Vlera e 10 ditëve të Dhulhixhes

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 4 minuta lexim

H. Irfan Tota

Nesër është dita e parë e muajit Dhulhixhe.

Këto janë ditët më të mira të të gjithë vitit. Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë. “Ditët më të mira të dynjasë janë dhjetë ditët (e Dhul Hixhes)”. (Sahihul Xhami,1133).

Për këtë arsye edhe punët gjatë këytre ditëve janë më të mira se çdo ditë tjetër e vitit.

Çduhet të bëjmë gjatë këytre ditëve?

Së pari: gjëja më e mirë me të cilën priten këto ditë të nderuara është pendimi i sinqertë tek Allahu dhe lënia e gjynaheve, sepse ato janë pengesa kryesore për të vlerësuar këto ditë me vepra dhe janë po këto gjynahe që mbulojnë zemrën e njeriut për të njohur dhe falenderuar Allahun.

Allahu i lartësuar ka thënë: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti. (Zumer)

Natyrisht për ata që munden të kryejnë haxhin dhe bashkë me të edhe Umren, ky do të ishte edhe vlerësimi më i madh që iu bëhet këtyre ditëve dhe shpërblimi më i madh që mund të fitohet gjatë tyre.

Së dyti: Këto ditë duhet t’i presim me vendosmëri të plotë dhe seriozitet për të përfituar sa më shumë gjatë tyre. Ai që është i sinqertë Allahu do t’i mundësojë atë që krëkon.

Së treti: I presim me adhurime vullnetare nga më të ndryshmet, siç janë përmendja e shumtë e Allahut, leximi i Kuranit, duatë dhe lutjet.

Së katërtit: E presim me falenderim ndaj Allahut, i Cili na zgjati jetën për të punuar edhe më shumë punët të domosdoshme, kur shumë njerëz sëmundja, vdekja, pakujdesia, etj, ua ka hequr këtë mundësi.

Së pesti: Agjërimi. Është e pëlqyer që këto ditë të agjërohen, përjashto ditën e dhjetë, që është edhe dita e festës së Kurban Bajramit. Profeti (alejhi salaltu ue selam) agjëronte 9 ditë nga muaji Dhul Hixhe, ditën e Ashurasë, tri ditë nga çdo muaj, si dhe të Hënë dhe të Enjten e pare të çdo muaji. “ (Ebu Daudi, saktësoi Albani)

Imam Neueuiu ka thënë: “Agjërimi i këtyre ditëve është shumë i pëlqyer” .

Në veçanti duhet të agjërohet dita e Arefatit për të cilën Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Me agjërimin e ditës së Arefatit, shpresoj të më falë Allahu gjynahet e vitit që kaloi dhe vitit që vjen pas tij.” (Muslimi)

Agjërimi i kësaj dite është për ata që nuk janë në Haxh, ndërsa haxhinjtë nuk duhet të agjërojnë, me qëllim që të kenë mundësi të bëjnë sa më shumë adhurime të tjera, siç janë namazi nafile, duatë, etj. Edhe Profeti (alejhi salatu ue selam) nuk e ka agjëruar këtë ditë kur ka qenë në haxhin e lamtumirës.

Një besimtar i devotshëm shikoi ca njerëz që ishin nisur për në haxh, ndaloi pak dhe me lot në sy tha: Sa i dobët jam, mori frymë thellë pastaj vazhdoi: Sa keqardhje ndjen ai që nuk ka mundësi të shkojë në Qabe, po si duhet të ndihet ai njeri që nuk ka gjetur rrugën për te Zoti i Qabes!

Etiketat