Hoxhë. Mustafa Terniqi
Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, e shënuar më 1 maj, nuk përbën thjesht një festë apo një ditë pushimi, por një kujtesë historike të sakrificave të mëdha që punëtorët kanë bërë për të fituar të drejtat e tyre themelore. Ajo përfaqëson një moment reflektimi mbi rrugëtimin e gjatë drejt dinjitetit në punë dhe drejtësisë shoqërore.
Origjina e kësaj dite lidhet me protestat masive të zhvilluara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në Çikago në vitin 1886, të njohura si Afera Haymarket. Këto protesta u organizuan nga mijëra punëtorë që kërkonin një të drejtë themelore: kufizimin e orarit të punës në tetë orë në ditë. Ky mobilizim nuk mbeti i kufizuar në Amerikë, por u përhap me shpejtësi në Evropë dhe më gjerë, duke u shndërruar në një simbol global të luftës për drejtësi dhe dinjitet në marrëdhëniet e punës.
Në kontekstin e Revolucionit Industrial, punëtorët përballeshin me kushte jashtëzakonisht të vështira dhe shpesh çnjerëzore. Orari i punës zgjatej nga 12 deri në 16 orë në ditë, pa ditë pushimi dhe me paga minimale që mezi siguronin mbijetesën. Kushtet e punës ishin të rrezikshme, pa standarde sigurie, ndërsa aksidentet në fabrika ishin të shpeshta dhe shpesh fatale. Mungesa e mbrojtjes ligjore, e sigurimeve shëndetësore dhe e organizimit sindikal e bënte pozitën e punëtorit edhe më të brishtë. Çdo përpjekje për të kërkuar të drejta shoqërohej shpesh me shtypje dhe dhunë. Në këtë realitet, njeriu reduktohej shpesh në një mjet prodhimi, duke humbur dimensionin e tij si qenie me dinjitet. Kjo periudhë pasqyron një krizë etike të modernitetit, ku utilitarizmi ekonomik shpesh dominonte mbi vlerat njerëzore.
Në këtë kontekst lind një pyetje thelbësore: a është drejtësia produkt i konfliktit dhe imponimit, apo një parim që duhet të burojë nga vetëdija morale e njeriut? Historia moderne sugjeron se të drejtat shpesh janë fituar përmes përplasjes dhe presionit shoqëror, çka e vendos drejtësinë në një nivel relativ, të kushtëzuar nga raportet e forcës.
Në kontrast me këtë qasje, Islami e ndërton drejtësinë mbi një themel më të qëndrueshëm: detyrimin moral dhe përgjegjësinë para Zotit. Në këtë kuptim, drejtësia nuk është rezultat i negocimit të interesave, por një normë objektive që buron nga e vërteta hyjnore.
Në Kuran thuhet:
“Vërtet, Allahu urdhëron drejtësinë dhe të bërit mirë…” (en-Nahl: 90)
Dhe po ashtu:
“Mos ua pakësoni njerëzve të drejtat e tyre.” (el-A‘raf: 85)
Këto parime vendosin një standard etik universal, i cili tejkalon kontekstin historik dhe kulturor. Në Islam, marrëdhënia ndërmjet punëdhënësit dhe punëtorit konceptohet si një amanet dhe një përgjegjësi para Zotit. Parimi i drejtësisë përbën themelin e kësaj marrëdhënieje.
Tradita profetike e thellon më tej këtë dimension etik dhe juridik. Profeti Muhamed (alejhisselam) ka urdhëruar: “Jepjani punëtorit pagën para se t’i thahet djersa e tij!” (Ibn Maxheh nr. 2443), duke theksuar jo vetëm detyrimin për pagesë, por edhe shpejtësinë dhe korrektësinë në zbatimin e tij.
Në një hadith kudsi thuhet:
“Allahu thotë: Tre janë ata që Unë do të jem kundërshtari i tyre në Ditën e Gjykimit… njëri prej tyre është ai që merr një punëtor, i merr punën e plotë, por nuk i jep pagën.” (Buhariu 2227)
Madje, edhe vonesa në pagesë konsiderohet padrejtësi:
“Zvarritja e pagesës nga i pasuri është padrejtësi.” (Buhariu 2287; Muslimi 1564)
Këtu vërehet një thellim i konceptit të drejtësisë: ajo nuk kufizohet vetëm në shmangien e shkeljes së drejtpërdrejtë, por përfshin edhe çdo formë padrejtësie indirekte, si vonesat apo pengesat burokratike. Kjo pasqyron një etikë të ndjeshmërisë morale, ku edhe detajet e sjelljes marrin peshë etike.
Islami nuk ndalet vetëm te aspekti ekonomik, por shtrihet edhe në dimensionin njerëzor të marrëdhënies së punës. Punëtori nuk duhet të ngarkohet përtej mundësive të tij dhe duhet të trajtohet me dinjitet dhe respekt. Marrëveshjet duhet të jenë të qarta dhe transparente që në fillim, duke shmangur çdo formë mashtrimi apo paqartësie. Në të njëjtën kohë, edhe punëtori është i obliguar të jetë i ndershëm dhe i përkushtuar në punën e tij.
Një nga shprehjet më të fuqishme të këtij vizioni etik gjendet në thënien profetike:
“Shërbëtorët tuaj janë vëllezërit tuaj… ushqejini me atë që hani vetë dhe vishini me atë që vishni vetë. Mos i ngarkoni përtej mundësive të tyre; e nëse i ngarkoni, atëherë ndihmojini!” (Buhariu nr. 30)
Ky parim e zhvendos marrëdhënien e punës nga një raport thjesht ekonomik në një raport moral dhe human.
Në këtë këndvështrim, dallimi ndërmjet qasjes moderne historike dhe asaj islame bëhet i qartë: ndërsa të drejtat e punëtorëve në historinë moderne janë fituar kryesisht përmes konfliktit, protestave dhe presionit shoqëror, në Islam ato paraqiten si detyrime të brendshme morale dhe fetare që burojnë nga ndërgjegjja dhe besimi. Kjo nuk e mohon rëndësinë e përpjekjeve historike të punëtorëve, por thekson një dimension tjetër: institucionalizimin e drejtësisë si normë hyjnore, dhe jo si rezultat i imponimit shoqëror.
Si përfundim, 1 Maji mbetet një simbol i rëndësishëm i luftës për të drejtat e punëtorëve, por njëkohësisht ofron një mundësi për të reflektuar mbi burimet etike të drejtësisë në punë. Perspektiva islame paraqet një model ku drejtësia nuk është produkt i krizës, por një parim themelor i rendit moral dhe shoqëror.
