𝐃𝐫𝐞𝐣𝐭𝐮𝐚𝐫 “𝐢𝐤𝐨𝐧𝐨𝐤𝐥𝐚𝐬𝐭ë𝐯𝐞”

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 11 minuta lexim

Dr. Justinian Topulli

 

Çfarë janë ikonoklastët?

Ky term është marrë nga një zhvillim historik i krishterë që kundërshtonte mbajtjen e ikonave dhe adhurimin e tyre si idhujtari e paganizëm, por që tashmë përdoret me kuptim më të gjerë, ku nënkupton thyerjen apo dekonstruktimin e idhujve dhe miteve të një bashkësie fetare dhe jo vetëm.

A janë krijuar idhuj dhe mite në ymetin islam që të ketë nevojë për ikonoklastët?

Muslimanët janë njerëz si gjithë të tjerët, dhe padyshim që ata do të bëjnë të njëjtat gabime edhe fetare madje, që kanë bërë edhe të tjerët para tyre. Dhe kjo së pari kuptohet nga Kurani, kur Allahu iu tërheq vëmendje për ato devijime që kanë ngjarë me të tjerët para tyre, sidomos me “ithtarët e Librit” me të cilët janë edhe më të afërt në besim, por edhe nga hadithet profetike, të cilat janë shumë më specifike dhe të drejtpërdrejta në këtë drejtim, duke paralajmëruar dhe parathënë se do të ketë në mesin e këtij ymeti njerëz që do të ndjekin gjurmët e gabimeve dhe shkarjeve të të krishterëve dhe të jehudëve.

Dhe sigurisht që shkarje, gabime, shmangie nga të vërtetat burimore të Islamit, ka pasur dhe do të ketë, sepse individët nuk kanë imunitet. Historia dhe aktualiteti janë dëshmitarë të pakundërshtueshëm për këtë gjë.

Nuk besoj se ka musliman që nuk e pranon këtë gjë, por ndërkohë ikonoklastët harrojnë një pjesë tjetër shumë të rëndësishme, që është fakti se ky ymet është i fundit, dhe se Islami është gjithashtu feja e fundit për njerëzimin dhe se mesazhi Islam është përfundimtari dhe si i tillë ai duhet të ketë disa tipare të ndryshme nga fetë e mëparshme.

Prej këtyre tipareve është se ky ymet duhet të jetë i mbrojtur dhe i ruajtur nga devijimi tërësor i mësimeve burimore islame, sepse përndryshe nuk mund të ishte feja përfundimtare e Zotit.

Prej këtyre tipareve gjithashtu është se burimet bazike të tij të dijes duhet të ruajnë autenticitetin e tyre, që të shërbejnë gjithmonë si referenca kryesore të origjinalitetit islam.

Të dyja këto gjëra janë garantuar nga vetë Zoti, duke na i rrëfyer këto në Librin e Tij, Kuranin.

Ai thotë për të parën:

“Ju jeni populli më i mirë, i ardhur për të mirën e njerëzve. Ju urdhëroni për mirë, ndaloni nga e keqja dhe besoni në Allahun. Sikur ithtarët e Librit të besonin (Islamin), do të ishte shumë më mirë për ta. Disa prej tyre bëhen besimtarë, por shumica e tyre janë shkelës së kufijve të Zotit.” (Ali Imran: 110)

Nëse ky ymet, në shumicën e tij, do të kishte devijuar nga mësimet burimore të Islamit, ai nuk mund ta meritonte këtë ajet, që mbetet i përjetshëm në Kuran. Vetë fakti se Allahu e mbyll ajetin duke thënë se shumica e ithtarëve të Librit, që ishin para nesh, janë të devijuar nga mësimet e Zotit, është shenjë e qartë se shumica e myslimanëve nuk do të jenë të tillë. Sigurisht kjo nuk përjashton gjynahet dhe gabimet njerëzore, por garanton se nuk mundet që mbarë ky ymet apo edhe shumica e tij të devijojnë nga mësimet burimore të Islamit, duke u larguar doktrinalisht tërësisht prej tij.

Po kështu Allahu ka paralajmëruar në Kuran se ndjekja e një rruge tjetër nga ajo e bashkësisë së besimtarëve është humbje dhe dënim. Ai thotë:

“Kush i kundërvihet të Dërguarit edhe pasi i është bërë e qartë e vërteta dhe ndjek tjetër rrugë nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në zgjedhjen e tij dhe e fusim në Xhehenem. Ky është përfundimi më i keq.” (en-Nisa: 115)

Në të njëjtën frymë edhe i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë:

“Allahu nuk e bën bashkë ymetin tim në humbje, dhe dora e Allahut është me xhematin.” (Tirmidhi 2167)

Si dhe mjaft tekste të tjera, të drejtpërdrejta ose të tërthorta, që garantojnë se ky ymet nuk mundet të humbasë i gjithi apo shumica e tij. Sigurisht që këtu në radhë të parë futen njerëzit e dijes, sepse ata janë rojtarët e parë të ruajtjes së fesë dhe jo pjesa e paditur e besimtarëve. Pra është e pamundur që të gjithë dijetarët e Islamit të bien apo kenë rënë në një mendje për diçka që është humbje dhe shkarje nga mësimet burimore të Islamit.

Pikërisht nisur nga këto argumente dhe të tjerë, një nga burimet ku bazohet dija islame, menjëherë pas Kuranit dhe Sunetit, është Ixhmai, ose ndryshe konsensusi i dijetarëve të Islamit.

Ndërsa për të dytën Allahu thotë në Librin e Tij:

“Përnjëmend Ne e zbritëm Përkujtuesin (Kuranin) dhe sigurisht, Ne do të jemi mbrojtës të tij.” (el-Hixhr: 9)

Ky ajet është sigurisht edhe garanci jo vetëm për ruajtjen e Kuranit, por edhe të Sunetit, sepse ai është i pandashëm nga Kurani, sepse pa të Kurani nuk mund të kuptohet.

Allahu thotë në Kuran:

“Ndërsa ty ta zbritëm Përkujtuesin (Kuranin) që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është zbritur atyre, që ata të mendojnë.” (en-Nahl: 44)

Do të ishte absurde të mendohej, edhe pse ka të tillë që e thonë këtë, se Allahu dha garanci të ruante Kuranin, por jo Sunetin, ndërkohë që ruajtja e Kuranit nuk ka për qëllim thjesht ruajtjen e shkronjave të tij, por edhe të kuptimit dhe përmbajtjes së tij, e nëse Suneti nuk do të ishte ruajtur atëherë pa asnjë dyshim shumë prej kuptimeve të Kuranit do të kishin humbur dhe të ishin të paqarta, madje do të krijonin shumëkuptimësi në mendjet e njerëzve të ndryshëm, duke shkaktuar për rrjedhojë përçarje në elementet bazike të Islamit. Shpjegimi i Kuranit përmes Sunetit dhe Ixhmait është ai që garanton mbrojtjen maksimale nga këto devijime të mundshme, siç ka ndodhur me ata që qenë para nesh.

Me këto dy tipare të rëndësishme, që Zoti i ka dhuruar ymetit islam, garantohet autenticiteti dhe ruajtja e fesë së Allahut deri në ditën e fundit të kësaj bote.

Por ndërkohë Allahu i ka dhuruar këtij ymeti edhe një mirësi tjetër, duke marrë parasysh pikërisht dobësinë njerëzore që ata kanë si të tjerët. Ai do të nxjerrë nga mesi i tyre, shekuj pas shekujsh, njerëz të cilët do të ripërtërijnë fenë në mesin e muslimanëve. (Ebu Daudi 4291)

Vetë fjala “ripërtëritje” (texhdid) e përmendur në hadith, tregon qartë se bëhet fjalë për rigjallërim dhe rinovim të asaj që ka qenë dikur, në kushte dhe rrethana të reja, dhe jo për një fe krejt të re.

Ripërtëritja e Islamit për njerëzit i ngjan një peme me rrënjë dhe trung të lashtë që jep çdo stinë fryte të rinj. Gjethet mund të bien, dhe frytet e saj të konsumohen, por kjo pemë është gjithmonë e aftë të prodhojë fryte të reja me të njëjtën shije dhe aromë që ka prodhuar që nga fillimet e saj. E tillë perceptohet dhe pranohet edhe ripërtëritja në Islam.

Ndërkohë thirrjet ikonoklaste duke shpallur se mbarë myslimanët kanë devijuar për shekuj me radhë -duke qenë tërësisht të paaftë të argumentojnë qartë DALLIMIN mes të “devijuarëve” ndër shekuj dhe origjinalitetit të parë- janë dhe do të mbeten vetëm se klithma mjerane dhe dështake, që sado ndjekës dhe naivë e injorantë të bëjnë për vete, do të shuhen siç janë shuar të tjerë para tyre.

Ymeti islam nuk ka nevojë për ikonoklastë që mohojnë hadithet, pesë faljet e namazit, ekzistencën e xhinëve apo jetës së varrit, por për ripërtëritës fetarë, moralë, kulturorë, politikë, ekonomikë, shkencor e ushtarakë, që ta nxjerrin atë nga gjendja e dobësisë aktuale ku ndodhet, pikërisht mbi rrënjët dhe trungun e asaj peme që nuk thahet dhe vdes kurrë.

Muslimanët nuk kanë nevojë për lëvizje protestantizmi në Islam, sepse janë shumë të ndryshëm nga fetë e tjera, por megjithatë ne e dimë se ashtu siç ka pasur pakica muslimanësh që kanë imituar shkarjet e ithtarëve të librit në doktrinë, adhurim dhe përshpirtje, ashtu do të ketë edhe të tillë në mesin e tyre që i shkojnë pas të njëjtës frymë, edhe pse në Islam nuk ka ikona!