsa në jetën tjetër do të kenë dënim të madh.” – Kështu, jobesimtarët meritojnë poshtërimin që në këtë jetë, kurse në jetën tjetër do t’i nënshtrohen ndëshkimit të madh.[4]

 

  • Nëse nuk ka kriminel më të madh se ai që shkatërron xhamitë e Allahut ose që nuk lejon të përmendet emri i Allahut në to, atëherë mund të themi se nuk ka tregues më të madh për besimin në zemra, sesa përpjekjet për të ngritur dhe mirëmbajtur xhamitë e Allahut, qoftë nga ana fizike, qoftë nga ana funksionale. Për këtë i Madhëruari thotë: “Për xhamitë e Allahut përkujdeset veçse ai që beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, që fal namazin, jep zekatin dhe nuk i frikësohet askujt tjetër veç Allahut. Shpresohet që të tillët të jenë prej të udhëzuarve.” [Teube 18]. – Këto janë cilësitë e adhuruesve të vërtetë. Ata i falin rregullisht namazet, si të detyrueshmit, ashtu edhe të pëlqyeshmit apo nafile. Ata e përkryejnë namazin qoftë në drejtim të veprave të jashtme e të dukshme, qoftë ato të fshehta shpirtërore e të brendshme. Ata e pastrojnë pasurinë dhe veten duke shpenzuar nga mirësitë me të cilat i ka begatuar Zoti i tyre, në rrugët që e kënaqin Atë, duke ndihmuar atë kategori nevojtarësh të përcaktuar sipas porosive të Zotit. Cilësi tjetër është që ata i druhen veçse Allahut të Lartësuar. Duke qenë se i druhen Zotit të tyre, ata largohen dhe ruhen nga ndalesat e Tij dhe kurrë nuk i lënë mangët detyrimet me të cilat i ka ngarkuar Ai. Ata i zbatojnë me përpikmëri urdhrat e Zotit, gjë që tregon drojë nga Ai, nga një anë, por edhe shpresë dhe dashuri për Të, nga ana tjetër. Këto janë cilësitë e tyre. Së pari, është besimi i pastër në Allahun dhe Ditën e Llogarisë, i vërtetuar me vepra të mira dhe të sinqerta. Në krye të këtyre punëve është namazi, që tregon përkushtim ndaj Allahut. Pastaj është zekati, që tregon bamirësi ndaj krijesave, dhe së fundmi është frikërespekti ndaj Allahut, që në fakt, është kreu i të gjitha çështjeve dhe burimi i çdo virtyti të lartë dhe të mrekullueshëm. Këta njerëz janë shtyllat e xhamive të Zotit dhe ndërtuesit e tyre të vërtetë. Këta janë të udhëzuarit në rrugën e drejtë me dritën e Zotit të tyre: “Shpresohet që këta të jenë të udhëzuar (në rrugën e drejtë).” – Ndërsa ata të cilët nuk e besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit dhe as që i frikësohen Allahut, këta nuk mund të jenë ndërtuesit dhe frekuentuesit e xhamive të Allahut, edhe nëse e pretendojnë një gjë të tillë.”[5]

 

  • Allahu i Lartësuar ka urdhëruar që të ngrihen xhami dhe në to të përkujtohet emri i Tij. Ai ka urdhëruar që atyre t’u kushtohet respekt dhe përkujdesje maksimale, nga njëra anë, dhe ka kërcënuar penguesit, nga ana tjetër. I Lartësuari thotë: “S’ka dyshim se ata të cilët nuk besojnë dhe pengojnë prej rrugës së Allahut dhe prej Xhamisë së Shenjtë (Qabes), – të cilën Ne e kemi bërë (vend adhurimi) për të gjithë njerëzit pa dallim, qofshin vendas ose të ardhur, – dhe ata që përpiqen të bëjnë ndonjë të keqe a ndonjë padrejtësi në të, Ne kemi për t’i bërë të shijojnë një dënim të hidhur. Kujtoje kur Ne ia treguam Ibrahimit vendin e Shtëpisë (duke e urdhëruar): “Mos adhuro asgjë tjetër veç Meje! Pastroje Shtëpinë Time për ata që vijnë rrotull saj (bëjnë tavaf), që qëndrojnë në këmbë, që përkulen dhe që bëjnë sexhde duke u falur.” [Haxh 25, 26]. Për xhamitë ka shumë rregulla, por më kryesoret janë ato që u përmendën më lart.

Allahu na bëftë nga ata që konsiderohen si shtyllat që e mbajnë xhaminë. Profeti ynë na ka njoftuar se kur ndonjë nga këta nuk shkon në xhami melekët e Tij pyesin dhe kërkojnë për të. E lusim Allahun e Madhëruar që të na bëjë nga ata që i ndërtojnë xhamitë e Allahut jo vetëm nga ana fizike e materiale por edhe me adhurime, dituri të pastër dhe përmendjen e Allahut!

[1]Tefsiri i Abur-Rahman ibn Nasir Es-Si’dij

[2]I njëjti burim

[3]I njëjti burim

[4]I njëjti burim

[5]I njëjti burim