𝙍𝙚𝙖𝙜𝙞𝙢𝙚𝙩 𝙚𝙢𝙤𝙘𝙞𝙤𝙣𝙖𝙡𝙚

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 8 minuta lexim

Hoxhë. Dr. Justinian Topulli

 

Emocioni është pjesë thelbësore e qenies njerëzore, pa të ai nuk e motivon dot jetën, por emocioni është edhe i dëmshëm e i gabuar kur nuk vihet nën kontroll dhe i kalon limitet. Prandaj dhe Zoti i ka dhuruar njeriut arsyen, që të vër nën nën kontroll emocionin, i cili është më së shumti instinkt. Jo më kot në gjuhën arabe fjalës intelekt apo arsye i thonë ‘akl’ عقل që ka kuptimin e diçkaje që lidh, kjo sepse arsyeja e lidh njeriun nga veprimet e tij të shëmtuara.

 

Njerëzit që mundohen të jetojnë vetëm me arsye, janë shpesh të ftohtë, pragmatistë pa shpirt dhe jetë, ata nuk luftojnë gati kurrë dhe vetëm shohin dëmin e dobinë e ngushtë në çdo veprim që kryejnë. Në anën tjetër njerëzit emocional janë impulsivë dhe reagojnë për çdo gjë dhe ndaj çdo gjëje, zakonisht të tillët në shumicë duken qartë që janë mendjelehtë. Ndërkohë njeriu duhet të ruaj mesataren dhe ekuilibrin mes emocionit dhe arsyes, duke i bërë bashkë ato dhe duke i dhënë masën që i takon secilës. Dhe Islami si asnjë fe tjetër më parë i bën më së miri bashkë këto dy elementë thelbësor të njeriut.

 

Sigurisht që për këtë në ka formula fikse dhe jo gjithmonë njeriu ia del ta bëjë më së mirë këtë gjë, por për këtë ka modele dhe njerëzit ata duhet të ndjekin dhe kuptojnë. Në rastin tonë si besimtarë ne kemi Profetin tonë (alejhi salatu ue selam) si model, e pas tij njerëzit e ditur, sepse ata janë trashëgimtarët e dijes së tij. Sa më i ditur dhe i përkushtuar të jesh ndaj Zotit aq edhe më i urtë je në sjellje, mendime dhe veprime, dhe Allahu na ka thënë në Kuran, se kujt i është dhuruar urtësia i është dhuruar vërtetë mirësi e madhe.

 

Dhe urtësi apo mençuri, nuk do të thotë të jesh i urtë e i butë kurdoherë, as e kundërta e kësaj, por do të thotë të vendosësh çdo gjë në vendin e duhur dhe në kohën e saj, do të thotë të veprosh në mënyrë të mençur, ku si pas vendit të bëhet kuvendi, aty ku duhet forcë të përdorësh forcën, aty ku duhet butësi të përdorësh butësinë, aty ku duhet më shumë emocion të jesh i tillë, aty ku duhet vetëpërmbajtje të durosh… e kështu me radhë.

 

Sigurisht që kjo nuk është aspak diçka e lehtë, madje është e vështirë për shumicën, prandaj dhe njerëzit duhet të ndjekin të mençurit e tyre dhe të diturit e tyre, sepse edhe nëse ata gabojnë, gabimet e tyre janë më të rralla. Për fat të keq shoqëria e sotme individualiste në kulm e ka bindur çdo kënd se është i aftë t’i marrë në dorë jo vetëm frenat e jetës së tij personale, por t’i jap mend edhe gjithë bashkësisë së tij, sesi ajo duhet të sillet karshi ngjarjeve të caktuara.

 

Është e vërtetë që çdo njeri mund të ketë mendimin e tij për diçka, por pyetja është, a është normale dhe e drejtë që ta ketë këtë gjë? Ndërkohë që ai me shumë gjasa nuk është kompetent për atë gjë, kështu që të kesh një opinion apo mendim për çdo gjë, pa i njohur më parë ato shumë mirë, jo vetëm është idiotësi, por është edhe diçka e pamundur dhe jorealiste. Dhe Allahu thotë në Kuran: “Mos iu afro asaj për të cilën nuk ke njohuri! Dëgjimi, shikimi dhe zemra

– për të gjitha ato ka përgjegjësi.” (el-Isra: 36)

 

Gjërat në jetë nuk janë gjithmonë bardh e zi, madje më së shumti nuk janë të tilla, por natyra njerëzore duke qenë emocionale është e prirë për t’i thjeshtuar ato dhe njerëzit, në të mirë dhe në të këqij, në djaj dhe në engjëj, në errësirë dhe në dritë. Ndaj dhe për këtë i sheh njerëzit tek reagojnë në mënyra të kundërta dhe ekstreme ndaj ngjarjeve dhe individëve të caktuar, pa marrë parasysh dritëhijet e tyre, madje pa u siguruar për të mirën dhe të ligën e tyre, pa marrë parasysh kohën dhe vendin ku reagojnë, dhe as pasojat.

 

Drejtësia është tipari thelbësor i Islamit, dhe të jesh i drejtë do të thotë t’i japësh vendin secilit ku e meriton, me të mirat dhe këqijat e tij. Por do të thotë edhe të heshtësh kur duhet të heshtësh e të flasësh kur duhet të flasësh. Kështu që shumica e muslimanëve 𝐝𝐮𝐡𝐞𝐭 𝐭ë 𝐡𝐞𝐬𝐡𝐭𝐢𝐧 𝐩ë𝐫 𝐬𝐡𝐮𝐦𝐢𝐜ë𝐧 𝐞 𝐠𝐣ë𝐫𝐚𝐯𝐞 që nuk i njohin siç duhet dhe nuk i vlerësojnë dot siç duhet me reagimin e duhur në kohën dhe vendin e duhur. Thuaj të mirën -thotë Profeti- ose hesht.

 

Humbja e kësaj hierarkie, ku këmbët dalin para kokës, ku gjindja të jep ‘mend’ dhe bën ‘teori e shkencë’ ndërkohë që të diturit heshtin, nuk sjell vetëm se anarki sociale, aq sa edhe nëse reagon në mënyrë të mençur e të matur, turma të vë përpara duke të bërë gjyqin dhe akuzuar me pa të drejtë për gjëra që nuk i ke, duke të detyruar kështu që herën tjetër të heshtësh edhe për shkak të dhunës verbale emocionale që do të vërshojë drejt teje, duke harruar se kush je dhe çfarë ke bërë si dhe çdo gjë tjetër për ty. Kështu pra emocioni nëse lëshohet nuk ka fre e kufij, ai ha edhe veten e tij.

 

Kjo është temë shumë e rëndësishme dhe delikate dhe e keqkuptuar që nuk e mbyllim dot me kaq, por nëse do të vazhdonim nuk do të ndaleshim dot për një kohë të gjatë.

Etiketat