𝐉𝐨 𝐯𝐞te𝐦 𝐧e 𝐦𝐛𝐫𝐨𝐣𝐭𝐣𝐞 𝐭e 𝐁𝐮𝐡𝐚𝐫𝐢𝐮𝐭 -𝐫𝐚𝐡𝐦𝐞𝐭 𝐩𝐚𝐬𝐭e!- (2)

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 14 minuta lexim
Hoxhë, Dr. Justinian Topulli
Shkrimi është historikisht mjeti më efikas për ruajtjen dhe përçimin e dijes mes njerëzve, ai është mjeti më i rëndësishëm i saj, aq sa dija dhe shkrimi janë lidhur përjetësisht mes tyre. Pikërisht për këtë dhe Allahu i Madhëruar e nis shpalljen e tij hyjnore me ajetet ku përmendet fakti se Zoti e mësoi njeriun përmes penës. Rëndësia e shkrimit të dijes është diçka e njohur dhe ka vlerën e patjetërsueshme në të gjitha dijet, po kështu edhe në dijet islame, duke nisur që nga shkrimi i Kuranit. Kështu që të flasim për rëndësinë që ai ka pasur për dijen e hadithit do të ishte e tepërt, ndaj dhe këtu do të përmendim një element tjetër përçues dhe transmetues i dijes që neglizhohet shumë shpesh dhe që nuk i jepet rëndësia e duhur në vlerësim nga shumë prej njerëzve, edhe pse ky mjet ka qenë krahas shkrimit mjet tepër i rëndësishëm i përcjelljes së dijes. Dhe pa dyshim që ky mjet është të mësuarit përmendësh i haditheve.
Arabët kanë qenë me shumicë popull që nuk dinin të shkruanin dhe lexonin, ndaj dhe shumë mendojnë se qe kjo arsye kryesore dhe e vetme pse ata ushtruan artin e mësuarit përmendsh të Kuranit, nisur nga përvoja që ata kishin në mësimin përmendësh të poemave. Në fakt ka edhe një element shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me vetë të mësuarin e dijes. Askush nuk mund të quhet njeri i ditur nëse ai nuk mban mend asgjë nga ato që mëson dhe bazohet vetëm tek e shkruara. Për këtë dhe muslimanët e ditur që herët shpreheshin duke thënë: dija është ajo që gjendet në gjokse (në mendje) dhe jo ajo e shkruar në rreshta, për të vënë në dukje pikërisht faktin se pjesë e të qenit i ditur nuk është vetëm të kuptuarit, por edhe të mësuarit përmendësh. Dija islame kur përfshihet Kurani dhe Suneti është dije e jetës, e përditshmërisë njerëzore, është dije që kërkon të meditosh dhe reflektosh mbi të, ashtu siç Allahu na kërkon që të meditojmë dhe përsiasim ajetet e Tij, ndaj dhe mësimi përmendësh i saj është mjeti i duhur për ta kryer këtë obligim. Kështu që muslimanët si asnjë popull më parë i kanë kushtuar rëndësi të veçantë mësimit përmendësh të Kuranit dhe Sunetit, aq sa mësimi përmendësh i dijes islame në përgjithësi është kthyer në një karakteristikë unike të muslimanëve.
Shumë njerëz hamendësojnë se kujtesa e fortë është vetëm një dhunti natyrore e disa njerëzve të veçantë dhe mësimi përmendësh i Kuranit u duket ndoshta një mrekulli, por ndërkohë e vërteta është se ajo është një aftësi si çdo aftësi njerëzore që kultivohet përmes ushtrimit të vazhdueshëm.
Fatkeqësia sot është se sa vjen e më pak i kushtohet rëndësi memorizimit të teksteve, gjë e cila ka ndikuar edhe tek vetë të kuptuarit, i cili është një proces mendor që funksion pikërisht përmes lidhjes mes informacioneve të ndryshme në kujtesë.
Shumë njerëz mund të habiten apo mund të jenë edhe mosbesues, por mësimi përmendësh jo vetëm i Kuranit dhe haditheve, por edhe i teksteve të disiplinave të tjera të dijes ka qenë dhe vazhdon të jetë në një masë të madhe, edhe pse sot ndoshta më pak, një nga praktikat dhe metodat historike islame të të nxënit të dijes.
Nxënësit e dijes islame, në nivele të ndryshme, që në rinin e tyre mësojnë përmendësh Kuranin ose pjesë të shumta të tij, pastaj libra të përmbledhura ose të zgjeruara të hadithit, përmbledhje të akides, fikhut, gramatikës arabe, usuli fikhut, terminologjisë së hadithit, sirres, etj. Kjo është një praktikë e trashëguar që nga brezat e parë të muslimanëve dhe është kultivuar sidomos në periudhën e transmetimit të hadithit, ku dijetarët që përcillnin hadithet për nxënësit e tyre, kishin tubime të ndryshme të rregullta periodike ku ripërsëritin ato që kishin dëgjuar më parë dhe kontrollonin vazhdimisht kujtesën e tyre.
Në këtë praktikë sigurisht që dolën në pah edhe ata që kishin kujtesën më të fortë dhe mësonin më lehtësisht përmendësh sesa të tjerët. Ndaj gjejmë mes muhadithinëve të atillë që vlerësohen si hafiza të hadithit, një term ky që më së shumti njerëzit e kanë dëgjuar për ata që dinë Kuranin përmendësh, por ndërkohë kemi edhe hafizë të hadithit, të tillë që dinë përmendësh me mijëra transmetime hadithesh, ku përfshihet teksti i hadithit bashkë me zinxhirët e transmetimit të tyre. Sigurisht që tekste të tilla shkruheshin dhe përcilleshin edhe të shkruara, por shkrimi duhej të shoqërohej patjetër më dëgjimin dhe mësimin përmendësh, madje shkrimi shërbente si mbështetës dhe rikujtues i mësimit përmendësh, i cili në planin personal të dijetarit apo transmetuesit të hadithit kalonte në rend të dytë.
Kjo metodë kishte disa dobi, përveç atyre që përmendëm më sipër, ajo siguronte transmetuesin e hadithit që në shkrimet dhe shënimet që ai mbante të mos futej aksidentalisht apo qëllimisht, nga dikush tjetër, asnjë transmetim që ai nuk e kishte dëgjuar nga mësuesi i tij dhe e dyta që ai të kishte shumë më të lehtë për të shqyrtuar me mendje transmetimet e ndryshme, si tekstin ashtu edhe zinxhirin e transmetimit, hulumtim ky që përmes materialeve të shkruara do të ishte shumë më vështirë dhe merrte më shumë kohë. Pra e thënë me gjuhën e sotme mësimi përmendësh i haditheve bënte atë që bën sot kompjuteri, por sigurisht një kompjuter njerëzor ky. Buhariu ishte një nga këta gjeni të memorizimit të hadithit dhe sigurisht nuk ishte i vetmi.
Le t’i kthehemi për disa momente shkrimit të haditheve. Edhe pse thëniet e Profetit (alejhi salatu ue selam) janë shkruar në mënyrë të kufizuar gjatë jetës së tij, në mënyrë që ato të mos ngatërroheshin me shkrimin e Kuranit, megjithatë nga disa prej sahabëve përcillen fletushka (sahife), të cilat përmbajnë hadithe nga Profeti (alejhi salatu ue selam), siç është ajo që përcillet nga Abdullah ibn Amr ibn el-As (v. 65 h.), Abdullah ibn Ebi Eufa (v.86 h.), Ebu Musa el-Eshari (v. 44 h.), Xhabir ibn Abdilah (v. 78 h.) dhe Ebu Hurejra (v. 59 h.).
Hadithet filluan të shkruhen masivisht dhe renditen në mënyrë sistematike në periudhën e tabiinëve, pra të nxënësve të sahabëve, ndërkohë që siç e përmendëm baza e transmetimit ishte të mësuarit përmendësh. Kjo nuk do të thotë se ata nuk i shkruanin hadithet, por nuk ishte shkrimi mjeti kryesor ku ata bazoheshin për t’i përcjell ato. Shkrimi shërbente vetëm si mjet personal për t’i mësuar hadithet përmendësh, por ndërkohë hadithet e shkruara dhe përhapja e tyre në mënyrë masive si dhe hartimi i përmbledhjeve hadithore nisi në kohën e nxënësve të vonshëm të sahabëve (tabiinëve), të cilët kishin shkruar sahife nga sahabët nga të cilët kishin mësuar. Po në periudhën e tabiinëve, më saktësisht me Imam Ibn Shihab Zuhrin (v. 124 h.) me urdhër të Kalifit Umer ibn Abdulaziz (v. 101 h.) nis edhe hartimi masiv i librave të hadithit, i cili erdhi duke avancuar me kalimin e kohës, për nga larmia e mënyrës së hartimit të këtyre përmbledhjeve, duke i grumbulluar ato sipas tematikës, ose sipas transmetuesve etj.
Disa nga autorët më të njohur të brezit të tabiinve, nxënësve të tyre dhe ata që erdhën pas tyre, që lanë përmbledhje të haditheve janë p.sh. Ibn Xhurejxhi (v. 150 h.), Muhamed ibn Is’haku (v. 151 h.), Muamer ibn Rashid (v. 153 h.), Seid ibn Ebi Aruba (v. 156 h.), AbduRrahman el-Euzai (v. 156 h.), Ibn Ebi Dhi’b (v. 158 h.), Shubeh ibn Haxhaxh (v. 160 h.), Sufjan eth-Theuri (v. 161 h.), Lejth ibn Sead (v. 175 h.), Imam Malik ibn Enes (v. 179 h.), Abdullah ibn Mubarek (v. 181 h.), Sufjan ibn Ujejneh (v. 198 h.), Imam Muhamed ibn Idris esh-Shafii (v. 204 h.), Ebu Daud et-Tajalisi (v. 204 h.), AbduRrezak es-Sananij (v. 211 h.), Museded ibn Muserhed (v. 228 h.), Ibn Ebi Shejbeh (v. 235 h.), Is’hak ibn Rahujeh (v. 238 h.), Imam Ahmed ibn Hanbel (v. 241 h.), Abdun ibn Humejd (v. 249 h.), si dhe shumë të tjerë.
Të gjithë këta autorë i citojnë hadithet përmes zinxhirit të transmetimet ashtu siç ata i kanë dëgjuar nga mësuesit e tyre, në mënyrë të pandërprerë derisa arrijnë te sahabët e më pas te Profetit (alejhi salatu ue selam). Saktësia e hadithit apo autenticiteti i përcjelljes së tij duhet të plotësojë tri kritere bazë, së pari lidhjen e pandërprerë të dëgjimit të hadithit nga një transmetues tek tjetri, në mënyrë të drejtpërdrejtë, së dyti besueshmëria e lartë e transmetuesve, në mënyrë që mes tyre të mos ketë asnjë gënjeshtarë apo njerëz që dyshohet se mund të jenë të tillë dhe së treti saktësia ose përpikëria e tekstit të transmetuar. Sigurisht të tre këta elementë përfshijnë detaje dhe imtësi të shumta që studiohen në shkencën e hadithi, të cilat do të zgjateshim shumë nëse do të përmendeshin.
Duke pasur parasysh këto kritere bazë dhe detajet që i shoqërojnë ato lindi dhe u zhvillua shkenca e hadithit, e cila përfshin nën vete disa nëndisiplina, që lidhen me çdo detaj të dijes së hadithit, duke përfshirë këtu përmbajtjen e tekstit dhe të transmetuesve. P.sh. një nëndisiplinë interesante është ajo që njihet si “Xherh ue Tadil”, që lidhet me vlerësimin dhe kritikën e transmetuesve, për ndërtimin e së cilës është dashur njohja dhe përpilimi i biografisë së mijëra përcjellësve të hadithit.
Përcjellja e haditheve dhe vlerësimi i tyre ka qenë në shekujt e parë të Islamit një ndërmarrje gjigante në fushën e dijes islame, ku përmes tubimeve të përditshme, udhëtimit, shkrimit, kritikës, vlerësimit, ballafaqimit, deduktimit dhe një metodike rigoroze, u ngrit një mal i tërë dijeje, siç është realisht dija e hadithit. Edhe pse dija e hadithit u zhvillua si një disiplinë më vete dhe kishte për qëllim kryesor ruajtjen e Sunetit, ajo nuk qe aspak e shkëputur nga dijet e tjera si ajo e Fikhut, e cila jo vetëm i përdorte hadithet si lëndën e parë të përpunimit dhe deduktimit të jurisprudencës islame, por ishte njëkohësisht një tjetër dije përmes së cilës u ruajt dhe u trashëgua dija islame dhe hadithet gjithashtu.
Pikërisht në këtë klimë dhe këtë mjedis dije u rrit dhe edukua dhe dha kontributin e tij edhe Imam Buhariu. Ai nuk erdhi nga hiçi dhe as nuk shpiku nga mendja e tij diçka që nuk ekzistonte më parë dhe më pas, ai ishte vazhdimësi e të gjithë asaj plejade dijetarësh që i kishin paraprirë atij në këtë fushë të dijes.
(Vijon)