Vlera e adhurimeve në muajin Muharrem
Pyetje: Kemi dëgjuar për muajin Muharrem një hadith profetik, ku përmendet vlera e agjërimit në të më shumë se në çdo muaj tjetër. Sa e saktë është kjo gjë dhe nëse po, a vlen kjo edhe për adhurimet e tjera apo në këtë muaj ka vlerë vetëm agjërimi?
Përgjigje: Po, hadithi është i vërtetë. Bëhet fjalë për hadithin që e përcjell Ebu Hurejre ku Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është agjërimi i muajit të Allahut Muharrem dhe namazi më i mirë pas namazit farz është namazi i natës.” (Transmetoi Muslimi)
Gjithashtu Profeti përcillet dhe vlera e madhe që ka agjërimi i ditës së dhjetë të muajit Muharrem, ditës së Ashurasë, e cila është dita kur Allahu i Lartësuar shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga faraoni dhe ushtria e tij.
Nga Ebu Katade përcillet se kur e pyetën Profetin (alejhissalatu uesselam) rreth agjërimit të ditës së Ashurasë ai tha: “Ajo ditë shlyen gjynahet e një viti më parë.” (Transmetoi Muslimi)
Përveç vlerës së agjërimit që është përmendur në hadithin profetik vërejmë se aty është përmendur dhe një veçori tjetër ku muaji Muharrem është quajtur ndryshe për të thuhet “muaji i Allahut”. Siç përcillet në hadithet e sakta ky emërtim ka ardhur enkas për muajin Muharrem, çka tregon për vlerën e madhe të këtij muaji. Kjo do të thotë se në këtë muaj edhe adhurimet e tjera kanë vlerë të madhe, edhe pse në hadith është përmendur vlera e madhe e agjërimit në muajin Muharrem në raport me muajt e tjerë. Po ashtu muaji Muharrem është një nga katër muajt e shenjtë (të ndaluar) që janë: Dhul-Ka’de, Dhul-Hixheh, Muharrem dhe Rexheb, ku Allahu i Madhërishëm ka ndaluar rreptësishtë luftën dhe padrejtësitë. Kjo nuk do të thotë se armiqësia dhe padrejtësitë janë të lejuara në muajt e tjerë, por në këto katër muaj ato janë më të rënda. Duke qenë se Allahu i Lartësuar i ka madhëruar këto katër muaj, atëherë edhe adhurimet në to kanë më shumë vlerë se në muajt e tjerë.
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH