Numri i parë i Revistës Kibla
Kibla është periodiku më i fundit i vënë në qarkullim si një vlerë e shtuar botimeve islame në vend. Numri i parë i revistës Kibla po del në një kohë kur jemi në pritje të muajit të Madhnueshëm të Ramazanit dhe besimtarët janë të përgatitur shpirtërisht e moralisht për të agjëruar. Redaksia e Kibles dhe Lidhja e Hoxhallarëve e kanë konceptuar revistën si një tribunë të mendimit musliman shqiptar dhe njëkohësisht e shohim si një urë bashkëpunimi me të gjithë forcat intelektuale muslimane në dobi të shoqërisë tonë. Në këtë numër të parë ne përkujtojmë edhe ngjarjet e Lidhjes së Prizrenit e figura madhore hoxhallarësh që ndikuan në historinë e Shqipërisë. Rreth 50 vite më parë do të ndalohej me ligj ushtrimi i fesë dhe fatkeqësisht për të gjithë muslimanët do të prisheshin xhamitë dhe nuk do të ushtonte më ezani nga minaret. Këto dhe tema të tjera do t’i gjeni të trajtuara në këtë numër të parë të revistës Kibla. Kibla është një revistë fetare, social-kulturore dhe edukative, e cila është në vazhdimësi të periodikut islam në trojet tona. Gjithashtu Redaksia ëshë e hapur dhe mirëpret shkrime nëpërmjet kontakteve zyrtare për numrat në vijim.
Abonimet për revistën mund të bëhen pranë zyrave të LHSH, apo duke kontaktuar me Redaksinë.