𝐉𝐨 𝐯𝐞të𝐦 𝐧ë 𝐦𝐛𝐫𝐨𝐣𝐭𝐣𝐞 𝐭ë 𝐁𝐮𝐡𝐚𝐫𝐢𝐮𝐭 -𝐫𝐚𝐡𝐦𝐞𝐭 𝐩𝐚𝐬𝐭ë!- (3)

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 29 minuta lexim

Hoxhë. Dr.  Justinian Topulli

Po kush ishte Imam Buhariu? Si e përpiloi ai librin e tij të haditheve dhe sa i saktë është ai?

Ai quhet Muhamed ibn Ismail ibn Ibrahim ibn el-Mugireh ibn Berdizbeh el-Xhufi el-Buhari, nga Buharaja, që sot i përket Uzbekistanit. Ka lindur në 194 h. dhe ka vdekur në 256 h. Buhariu u rrit jetim nën kujdesin e së ëmës dhe vëllait të tij më të madh. Ai u dashurua pas dijes që në vegjëli dhe në këtë rrugë i erdhi në ndihmë edhe zgjuarsia dhe memoria e tij e jashtëzakonshme. Që në moshën gjashtë vjeç filloi të dëgjonte hadithet, dhe rreth moshës dhjetë vjeç filloi t’i mësonte ato përmendësh, aq sa në moshën njëmbëdhjetë vjeç në një rast ai tregon se arrin të korrigjojë një prej mësuesve të tij që gaboi në emrin e një prej transmetuesve. Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç ai kishte përfunduar së mësuari përmendësh librat e haditheve të shkruara nga Abdullah ibn Mubarek dhe Ueki ibn el-Xherah (v. 198 h.), si dhe njihte fjalët e tyre. Pasi dëgjoi shumë prej transmetuesve të hadithit në vendin e tij të lindjes, në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç ai bashkë me të ëmën dhe të vëllanë udhëtojnë drejt Mekës dhe ndërkohë që e ëma dhe i vëllai kthehen pas kryerjes së haxhit, ai qëndron aty për të ndjekur tubimet e hadithit. Imam Buhariu udhëtoi edhe në vende të tjera në kërkim të dëgjimit të haditheve, si në Medinë, në disa qytete të Irakut si Kufe, Basra dhe Bagdad, në Egjipt, Siri, Horasan, Isfahan, Rej, Samarkand etj.

Në fakt kjo ka qenë një traditë e nxënësve dhe dijetarëve të hadithit, të cilët nuk mjaftoheshin me dëgjimin e haditheve vetëm në vendin e tyre, por udhëtonin nëpër mbarë botën islame, kudo ku gjendeshin transmetues të hadithit, për të dëgjuar prej tyre hadithet me zinxhir transmetimi, për t’i krahasuar ato mes tyre dhe për të njohur nga afër këta transmetues, për t’i testuar ata dhe për të përfituar prej tyre, por edhe për t’i vlerësuar ata. Një nga synimet e udhëtimeve të shpeshta dhe marrja nga shumë transmetues ishte pikërisht shtimi i rrugëve të transmetimit të haditheve, aq sa një hadith të vetëm mund ta dëgjonin nga dhjetëra transmetues dhe qëllimi i vetëm ishte pikërisht njohja në mënyrë të saktë e fjalëve që përcillej nga Profeti (alejhi salatu ue selam), si dhe kush gabonte në përcjelljen e tyre.

Numri i transmetuesve nga të cilët Imam Buhariu ka marrë hadithe, siç ai vetë pohon në një transmetim të Muhamed ibn Ebi Hatim, i cili ka thënë: “E kam dëgjuar Buhariun një muaj para se të vdiste të thotë: “Kam shkruar nga njëmijë e tetëdhjetë burra, që të gjithë ishin njerëz të hadithit dhe thoshin se besimi është fjalë dhe vepër, shtohet dhe pakësohet.”

Disa nga mësuesit apo transmetuesit më të njohur nga të cilët ai ka përcjellë hadithet qenë: Lejth ibn Sead (v. 175 h.), Nuajm ibn Hamad (v. 227 h.), Museded ibn Muserhed (v. 228 h.), Ali ibn el-Medini (v. 234 h.), Is’hak ibn Rahujeh (v. 237 h.), Imam Ahmed ibn Hanbel (v. 241 h.) etj.

Allahu i kishte dhuruar Buhariut një memorie të jashtëzakonshme. Dy nga shokët dhe bashkëkohësit e tij tregojnë se Buhariu shkonte bashkë me ta nëpër hoxhallarët e Basrës, ndërkohë që ai ishte akoma shumë i ri, por nuk shkruante, aq sa kaluan ditë të tëra dhe ata i thoshin: “Ti vjen me ne dhe nuk shkruan! Çfarë je duke bërë?! Një ditë pas gjashtëmbëdhjetë ditësh ai na tha: “Ju të dy e keni tepruar duke më folur. Pa mi tregoni ato që keni shkruar!” Ne i nxorëm çfarë kishim shkruar, dhe ishin diçka më tepër sesa pesëmbëdhjetë mijë transmetime dhe ai i recitoi ato të gjitha përmendësh, aq sa ne saktësuam shënimet tona nga kujtesa e tij. Pas kësaj ai na tha: “A mos mendoni se unë vij kot, të çoj dëm ditët e mia?!” Ne e kuptuam se askush nuk i dilte dot përpara atij.”

Po kështu tregohet se kur Buhariu shkoi në Bagdad, transmetuesit e hadithit kishin dëgjuar për të, kështu që vendosën ta testonin. Në mënyrë të qëllimshme ata zgjodhën njëqind hadithe duke u ngatërruar zinxhirët e transmetimit (isnadet) me tekstet, ku i vendosën isnadin e njërit hadith me tekstin e tjetrit. Pasi i ndanë këto në dhjetë grupe nga dhjetë hadithe ua dhanë dhjetë personave që t’ia lexonin Buhariut para njerëzve. Kështu që kur erdhi momenti shkoi i pari dhe i lexoi hadithet e tij një nga një dhe ai për të gjitha thoshte nuk i njoh. Kështu vepruan edhe nëntë të tjerët dhe në të gjitha rastet ai thoshte nuk e njoh këtë hadith. Pasi ata përfunduan ai u kthye nga i pari dhe i tha se hadithi që t’i përcolle në këtë mënyrë është kështu e ashtu, dhe i tregoi të dhjeta hadithet një për një ashtu siç i kishte përcjellë transmetuesi i parë në mënyrë të gabuar dhe sesi ato duhet të ishin. Kështu veproi edhe me të tjerët një për një. Pra Buhariu jo vetëm që mbante mend sesi ishin transmetimet e sakta të këtyre haditheve, por qe në gjendje që të mbante mend me një herë të dëgjuar edhe ngatërresën e qëllimshme që ata kishin bërë.

Një ngjarje e ngjashme tregohet se ka ndodhur edhe në Samarkand ku katërqind nxënës të hadithit për shtatë ditë me radhë bën të njëjtën gjë me Buhariun dhe në asnjë rast ai nuk u ngatërrua, as në tekstin e hadithit dhe as në isnadin e tij.

Buhariu tregon duke thënë se: “Qëllonte që një hadith mund ta dëgjoja në Basra dhe e shkruaja në Sham, apo e dëgjoja në Sham dhe e shkruaja në Egjipt.”

E gjithë jeta e Buhariut ishte në kërkim dhe mësim të dijes së hadithit dhe adhurim ndaj Zotit, aq sa ai as nuk u martua, por e kaloi tërë jetën në shërbim të Sunetit të Profeti (alejhi salatu ue selam).

Lëvdatat dhe vlerësimet për të nga vetë bashkëkohësit e tij dhe jo vetëm janë të shumta. Mësuesi i tij Nuajm ibn Hamadi thoshte për të: “Muhamed ibn Ismaili (Buhariu) është fakihu i këtij ymeti.” Ndërsa shehu tjetër i tij Ali ibn el-Medini, për të cilin vetë Buhariu kishte thënë se para askujt nuk e kishte ndjerë veten të vogël vetëm se para Ali ibn el-Medinit, kur ia thanë këto fjalë ai tha: “Lerini këto fjalë, sepse Muhamed ibn Ismaili (Buhariu) nuk ka parë asnjë njeri si veten.”

Imam Ahmed ibn Hanbeli ka thënë: “Kulmi i kujtesës në Horasan mbyllet me katër njerëz: Ebu Zura er-Razi, Muhamed ibn Ismail el-Buhari, Abdullah ibn AbduRrahmanin es-Semarkandi dhe el-Hasen ibn Shuxha el-Belkhi.”

Ndërsa në një tjetër thënie të Imam Ahmedit ai thotë: “Horasani nuk ka nxjerrë një të ngjashëm me Muhamed ibn Ismail el-Buharin.”
Ebu Abdullah el-Hakim ka thënë për të: “Muhamed ibn Ismail el-Buhari është Imami i njerëzve të hadithit.”

Muhamed ibn Is’hak ibn Huzejme ka thënë: “Nuk kam parë nën kupën e qiellit më të ditur me hadithet e të Dërguarit të Allahut (alejhi salatu ue selam) dhe më memorizues të tyre sesa Muhamed ibn Ismaili.”

Ndërsa Imam Muslim ibn el-Haxhaxh, nxënësi i tij dhe autori i librit të dytë në hadith pas Buhariut një herë i tha: “Më lër të të puth këmbët o mjeshtri i mjeshtërve, o zotëria i muhadithinëve, o mjeku i hadithit në njohjen e imtësive të tij!”

Imam Tirmidhiu, gjithashtu nxënësi i tij ka thënë: “Nuk kam parë në Irak dhe as në Horasan në njohjen e imtësive të hadithit (ilel), të historisë (së transmetuesve) dhe në njohjen e isnadeve, njeri më të ditur sesa Muhamed ibn Ismaili.”

Muhamed ibn en-Nadr esh-Shafii ka thënë: “Kam qenë në Basra, Hixhaz, Sham dhe në Kufe dhe jam parë me dijetarët e këtyre vendeve dhe sa herë që përmendej Muhamed ibn Ismaili (Buhariu) ata e vlerësonin atë mbi veten e tyre.”

Ebu Bekr ibn Ebi Shejbeh dhe Muhamed ibn Abdullah ibn Numerji kanë thënë: “Nuk kemi parë ndonjë si Muhamed ibn Ismaili (Buhariu).”

Dhehebiu ka thënë për Buhariun: “Ka qenë Imam, Hafiz, Huxheh, kokë në fikh dhe në hadith, ka qenë muxhtehid. Një nga të rrallët në botë, por ishte edhe fetar i devotshëm dhe adhurues i madh.”
Ndërsa Ibn Haxher el-Askelani ka thënë për të: “Mal i hivzit (i memorizimit) dhe imami i dynjasë në fikhun e hadithit.”

Muhamed ibn Ebi Hatim el-Uerak tregon: “Kur ndodheshim tek Muhamed ibn Selam el-Bejkandi, Selim ibn Muxhahidi më tha: ‘Sikur të kishe qenë pak më parë do të kishe parë një fëmijë që di përmendësh shtatëdhjetëmijë hadithe.’ Unë dola në kërkim të tij derisa e gjeta dhe i thashë: Ti je ai që thotë se di përmendësh shtatëdhjetëmijë hadithe? Ai tha: Po, madje edhe më tepër se kaq. Për çdo hadith që përcjell nga sahabët dhe tabiinët ua di shumicës së tyre vitin e lindjes dhe të vdekjes dhe ku kanë jetuar. Dhe për çdo hadith që përcjell nga sahabët dhe tabiinët unë di përmendësh një (tekst) bazë nga Librit i Allahut dhe Suneti i të Dërguarit të Allahut (alejhi salatu ue selam).”

Këtu është e rëndësishme të sqarojmë disa elementë që përmendën në këto fjalë të Buhariut.

Së pari, muhadithinët me termin hadith nuk nënkuptojnë vetëm tekste me fjalët e Profetit (alejhi salatu ue selam), por edhe transmetimet e tyre të ndryshme. Pra nëse një thënie e Profetit (alejhi salatu ue selam) përcillet nga shumë sahabë dhe për rrjedhojë edhe nga më shumë tabiinë të gjitha këto transmetime shpesh quhen hadithe. Por përveç kësaj dijetarët e hershëm të hadithit shpesh me fjalën hadith përfshijnë edhe thënie apo veprime nga sahabët dhe tabiinët, duke i quajtur edhe ato si hadithe, ndaj po të mblidhen të gjitha këto sigurisht që numri i tyre shkon shumë. Kështu që kur dëgjohen apo lexohen shprehje të tilla nuk duhet kuptuar se kemi të bëjmë vetëm me shtatëdhjetëmijë thënie të ndryshme të Profetit (alejhi salatu ue selam) apo ngjarje nga jeta e tij, sepse ky është një numër jashtëzakonisht i madh për të qenë të gjitha thënie apo veprime të Profetit (alejhi salatu ue selam), por kemi të bëjmë me transmetime të ndryshme edhe me fjalë dhe vepra të sahabëve dhe tabiinëve. Në fakt kjo bëhet e qartë edhe në vetë thënien e Buhariut kur ai thotë “për çdo hadith që përcjell nga sahabët dhe tabiinët”, që tregon se ai nuk ka për qëllim vetëm ato që përcillen nga i Dërguari i Allahut. Ndaj një pjesë e dijetarëve për të bërë dallim mes teksteve bazë që përcillen nga Profeti dhe rrugët e transmetime të këtyre teksteve si dhe tekstet që përcillen nga të tjerët pas tij, tekstet bazë nga Profeti i quajnë ‘usul’ (baza) ndërsa të tjerat quhen edhe hadithe. Kështu p.sh. nëse një thënie e caktuar e Profetit apo një ngjarje nga jeta e tij përbën një ‘bazë’ (asl) dhe nëse këtë e përcjellin dhjetë sahabë të ndryshëm të gjitha këto përcjellje quhen hadithe, por baza është një. Pra ‘usul’-et (njëjësi: asl) janë shumë herë më pak sesa transmetimet e tyre të ndryshme.

Së dyti, Imam Buhariu këtu përmend se për çdo gjë që ai përcjell nga sahabët dhe tabiinët, pra nga mendimet ose qëndrimet të tyre, ai di përmendësh një ‘asl’, pra një tekst bazë nga Kurani dhe Suneti, që do të thotë se ai i kushtonte rëndësi që qëndrimet dhe opinionet e sahabëve dhe tabiinëve që ai mësonte përmendësh të kishin mbështetje në ajetet e Kuranit dhe Suneti i Profetit (alejhi salatu ue selam).

Së treti, këtu Imam Buhariu përmend edhe disa detaje shumë të rëndësishme që muhadithinët i përdorin në vlerësimin e transmetimeve që janë viti i lindjes dhe vdekjes si dhe vendbanimi i njerëzve nga transmetohen hadithet, të cilat shërbejnë në filtrimin dhe shqyrtimin e transmetimeve.

𝐒𝐚𝐡𝐢𝐡 𝐞𝐥-𝐁𝐮𝐡𝐚𝐫𝐢

Përmendëm më sipër se Buhariu nuk ishte i pari që përpiloi një përmbledhje me hadithe, por e veçanta e tij qe se ai vendosi të përzgjidhte në përmbledhjen e tij vetëm hadithe autentike dhe t’i rendiste ato sipas temave. Përcillen dy transmetimet që flasin për atë që e nxiti Buhariun të ndërmarrë këtë projekt, të cilat në thelb nuk bien ndesh mes tyre dhe me shumë gjasa mund të jenë të dyja. Nga Buhariu përcillet se ka thënë: “Gjendeshim tek Is’hak ibn Rahujeh i cili një herë tha: “Sikur të përpilonit një libër të përmbledhur me sunetin autentik të të Dërguarit të Allahut (alejhi salatu ue selam)!” Nga kjo që ai tha më hyri në zemër dëshira për ta bërë këtë, kështu që fillova të mbledh Përmbledhjen e Saktë.” Ndërsa sipas një transmetimi tjetër përcillet se ai ka thënë: “Pashë (në ëndërr) Profetin (alejhi salatu ue selam) sikur unë gjendesha para tij në këmbë dhe në dorë mbaja një freskore duke e mbrojtur (nga mizat). Pyeta dikë që interpretonte ëndrrat dhe më tha: “Ti do ta mbrosh atë nga gënjeshtrat.” Kjo është ajo që më shtyu të nxjerrë Përmbledhjen e Saktë.”

Sigurisht siç pohon edhe vetë Imam Buhariu ai nuk përfshiu në këtë libër çdo hadith të saktë, por një përmbledhje të zgjedhur të tyre, dhe siç ai thotë se transmetimet që ai ka përmendur i ka përzgjedhur nga gjashtëqind mijë transmetime. Përveç aftësive të tij të jashtëzakonshme në njohjen e haditheve dhe transmetimeve të tyre, Buhariu i luste Allahut edhe ndihmën dhe suksesin e Tij, ndaj dhe ai pohon se para se të përfshinte një hadith në librin e tij ai lahej dhe falte dy rekat namaz. Titulli që ai i vendosi librit të tij që më pas shkurtimisht njihet me emrin e tij si Sahih el-Buhari, është: “Përmbledhje e Saktë e Transmetuar e Haditheve të të Dërguarit të Allahut (alejhi salatu ue selam), e Suneteve dhe Ditëve të tij”.

Libri i Imam Buhariu karakterizohet nga cilësi unike pararojë, si nga renditja dhe titujt e vendosur në të, si nga cilësia e transmetimeve që ai përmend, të cilat sipas dijetarëve kanë kriteret më të forta të saktësisë së përcjelljes së haditheve me zinxhir transmetimi. Imam Buhariut i janë dashur gjashtëmbëdhjetë vjet nga jeta e tij për ta përpiluar këtë libër. Sipas vlerësimit të dijetarëve numri i mësuesve nga të cilët Buhariu ka përzgjedhur transmetimet e tij të vendosur në këtë libër është 289 vetë, nga mbi njëmijë prej të cilëve ai ka dëgjuar, siç e kemi përmendur. Kështu që nëse marrim parasysh edhe numrin e madh të transmetimeve që ka shqyrtuar Buhariu dhe gjithë këto vite për përpilimin e këtij libri, mund të marrim me mend se çfarë pune gjigante është bërë për hartimin, përpunimin dhe filtrimin e tij, derisa ka nxjerrë në dritë një produkt të tillë kaq shumë të vlerësuar nga dijetarët. Ndërkohë vjen dikush sot pas qindra vitesh dhe me një fjalë goje kërkon të hedh poshtë Buhariun dhe librin e tij!

Muhadithi Ebu Xhafer el-Ukelji ka thënë: “Kur Buhariu shkroi librin e tij Sahih, ua tregoi atë Ahmed ibn Hanbelit, Jahja ibn Meinit, Ali ibn el-Medinit dhe të tjerëve. Ata e pëlqyen dhe dëshmuan për saktësinë e tij, përveç katër haditheve (transmetimeve). Por qëndrimi i saktë është ai i Buhariut, dhe ato janë të sakta.”

Ebu Amr ibn Salah në librin e tij Ulum el-Hadith pasi përmend se Buhariu qe i pari që shkroi një libër me hadithe të sakta dhe pas tij Muslimi, ai thotë: “Libri i Buhariut është më sakti ndër dy librat dhe ka më shumë dobi në të… këta dy libra janë librat më autentik pas Librit të Allahut të Madhëruar.”

Ndërsa Neveviu në hyrjen e komentit të Sahih Muslimit thotë: “Dijetarë -Allahu i mëshiroftë- kanë rënë dakord se librat më të saktë pas Librit të Zotit janë Sahih Buhari dhe Sahih Muslim, libra këto që janë pranuar nga ymeti. Libri i Buhariut është më i sakti dhe ka më shumë njohuri dhe dobi në të, të dukshme dhe të padukshme. Përcillet në mënyrë autentike se Muslimi përfitonte nga Buhariu dhe e pranonte se nuk kishte të ngjashëm me të në dijen e hadithit.”

Ibn Kethiri ka thënë: “Dijetarët janë në konsensus (ixhma) për pranimin e tij dhe saktësinë e asaj që ndodhet në të, po kështu edhe mbarë ndjekësin e Islamit.”

Mjafton këtu të përmendim se përgjatë historisë islame, ky libër është komentuar me dhjetëra herë. Komentin më i arrirë dhe më i zgjeruar i tij që njihet është ai i Ibn Haxher el-Askelanit, i cili përmban trembëdhjetë vëllime dhe është shkruar për mbi tridhjetë vjet. Një libër që shkruhet për gjashtëmbëdhjetë vjet dhe komentohet për tridhjetë vjet, tregon qartë se çfarë përkushtimi dhe mundi është derdhur për këtë libër, që në thelb shpalos përkujdesjen e dijetarëve për Sunetin e Profetit (alejhi salatu ue selam).

Numri i haditheve që Buhariu përcjell në librin e tij, sipas numërimit që i ka bërë Hafiz Ibn Haxheri, është: 2602 hadithe me zinxhir të plotë transmetimi. Megjithatë Buhariu për shkak të ndarjes në tema të ndryshme dhe për arsye të tjera teknike i përsërit hadithet, përmes rrugëve të tjera transmetimi duke shkuar numri haditheve me zinxhir të plotë transmetimi në 7397 hadithe. Përveç kësaj Buhariu për arsye dobie dhe përfitimi ka përfshirë në librin e tij edhe hadithe të ndërprera, pra jo me zinxhir të plotë transmetimi, ashtu siç ka përfshirë edhe thënie sahabësh dhe tabiinësh. Por të gjitha këto ai i bën të qarta me stilin e tij unik për dijetarët. Kështu që shumë njerëz duke mos kuptuar sesi është ndërtuar dhe konceptuar libri i Buhariut hedhin shpesh dyshime në saktësinë e haditheve të tij, duke cituar edhe ndonjë thënie të ndonjë dijetari pa e kuptuar qëllimin e tij, ndërkohë që hadithet bazë apo ndryshe ato që quhen ‘usule’ mbi të cilat Imam Buhariu ka mbështetur librin e tij janë të gjitha autentike dhe të sakta në transmetim nga Profeti (alejhi salatu ue selam), ndërsa të tjerat që vijnë si plotësuese, transmetime dytësore etj., sigurisht që janë objekt diskutimi mes dijetarëve.

Sigurisht që përpilimi dhe shkrimi i një libri hadithesh nuk përfundon me nxjerrjen e tij në publik për njerëzit duke e lënë të lirë të kopjohet dhe shumëfishohet, por ai gjithashtu përcillet me zinxhir transmetimi duke u dëgjuar nga vetë autori i tij. Nxënësi i Imam Buhariut el-Firebri ka thënë: “Numri i atyre që e kanë dëgjuar librin ‘Sahih’ të Muhamed ibn Ismailit ka qenë nëntëdhjetëmijë vetë.” Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet shtatëdhjetëmijë vetë. Kështu që dorëshkrimet e Buhariut nga transmetues të ndryshëm sigurisht janë të shumta, dhe diferencat mes tyre janë kaq dytësore dhe teknike sa që të shohësh dikë që thotë se çifutët kanë futur duart në Sahih Buhari duke shtuar hadithe në të, siç shtuan në ungjij apo në librat e tyre, është të vësh duart në kokë nga kjo padije ekstreme që tregohet në këtë drejtim, duke supozuar dhe fantazuar gjëra pa asnjë fakt dhe argument. Dijetarët kanë përzgjedhur transmetimet më të sakta dhe më të sigurta dhe të njohura të Sahih Buhariut dhe sot mbi bazën e dorëshkrimeve më të mira në këtë drejtim janë bërë edhe botimet e këtij libri.
Sigurisht që çdo libër tjetër veç Librit të Allahut është punë njerëzore dhe njerëzit janë të gabueshëm në parim, por nuk mjafton vetëm kaq për të pretenduar se edhe Sahih Buhari ka gabime apo sajesa në të, duhen fakte dhe prova hadithore, sipas kritereve me të cilat dijetarët e hadithit vlerësojnë dhe kritikojnë transmetimet, të cilat pretenduesit e kësaj akuze e kanë të pamundur t’i sjellin. Sa për argumente të ashtuquajtura ‘logjike’ apo kontradiktore, këto së pari nuk kanë lidhje me autenticitetin e transmetimeve që garanton Buhariu në librin e tij, dhe së dyti sigurisht që ka përgjigje edhe për to.

Ajo që duhet të theksojmë këtu për ta përmbyllur është se, Suneti i Profetit (alejhi salatu ue selam) dhe gjithçka e saktë autentike që përcillet prej tij, para se të shihen me sy kritik dhe kundërshtim, duhet kuptuar së pari konteksti dhe mjedisi i ardhjes së tyre si dhe botëkuptimi që ato përçojnë për jetën dhe botën dhe pikërisht nga ky thelb duhen kuptuar dhe shqyrtuar me imtësi hadithet.

Së dyti, nuk duhet të harrojmë për asnjë moment se epoka kur dhe ku jetojmë është krejt ndryshe për nga botëkuptimi për jetën dhe botën, ndaj tek hadithet problemi shpesh nuk qëndron tek saktësia ose jo e tyre, apo habia që u shkakton disave, por tek mendësia e shtrembët e sotme përmes të cilës e shohin botën dhe jetën shumë prej njerëzve. Mendësia dhe botëkuptimi apo edhe koncepti për gjërat sot është në thelb problematik, ndaj dhe shpesh gjërat ‘alogjike’ dhe ‘kontradiktore’ burojnë pikërisht nga ky aspekt, pasi logjika dhe arsyetimi nuk është universal në çdo kohë dhe hapësirë, për çdo gjë dhe në çdo gjë njëlloj, si të ishte një veprim matematik. Kështu që dikush para se të vër në dyshim Buhariun dhe hadithet që përcillen në të apo të akuzojë atë për mashtrim apo edhe për gabime, duhet të marrë parasysh gjithçka që kemi përmendur ose jo këtu dhe lidhet me këtë libër në veçanti dhe ruajtjen e Sunetit në përgjithësi.

Bibliografia:
Fet’hul Bari, e Ibn Haxher el-Askelanit
El-Imam el-Buhari ue Kitabuhu el-Xhamiu es-Sahih, e AbdulMuhsin el-Abad
Siijer Alam en-Nubela, e Dhehebiut.
Riuajat ue Nusekh el-Xhamia es-Sahih, e Muhamed ibn AbdulKerim ibn Ubejd
Programi Xhamia Hadim el-Haramejni esh-Sherifejni Li-Suneti en-Nebeuijeh el-Mutahereh. etj.