Hoxhë. Dr. Justinian Topulli
Shejh AbdulKadir el-Arnauti (rahmet pastë!), një nga tre shqiptarët muhadithë të Shamit, e kishte zakon shpesh të këshillonte duke thënë:
Nuk duam selefizëm që të çan me brirë (تنطح )
as sufizëm që flet përçartë (تشطح),
por duam dikë që këshillon sinqerisht (ينصح)
pa lëvduar dhe pa ofenduar (يمدح أو يقدح)
Shejhu ishte vetë selefi, nga ata të rrallët që jo vetëm me dijen, por edhe sjelljen e tij të bënte për vete.
Me këtë këshillë ai përmblidhte disa nga udhëzimet më të rëndësishme, për të cilat kanë kaq shumë nevojë muslimanët sot.
Së pari, selefijtë, pavarësisht oponencës dhe mllefit, me të drejtë ose jo, që kanë të tjerët ndaj tyre, është fakt se kanë qenë lëvizja fetare që i kanë dhënë gjallëri më së shumti muslimanëve në botë që nga fundi i shekullit XX dhe më pas. Por një nga problemet e mëdha që kanë pasur individë të shumtë të kësaj lëvizje është mungesa e etikës së sjelljes me të tjerët, eskluziviteti shpesh absurd dhe monopolizimi i së vërtetës etj. Por ajo që ka rënë më shumë në sy është pikërisht sjellja e vrazhdë, përjashtuese dhe agresive, qoftë për gabime dhe shkareje që konsiderohen të mëdha, qoftë edhe për më të vogla. Tamam si një dash me brirë që godet kuturu duke çarë me to delet e tjera të tufës, dhe kjo në emër të së vërtetës apo sunetit! Edhe Shejh Albani (rahmet pastë!), i cili jo rrallë ishte edhe vetë i ashpër me oponentët e tij, e vinte shpesh në dukje se selefitë krahas marrjes së dijes, kanë nevojë të edukohen, sepse u mungon, në atë që ai quante me binomin ‘tesfije ue terbije’.
E di se kjo është një temë e gjatë dhe mjaft ndjellëse për shumë zëra pro dhe kundra, por do të mjaftohemi këtu me kaq, brenda kontureve të këshillës që kemi për qëllim.
Së dyti, pa i hyrë debatit akademik mbi origjinën apo saktësinë dhe vërtetësinë e tij, është fakt se në historinë e gjatë islame sufizmi u bë termi zëvendësues i asaj që në brezat e parë të muslimanëve njihej si asketizëm (zuhd) dhe pastrim e lartësim i shpirtit (tezkije). Pikërisht nisur nga këto objektiva të tij, Shejh AbdulKadiri thotë se nuk duam sufizëm që përçartet. Termi “shat’h” në arabisht do të thotë të folurit në mënyrë të përçartur, apo në një gjendje dehje dhe dalldie emocionale, ku sufiu mund të thotë fjalë dhe shprehje që në pamjen e tyre të jashtme përbëjnë kufr apo devjim nga feja.
Sigurisht Shejhu këtu ka për qëllim shumë më tepër sesa kaq, ka për qëllim se nuk duam një asktizëm dhe përshpirtshmëri apo ndryshe sufizëm, që del nga binarët e Sheriatit dhe fesë, fakt ky që gjendet pikërisht me shumicë më shumë mes sufive sesa grupimeve dhe rrymave të tjera. Nëse lexon p.sh. librin “el-Istikame” të Ibn Tejmijes (rahmet pastë!), në të cilin ai replikon dhe komenton librin “Risaleh” të Kushejrit (rahmetë pastë!) nga këndëvështrimi i tij selefi, e kupton qartë se cilat janë disa prej atyre gjërave të mira të cilat sufitë duhet t’i mbajnë dhe cilat ato negative, të cilat duhet t’i braktisin.
E di se edhe kjo pikë është një temë mjaft e nxehtë, por do të mjaftohemi këtu me kaq, brenda kontureve të këshillës që kemi për qëllim.
Së treti, Shejhu thotë se duam muslimanë që këshillojnë në mënyrë të sinqertë, pra jo për të ngritur veten dhe ulur të tjerët, duam nga ata që dëshirojnë vërtetë përmirësimin dhe ndryshimin dhe nuk kënaqen me të keqen e tjetrit, dhe pa qenë nevoja të ngrenë në qiell veten apo të tjerë si ata, dhe pa sharë, ofenduar dhe përdhosur ata që nuk janë si ata.
Sigurisht që mes muslimanëve ka lloj lloj njerëzish dhe lloj lloj rrymash dhe bindjesh, shpesh nga më të habitshmet dhe më ekstremet dhe devijantet, me të cilët ndoshta e kemi të pamundur të puqemi, por së paku minimalisht e kemi obligim me ata të cilët ndajmë të njëjtin besim dhe përkatësi të Ehli Sunetit, që janë shumica, të merremi vesh mes vetes, duke u këshilluar, por edhe kritikuar njeri-tjetrin, brenda etikës dhe sinqeritetit dashamirës. Shto këtu edhe faktin që sfidën më të madhe dhe të rrezikshme, ne si shqiptarë muslimanë nuk e kemi me sojin tonë, por me luftën ndaj identitetit tonë islamë nga të tjerët, që nuk na duan ose nuk na kuptojnë. Revanshet dhe mllefet vetëm sa rrisin masën e zullumit reciprok dhe ftohin edhe më tej zemrat dhe ngurtësojnë më tej përçarjen.
_______
P.S. E di mirë se kjo që kemi shkruar nuk ka për t’i pëlqyer shumë njerëzve, nga të gjitha krahët, sepse e kemi futur veten në të tilla llogore statike prej kohësh. Gjithsesi edhe kur të qëndroni në llogoret tuaja, por mos i bini njeri-tjetrit pas shpine, dhe ruajani kockat vëllezërve tuaj, sepse nesër do t’iu duhet një varr për t’i qarë.