ِA lejohet synetia me lazer?

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 2 minuta lexim

بسم الله الرحمن الرحيم

Pyetje: Jetoj në Suedi dhe dua të bëj djalin synet dhe kam gjetur një klinikë, por aty synetia realizohet me lazer dhe a është kjo e lejuar?

Përgjigje: Të bërit synet (rrethprerja) është një traditë që është përcjell brez pas brezi nga profetët e hershëm e deri te Profeti ynë Muhamedi (alejhis salatu ues selam). Nga Ebu Hurejra përcillet se i Dërguari i Allahut (alejhis salatu ues selam) ka thënë: “Fitrah përbëhet nga pesë gjëra: rrethprerja…” (Buhariu 5891, Muslimi 257) Dhe fitrah në këtë hadith ka kuptimin e praktikave të natyrshmërisë të zbatuara nga profetët. Pa marrë parasysh se cili mendim i dijetarëve është më i saktë nëse synetia është detyrë (vaxhib) apo e pëlqyer, e rëndësishme është se të bërit synet është pjesë e praktikave që ruajnë kulturën dhe identitetin fetar islam, andaj ju përgëzojmë për iniciativën dhe interesin tuaj për të ruajtur traditat fetare në vendin që jetoni.

Për sa i përket procesit të bërjes synet, sot ka filluar të përhapet dhe metoda me lazer. Disa mjekë e preferojnë këtë metodë, sepse rreziku i gjakderdhjes është më i ulët, shërimi vjen më shpejt dhe pamja estetike e rrethprerjes është më e pastër dhe më e mirë. Kështu që duke qenë se synimi arrihet qoftë nëpërmjet metodës së lazerit qoftë me metodat tradicionale nuk ka pengesë fetarisht të realizohet me lazer.

Gjithsesi, duke qenë se procesi synetisë me lazer është më pak i njohur dhe më pak i përhapur, duhet të sigurohet mirë nëse mjeku di ta bëjë mirë punën dhe është specialist në atë fushë, që të mos shkaktojë dëmtime.

Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH