Sa rekatë ka Namazi i Teravive?

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 6 minuta lexim

namaazi-i-pare-i-teravive-9

Sa rekatë ka Namazi i Teravive?

Komisioni i Përhershëm i Fetvasë
Mbretëria e Arabisë Saudite
Fetvaja nr. 19854
V. 6 fq. 81

 

Pyetje:
Jemi mësuar të falim njëzet ditët e para të Ramazanit njëmbëdhjetë rekate, ndërsa kur futemi në dhjetë ditshin e fundit, falim dhjetë rekate në fillim të natës dhe dhjetë rekate në fund të natës, pastaj e mbyllim me tre rekate viter, pra njëzet e tre rekate gjatë gjithë natës. Njeri nga nxënësit e dijes pretendon se kjo punë – pra shtimi i rekateve – është bidat, sepse numri i rekateve duhet të jetë njësoj gjatë gjithë muajit. Nëse ti fal njëmbëdhjetë në fillim të Ramazanit, atëherë kështu vazhdo deri në fund të tij. Nëse do të falesh njëzet e tre rekate në fund të Ramazanit, atëherë fal që në fillim njëzet e tre rekate.

Pastaj ai thotë: “Gjithashtu është bidat ndarja e namazit brenda natës, duke e pakësuar namazin në fillim të natës të cilin e quani “Teravi” dhe duke e zgjatur atë në fund të natës të cilin e quani “Kijam”.

Ju lutemi hoxhë i nderuar, na jepni një përgjigje të zgjeruar, Allahu e bëfte dijen tuaj të dobishme e ju nderoftë.
Përgjigje:
Namazi i teravisë në muajin e madhëruar të Ramazanit është sunet i fortë. Atë e ka vepruar i Dërguari i Allahut (alejhi selam) bashkë me shokët e tij disa net, pastaj e la nga frika se mos bëhej e detyruar për ta. Atë e kanë vepruar gjithashtu edhe sahabet në kohën e tij dhe më pas. Kështu veprohet deri në ditët e sotme. Për sa i përket numrit të rekateve, nuk ka ardhur përcaktim për to, prandaj dhe dijetaret kanë mendime të ndryshme për të. Ka disa dijetarë që thonë se ato janë njëzet e tre rekate, ndërsa të tjerë thonë tridhjetë e gjashtë, e kush më shumë e kush me pak.

Sahabet kanë falur në kohën e Umerit njëzet e tre rekate në xhaminë e të Dërguarit të Allahut (alejhi selam). I Dërguari i Allahut nuk ka falur në Ramazan dhe as jashtë tij më shumë se njëmbëdhjetë ose trembëdhjetë rekate dhe nuk u caktoi njerëzve një numër të veçantë për Teravi apo për namazin e natës. Ai i nxiste ata për të falur namazin e natës, veçanërisht në Ramazan duke thënë: “Ai i cili përkushtohet me namaz në Ramazan, me besim dhe shpresën tek shpërblimi i Allahut, atij do ti falen të gjitha gjynahet që ka bërë” dhe nuk e përcaktoi numrin e rekateve. Kjo varet nga mënyra e faljes, ai i cili zgjatet me këndim pakëson numrin e rekateve, sikurse dhe ka vepruar i Dërguari i Allahut (alejhis selam). Ndërsa ai i cili pakëson leximin, për t’ua lehtësuar njerëzve e shton numrin e rekateve, sikurse dhe vepruan sahabet në kohën e Umerit.

Nuk ka problem nëse shtohet numri i rekateve në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit më shumë se në njëzet ditët e para të tij, duke i ndarë ato në dy pjesë, një pjesë e fal në fillim të natës të shkurtuara – Teravite, dhe pjesën tjetër të zgjatur në fund të natës.
I Dërguari i Allahut (alejhi selam) përkushtohej në dhjetë ditëshin e fundit të Ramazanit më shumë se në fillimin e tij. I Dërguari i Allahut (alejhi selam) kur hynin dhjetë netët e fundit e shtrëngonte rrobën, e gjallëronte natën dhe i zgjonte njerëzit e shtëpisë, në mënyrë që të kapnin natën e Kadrit.

Kush thotë se nuk duhet shtuar në dhjetë ditshin e fundit ka kundërshtuar udhëzimin profetik dhe ka kundërshtuar atë që kanë vepruar selefët, të cilët faleshin gjatë në fund të muajit e fund të natës.

Ajo që duhet vepruar është ndjekja e traditës profetike dhe e asaj që kanë vepruar katër kalifët e drejtë pas tij, të nxiten njerëzit për të falur namazin e teravisë dhe të natës e jo t’i largojmë njerëzit me dyshime, të cilat i ngrejnë ata që nënvleftësojnë adhurimin në Ramazan.

Shejh Ibn Baz – kryetar- Allahu e mëshiroftë
Shejh Abdul Aziz al Shejh- zëvendës kryetar
Shejh Abdullah ibn Gudejjan,
Shejh Salih el Feuzan
Shejh Bekr ebu Zejd (Allahu e meshiroftë).