𝐑𝐢𝐥𝐢𝐧𝐝𝐚𝐬𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐈𝐬𝐥𝐚𝐦𝐢𝐬𝐭ë𝐭

Lidhja e Hoxhallarëve
7 minuta lexim

H. Justinian Topulli

 

Ata që kontribuuan në ngjizjen e vetëdijes për një identitet kombëtar shqiptar dhe punuan për mëvetësi politike, që rëndom i quajmë rilindas, rrethohen nga një tis nderimi dhe respekti, që shqiptarët e sotëm rezervojnë për ta. Edhe pse ata ishin njerëz që kishin dilemat dhe problemet e tyre, debatet dhe kundërshti shpesh të ashpra mes njeri-tjetrit, e megjithatë për shkak të kontributit dhe sakrificës që ata kanë dhënë për shqiptarinë, kursehen sot nga kritikat dhe denigrimi i figurave të tyre, pasi një akt i tillë shihet gati si sakrilegj kombëtar.

 

Ndërkohë padija e theksuar që i karakterizon sot përgjithësisht shqiptarët për këtë periudhë historike, duke i shtuar kësaj edhe keqinformimin e qëllimshëm ndër dekada, është një nga shkaqet pse identiteti islam urrehet kaq shumë nga një pjesë e shqiptarëve.

 

Dhe kjo tregon se periudha pas shpalljes së pavarësisë e sidomos ajo gjatë komunizmit, ka dëmtuar në mënyrë të qëllimshme dhe të programuar më së shumti vetëdijen islame te shqiptarët, duke e shpërfytyruar rëndë atë te pasardhësit e sotëm.

I shikon rëndom të të akuzojnë për islamik, terrorist, mysliman radikal, turk, arab, pa llogaritur këtu fjalorin banal të ofendimeve, që nuk rreshtin së mbushuri rrjetet sociale, shpesh edhe nga profile false, të orkestruara nuk e di nga ku.

 

Por, nëse i kthehesh historisë dhe lexon veprat origjinale të këtyre rilindësve, pa ndërmjetës interpretues të mëvonshëm ideologjik, do të shohësh në mjaft raste se mjaft prej tyre mund të etiketohen lehtësisht si islamistë, njëlloj si mjaft myslimanë të sotëm pa asnjë dallim thelbësor mes tyre.

 

Lexoni veprat e Sami Frashërit, ideologut më të shquar të nacionalizmit shqiptar, libra si “Qytetërimi Islam” dhe “Përpjekja e heronjve në përhapjen e Islamit” dhe do të shihni se nuk ka asnjë dallim në thelb mes tezave të tij dhe atyre që sot mes shqiptarëve i etiketojnë pezhorativisht si “islamikë”. Lexoni nga dhe për hoxhallarë si Hasan Tahsini, Vehbi Dibra, Ali Korça, Ibrahim Dalliu, Ali Kraja e shumë të tjerë dhe do të ndeshni në fjalët dhe qëndrimet e tyre të njëjta gjëra në thelb që thuhen edhe sot nga ata që anatemohen si ‘radikalë myslimanë’.

 

Ku është dallimi mes atyre dje dhe këtyre sot?! Pse ata nuk preken ndërsa këta sot sulmohen dhe shahen dhe anatemohen e madje shpallen renegatë të kombit e të shqiptarisë?

 

Sepse ata ishin atdhetarë dhe kontribuuan për Shqipërinë, ndërsa ju sot, silleni vetëm si islamikë – mund të të vij përgjigja e pamenduar nga disa njerëz.

 

Mirëpo ajo që nuk kuptojnë apo nuk dinë këta njerëz është se, kontributi kombëtar i gjithë këtyre myslimanëve e hoxhallarëve ndodhi në një kohë kur nuk kishim shtet shqiptar të pavarur dhe ku rrezikoheshim të përpiheshim nga fqinjët, që do të zhbënin edhe kombin edhe besimin e shqiptarëve. Prandaj i ndesh ata të thonë shpesh ‘për fe dhe atdhe’. Dhe feja për shumicën e rilindësve, që ishin myslimanë, ishte Islami. Kështu që atyre në ato momente u rrezikohej më së shumti kombi dhe etnia shqiptare dhe më pas feja, ndaj dhe vunë shpatullat të përballeshin me këtë rrezik. Kjo duket qartë në veprimtarinë publicistike të atyre hoxhallarëve të cilët kanë jetuar të dyja periudhat historike, atë para formimit të shtetit shqiptar dhe pas tij. Pasi shteti shqiptar u stabilizua dhe kufijtë e tij u garantuan edhe pse të përgjysmuar dhe të cunguar, do të dallosh qartë një zhvendosje të qartë të aktivitetit të tyre, drejt fesë më së shumti, sepse ajo filloi që të rrezikohej.

 

A u bënë ata më pak shqiptarë dhe atdhetarë? Jo aspak, por sipas vendit bëhet edhe kuvendi. Në çdo rast ata dhanë kontributin për atë që ndjenin se por rrezikohej më shumë.

Të njëjtën gjë kanë bërë edhe sot shumë prej hoxhallarëve, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. Kur kombi i thirri se ishte në rrezik ata iu përgjigjën me armë dhe me jetën e tyre në disa raste, shumë më tepër sesa ndonjë që rreh gjoksin sot për shqiptari dhe që një pushkë se ka shkrehur për të kur e kishte mundësinë.

 

Ka pasur me dhjetëra hoxhallarë, pa llogaritur këtu qindra besimtarë myslimanë, që kanë qenë pjesë e UÇK si në Kosovë ashtu dhe në Maqedoninë e Veriut. E pikërisht sot këta etiketohen si ‘islamikë’ që nuk e duan kombin, sepse nuk u pëlqen disave qasje e tyre fetare karshi atdheut, shoqërisë dhe identitetit tonë fetar! Madje disa prej tyre janë edhe në dosjet e shërbimeve informative të shteteve përkatëse, duke u mbajtur nën vëzhgim, sepse me demek janë rrezik kombëtar! O Zot çfarë paradoksi!

 

Nuk gjej fjalë më të përshtatshme për ta mbyllur këtë shkrim sesa fjalët e H. Ali Korçës, i cili me të vërtetë ishte një islamist i paepur, që në kohën e tij kritikonte si laicizmin oksidentalë ashtu edhe bolshevizmin, kur thotë:

 

Për Shqipërinë u përpoqa

rrezikova jetën time

Nuk rrëfehet se sa hoqa

se shteti m’i njihte krime.