Hoxhë. Dr. Justinian Topulli
Meqë skandali i mjekut të Onkologjikut është tema e ditës në mediat tona, si hoxhallarë na takon edhe ne t’i themi dy fjalë.
Pas predikuesve të Zotit, atyre që ftojnë për te Krijuesi dhe shpëtimi i shpirtit njerëzor, të qenit mjek është ndoshta pozita dhe misioni më fisnik në botë.
Mjekësia është mision dhe profesion njëkohësisht. Si mision ajo kërkon përkushtim, vetëmohim, dashamirësi, bujari, humanizëm, virtyte këto që duhet të jenë pjesë thelbësore e karakterit dhe veprimtarisë së një mjeku.
Mjekësia si profesion kërkon përgjegjësi, profesionalizëm, aftësi, ndershmëri, virtyte këto që duhet të jenë pjesë e çdo profesioni.
Tani këto gjëra dihen, dhe nuk ka asgjë të re në thelb në këto fjalë, por pyetja që shtrohet rëndomë është pse na ndodhin skandale të tilla në mjekësi dhe si mund të shmangen?
Sigurisht që problemi nuk qëndron fare te mjekësia, pavarësisht se ndjeshmëria në skandalet që ndodhin në të është më e lartë, për shkak se kemi të bëjmë me jetë njerëzish. Rrënjët e këtij problemi si në mjekësi dhe kudo tjetër është i gjithë ky sistem i përbindshëm arsimor dhe profesional që funksionon si industri e pashpirt prodhimi.
Industria është një sistem i verbër, i pashpirt, që kontrollohet nga arsyeja instrumentale, dhe nuk prodhon thjesht të mira materiale dhe shërbime, por edhe njerëz instrumental që i shërbejnë, zhvillojnë dhe mbajnë në këmbë këtë sistem përbindësh.
Dikur zejtarët të dëshpëruar në mënyrë naive mallkonin makinat, duke i fajësuar ato se u hoqën rrëskun, duke u marrë punën e dorës, me të cilën ata jetonin. Ndërkohë sot sistemi industrial ka kapërdirë çdo sektor të jetës, madje edhe vetë arsimin dhe edukimin duke e kthyer në instrument të tij.
Prindi dhe të afërmit i thonë fëmijës që i vogël çfarë do të bëhesh kur të rritesh? Duke projektuar tek ai që në fëmijëri rëndësinë parësore për profesionin dhe punën që ai do të ketë në të ardhmen!
Familja dhe shoqëria i thonë të riut mëso që të shkosh në shkollë të lartë, të marrësh një degë të mirë dhe të zësh një vend pune të rehatshëm dhe të mos bëhesh hamall!
Shkolla gjithashtu e ushqen brezin e ri me të njëjtën mendësi!
Në anën tjetër shoqëria ofron si alternativë për ata që nuk mësojnë rrugë të tjera, shpesh të pandershme, por shumë fitimprurëse, duke e kapërcyer kështu këtë ngërç për këtë kategori njerëzish.
Është një sistem i tërë që nis që nga familja, kopshti, shkolla, universiteti, shoqëria dhe vendi i punës, që nuk edukojnë njerëz, por prodhojnë instrumente industriale, që duhet të bëjnë sa më shumë para, sepse vetëm kështu jeton më mirë individi dhe vetëm kështu zhvillohet vendi dhe shoqëria!
Ne jemi pajtuar me këtë realitet përbindësh të pashpirt dhe pastaj qahemi se masat e kontrollit të tij janë shpesh jo efektive, prandaj dhe ndodhin të tilla skandale!
Jo, absolutisht jo!
Ne kemi harruar se së pari dhe së fundi duhet të edukohemi të jemi njerëz, të jemi humanë, të jemi të ndershëm, të jemi besnikë ndaj parimeve morale, të bëhemi burra dhe gra të mirë e fisnikë, që kanë frikë Zotin para se të kenë frikë se do mbesin pa para dhe çfarë do të punojnë në të ardhmen.
Kjo është ajo që i mungon shoqërisë sonë, që ky sistem i kalbur moralisht nuk mund ta shërojë dot me asnjë kurë.
“O ju që keni besuar! Jini të përkushtuar ndaj Allahut dhe le të shikojë njeriu se çfarë ka përgatitur për nesër! Kini frikë Allahun! Nuk ka dyshim se Allahu di në hollësi gjithçka që ju bëni! Mos u bëni si ata që e harruan Allahun e prandaj Allahu i bëri që të harrojnë vetveten! Ata janë të shfrenuarit.” (el-Hashr: 18-19)