Hoxhë. Dr. Justinian Topulli
Ka shumë njerëz, madje edhe klerikë, që në mënyrë të cekët e lidhin ruajtjen e fesë islame vetëm përmes teksteve të shkruara, të trashëguara që nga kohët e hershme. Kështu që nëse asgjë nuk është shkruar në atë kohë, apo është shkruar shumë pak, atëherë besohet vetëm e shkruara, ose nuk besohet asgjë.
Sipas kësaj pikëpamjeje, garantuesit e vërtetë të saktësisë ose jo të fesë, janë ata që e kanë shkruar atë, që për rrjedhojë, nëse ata harrojnë, gabojnë apo falsifikojnë diçka në shkrimet e tyre, atëherë e gjithë feja është e varur dhe e kompromentuar nga shkrimet e këtyre njerëzve.
Pyetje: Para se të shkruheshin Mueta i Imam Malikut, Musnedi i Imam Ahmedit, Sahihu i Buhariut dhe i Muslimit, Suneni i Ebu Daudit, Tirmidhiut dhe Ibn Maxhes, dhe të tjerë libra të Hadithit, si faleshin njerëzit? Si agjëronin? Si e jepnin Zekatin? Si e kryenin abdesin dhe të gjitha obligimet e tjera?
Apo vallë i mësuan pasi dolën këta libra, dhe derisa u mblodhën këto hadithe, njerëzit rrinin në pritje? Apo i nxirrnin vetë nga Kurani? Apo pasi dolën këta libra, brezat që erdhën i ndryshuan praktikat fetare, duke iu referuar vetëm këtyre librave?
Të fantazosh se Islami dhe praktikat e tij të adhurimit, siç i kemi sot, janë ruajtur vetëm përmes librave të hadithit, është mendjelehtësi dhe cektësi intelektuale, që paramendon një periudhë shkëputjeje brezash, ku njerëzit nuk njihnin asgjë nga feja, ose njihnin shumë pak dhe papritur i zbuluan ato përmes librave të haditheve pas kaq kohësh, ndërkohë që e vërteta sesi e praktikoi fenë Profeti dhe sahabët humbi e u harrua, sepse nuk u shkrua prej tij apo prej shokëve të tij që atëherë, dhe nuk kemi asnjë copë kartë apo libër nga dorëshkrimet e tyre!
Deri në këtë imagjinatë absurde shkon mendjelehtësia e disa njerëzve, që jo vetëm nuk njohin historinë, por nuk e vënë as mendjen në punë sa duhet.
Ka disa të tjerë më të sofistikuar, të cilët pretendojnë se qenë pushtetet e Umevitëve dhe të Abasitëve më pas, ata që shpikën hadithet dhe përmes diktatit të shtetit ua imponuan ato njerëzve!
Të dyja këto pretendime, njëri që akuzon dijetarët e Islamit dhe tjetri pushtetarët, marrin për të mirëqenë pa e kuptuar idenë se Islami apo më saktë burimet e tij kanë qenë monopol ekskluziv i këtyre dy grupeve dhe ata kishin pushtet absolut mbi to! Kjo fantazi, sigurisht lidhet jo vetëm me injorancën historike, por edhe me krahasimin që i bëhet Islamit me fetë e tjera, burimet e të cilave mund të ishin nën pushtetin e këtyre dy grupeve.
Së pari, Islami që nga koha kur Profeti doli publikisht në Mekë dhe shpalli mesazhin e Allahut dhe deri sa u largua nga kjo botë, në Medine, ka qenë publik dhe mësimet e tij bëheshin publike dhe masive mes njerëzve. Kurani dhe fjalët e Profetit dëgjoheshin në xhami, në rrugë, në tregje, në shtëpi, në udhëtime, në biseda private dhe publike, në mësime dhe tubime nga më të ndryshmet dhe qarkullonin masivisht mes njerëzve dhe asgjë nuk fshihej dhe rezervohej për një grup të kufizuar njerëzish. Një nga argumentet më të qarta për këtë, është edhe rasti i mohimit kategorik që Aliu (radijAllahu anhu) i bëri pohimit të disa njerëzve, në kohën kur ai ishte kalif, se Profeti (alejhi salatu ue selam) e kishte veçuar atë dhe ehli bejtin me diçka që të tjerët nuk e dinin.
Së dyti, kjo traditë e mësimit masiv të Kuranit dhe Islamit, përmes fjalëve dhe praktikës që la Profeti, u trashëgua në mënyrë të pandërprerë nga sahabët, pasardhësit e tyre dhe të gjithë brezat që erdhën më pas, e deri sot e kësaj dite. Pra, Islami dhe burimet e tij janë përcjellë brez pas brezi masivisht në mënyrë publike, pa fshehur asgjë dhe pa krijuar ndonjë hierarki klerikale, e cila mori monopolin e burimeve të fesë, veçmas nga njerëzit e tjerë.
Feja humbet dhe mund të manipulohet, kur ajo mbetet e panjohur dhe mësohet skutave e në fshehtësi, por kurrsesi, kur ajo mësohet dhe përcillet publikisht.
Së treti, me shtimin e radhëve të muslimanëve dhe me kalimin e kohës, shtohej edhe numri i njerëzve që njihnin Kuranin, thëniet dhe praktikën e Profetit, aq sa krijimi i një monopoli ishte praktikisht i pamundur nga asnjë kastë dijetarësh apo pushtetarësh.
Së katërti, që nga emigrimi në Medinë, Islami ishte feja e një shteti që jo vetëm nuk e humbi ekzistencën e tij, por që erdhi duke u forcuar dhe shtuar, derisa u kthye në një perandori, qytetërim dhe kulturë botërore për shekuj me radhë, duke garantuar kështu ndër të tjera autenticitetin maksimal të burimeve të tij, saqë vetëm një i paditur apo dashakeqës mund ta vërë në dyshim.
Së pesti, masivizimi dhe publikimi i dijes islame, qoftë i mësimit të Kuranit dhe Hadithit, prodhoi një plejadë dijetarësh, të cilët për ta zhvilluar më tej dijen që vinte nga këto dy burime, krijuan shkollat e fikhut apo jurisprudencës islame, të cilat nga ana tjetër, ishin një tjetër rrugë e trashëgimit të këtyre burimeve dhe të asaj që ata deduktuan prej tyre. Shumëkush nuk e di që gjykatësit apo kadilerët sheriatikë, edhe pse emëroheshin nga shteti, nuk i merrnin ligjet dhe vendimet që jepnin nga ndonjë kod apo kanun i shkruar dhe përpiluar nga shteti, por nga ajo që ata vetë, apo dijetarë të tjerë para tyre kishin përpiluar, në pavarësi të plotë nga ndikimi i shtetit. Shkurt dhe qartë, fikhu islam u zhvillua në pavarësi të plotë nga ndikimi i shtetit, si një punë akademike e ditunore e padiktuar apo udhëzuar nga pushteti i kohës, po kështu edhe hadithet u ruajtën dhe u shkruan në këtë mënyrë.
Së gjashti, mbledhja, grumbullimi i haditheve dhe përpilimi i librave të tyre, dhe jo shpikja apo trillimi i tyre, ishte një punë akademike që vinte si zhvillim i natyrshëm i dijes islame. Shkurt dhe qartë, dijetarët e hadithit nuk bënë gjë tjetër, vetëm se shkruan, klasifikuan dhe regjistruan nëpër libra, në mënyrë akademike, atë që dihej tashmë dhe mësohej masivisht mes njerëzve. Dhe sigurisht, që kjo punë akademike kërkonte kritere skrupuloziteti dhe përpikërie maksimale, e për këtë qëllim, ata vendosën kriterin e isnadit apo zinxhirit të transmetimit dhe rregullat e tjera që e shoqërojnë atë. P.sh. kur ata shkruan libra të hadithit, të ndarë në tema, në të vendosën kapitullin e namazit, abdesit, ezanit etj. Tani, a thua njerëzit nuk e dinin deri atëherë sesi falej namazi, thirrej ezani, apo merrej abdesi? Nëse në këto libra transmetimet që ata përmendnin për ezanin, namazin apo abdesin, ishin të pakta dhe ndoshta ndonjë transmetues nuk ishte shumë i përpiktë, a do të thotë kjo se njerëzit nuk dinin sesi thirrej ezani, apo se si merrej abdesi dhe se si falej namazi?! Dijetarët e hadithit mund edhe të thoshin se këto kështu janë trashëguar masivisht nga mbarë muslimanët dhe nuk merreshin fare me shkrimin dhe seleksionimin e thënieve profetike, ndërkohë që nëse e bënin këtë, asgjë nuk do të humbiste nga feja, por ata prej skrupulozitetit të tyre, donin të filtronin thënien sa më autentike, duke u shqetësuar kështu, jo për thelbin se si falej namazi, apo thirrej ezani, apo merrej abdesi, të cilat ishin ruajtur të sigurta brez pas brezi në mënyrë të saktë, por për fjalët precize dhe ngjarjet ekzakte që kishin ndodhur, kur u legjitimuan këto praktika fetare për herë të parë dhe u vepruan nga Profeti (alejhi salatu ue selam).
A ka njeri që e vë në dyshim se muslimanët e kanë thirrur ezanin në këtë mënyrë si thirret sot, për 15 shekuj me radhë dhe që nuk ka nevojë fare për asnjë hadith dhe as transmetim në asnjë libër, për të na mësuar fjalët e tij, që janë thënë për herë të parë dhe gjatë gjithë jetës së Profetit? Nuk besoj që ka njeri me mend në kokë që kërkon patjetër hadith, për të vërtetuar se fjalët e ezanit sot, janë po të njëjtat fjalë që janë thënë këtu e 15 shekuj më parë dhe gjatë gjithë kohës.
Kështu pra, është ruajtur edhe Islami e burimet e tij, kështu janë ruajtur pesë namazet, rregullat e zekatit, agjërimit, abdesit etj, brez pas brezi, në mënyrë masive (muteuatir), saqë trillimi apo mashtrimi është praktikisht i pamundur.
Imagjinoni p.sh. himnin e flamurit, nëse digjen dhe zhduken të gjithë librat ku ai është shkruar, a mundet të humbasë ai? Sigurisht që jo, edhe sikur të mos shkruhet derisa të ketë jetë ky komb, për arsyen e thjeshtë se ai mësohet përmendësh që në vegjëli dhe dëgjohet kaq shumë, edhe sikur të mos shkruhet asnjëherë, nuk ka për t’u harruar nga shqiptarët, për aq kohë sa mbeten të tillë. E çfarë mund të thuhet për miliona e miliona muslimanë në mbarë botën, që për 15 shekuj me radhë kanë dëgjuar ngado ezanin pesë herë në ditë, si mund të humbasë e vërteta e kësaj feje dhe fakti se kemi 5 namaze në ditë dhe jo 3?
Pasha Allahun, edhe sikur të mos kemi asnjë hadith apo zinxhir të saktë transmetimi për ezanin, apo 5 kohët e namazit, do të ishim përsëri 1000% të bindur, se kështu është thirrur ezani në kohën e Profetit (alejhi salatu ue selam) dhe kështu është falur namazi, sepse feja islame dhe mësimet e saj janë ruajtur masivisht dhe publikisht, brez pas brezi pa ndërprerje, që nga koha kur Allahu ia obligoi ato muslimanëve.