Deklaratë e LHSH në lidhje me debatin publik për çështjen e shamisë islame në arsimin parauniversitar

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 4 minuta lexim

Shami

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit

D E K L A R A T Ë

Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë, një organizatë e pavarur kjo, që mbledh në gjirin e saj një numër të madh teologësh muslimanë të diplomuar, në lidhje me debatin publik për çështjen e shamisë islame, i nxitur nga projektligji për arsimin parauniversitar, e ndjen si detyrim fetar, moral dhe profesional të sqarojë se:

Së pari, mbulimi i trupit dhe i kokës (jo i fytyrës) për një besimtare muslimane, që ka arritur moshën e pubertetit, është një obligim i besimit dhe praktikës islame. Ky detyrim është i sanksionuar në Librin Hyjnor të Zotit, Kuranin, në udhëzimin Profetik dhe për të, ka një unanimitet solid, në mes të gjitha shkollave dhe interpretimeve teologjike islame, si ato tradicionale, ashtu edhe ato bashkëkohore. Aq i qartë dhe i pandryshueshëm është ky qëndrim, saqë ai konsiderohet shenjtëri e paprekshme e fesë islame, ashtu si shenjtëri të tjera të saj. Dëshmia më e mirë për këtë, është trashëgimia dhe tradita e pashkëputur e ruajtjes së kësaj shenjtërie në mesin e muslimanëve, kudo që ata kanë jetuar të lirë të ushtrojnë besimin e tyre.

Me këtë rast, ne rikonfirmojmë atë që është deklaruar edhe më parë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë se, shamia nuk është një simbol fetar, por pjesë e identitetit të besimit musliman. Për këtë arsye, kjo normë nuk lejohet të cenohet, as të tjetërsohet dhe është e panegociueshme. Kjo do të thotë se refuzimi kategorik, për të mos pranuar ndalimin e shamisë, në të gjitha institucionet arsimore publike, nuk është ekstremizëm dhe as fanatizëm fetar, por është pjesë e besimit dhe e zgjedhjes së lirë, të atyre muslimaneve që kanë vullnetin ta praktikojnë atë.

Së dyti, ne protestojmë për mënyrën diskriminuese, se si kjo çështje është trajtuar dhe vazhdon të trajtohet akoma edhe sot, nga ana e hartuesve, interpretuesve dhe zbatuesve të ligjit në këtë vend, kundrejt besimtarëve muslimanë. Megjithëse besimtarët muslimanë përbëjnë komunitetin fetar më të madh në vend, atyre tentohet t’u mohohet me ligj, një e drejtë legjitime e besimit, siç është mbajta e shamive në arsimin publik parauniversitar. E gjitha kjo, ne mendojmë se cenon barazinë shoqërore që pretendohet dhe do të penalizojë në praktikë, kryesisht vetëm një komunitet të caktuar, atë musliman. Gjithashtu, ne mendojmë se kjo gjë është e patolerueshme dhe krijon një atmosferë të tensionuar, sidomos në mes besimtarëve praktikantë dhe shtetit të tyre. Ne mendojmë po ashtu, se ndalimi i shamisë në arsimin publik parauniversitar, jo vetëm që përjashton një kategori të rëndësishme të shoqërisë shqiptare nga e drejta e arsimimit, por ai dëshmon për përjashtimin e tyre nga jeta publike.

Së treti, ne kërkojmë që kërkesa jonë për të ushtruar të drejtën e shfaqjes publike të besimit, qoftë edhe nëpërmjet veshjes, dhe njëkohësisht, për t’u arsimuar në shkollat publike, apo për të punuar në institucione të tilla, të mos trajtohen si shprehje të një ekstremizmi fetar dhe si cenim i laicitetit të shtetit, por si të drejta legjitime për t’u plotësuar nga ana e tij.