Abetare për leximin e Kuranit dhe gjuhës arabe
Falënderimet i takojnë Allahut të Madhërishëm. Përshëndetjet më të mira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi vulën e profetëve, Muhammedin a.s. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi familjen e ndershme të Profetit, mbi shokët e tij besnikë dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.
Kjo është abetarja e avancuar e Kur’anit, e përgatitur sipas një metode të re, e cila e ndihmon nxënësin të lexojë rrjedhshëm dhe të përvetësojë mirë leximin e Kur’anit për një kohë të shkurtër. Kjo abetare është një metodë e avancuar mësimi e ndarë në katër etapa.
Si fillim nxënësi mëson shkronjat arabe, lidhjet e tyre në fjali, përdorimin e zanoreve dhe leximin e fjalëve dhe fjalive të ndryshme kur’anore, duke filluar nga më të lehtat e deri tek më të vështirat. Për t’i ardhur më shumë në ndihmë lexuesit, në fjalitë dhe ajetet kur’anore është përdorur shkrimi i Mus’hafit të Medinës dhe janë sqaruar shumë vështirësi që has çdo lexues, i cili kalon nga një abetare e thjeshtë në leximin e Kur’anit.
Pas përvetësimit të leximit është shikuar si program mësimor, leximi dhe mësimi përmendësh i sureve më të shkurtra të Kur’anit, që përfshijnë gjithashtu suren Fatiha dhe ajetin Kur’si.
Pas kësaj kalohet në leximin dhe mësimin përmendësh të lutjeve më kryesore profetike, që praktikohen gjatë ditës dhe gjatë natës, duke i mundësuar kështu lexuesit të përvetësojë leximin e gjuhës arabe si dhe të përfitojë pa vështirësi lutjet e ndryshme profetike.
Së fundi janë shënuar rregullat kryesore të texhvidit, nëpërmjet të cilave lexuesi i Kur’anit do të ketë mundësi ta këndojë fjalën e Allahut, Kur’anin, në mënyrën më të mirë.