Guru-ja

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 5 minuta lexim

Dje në mbrëmje emisioni Opinion, te KlanTv, trajtoi temën “A duhet të besojmë te Guru-të?”‎

U tha e çnuk u tha aty, por ajo që dua të ndalem është se njerëzve edhe njëherë iu përçua ‎mendësia se, me që çdo kush ka të drejtë të besojë çfarë të dojë, dhe askush nuk i imponon ‎tjetrit besimin e tij, gjë që askush nuk po e vë në diskutim, atëherë na u tha, se askush nuk ‎mund ta gjykojë besimin e tjetrit, sepse kjo është zgjedhje e tij personale dhe zgjedhjet ‎personale nuk gjykohen. E reja në këtë mes ishte se te zgjedhjet personale, a thua se po flitej ‎për shije gjellësh dhe rrobash, u futën edhe këto besimet politeiste si Hinduzimi, që hyjnë për ‎herë të parë në Shqipëri. Të gjitha fetë njëlloj janë, thonë disa, dhe të gjithë te Zoti shkojmë, ‎ndaj s’ka rëndësi besimi që zgjedh! ‎

Përzierja e lirisë së besimit me vërtetësinë e një besimi, është e gabuar. Çdo kush është i lirë të ‎besoj ose jo, por kjo liri nuk do të thotë aspak se besimi duhet perceptuar si shije personale, si ‎një zgjedhje absolutisht subjektive, gjithsecili sipas dëshirës dhe tekave të tij. Kjo mendësi, e ‎vjetër tek ne, i mbyll rrugën përzgjedhjes dhe kërkimit të së vërtetës dhe e nxjerr fenë dhe ‎besimin në Zot nga të qenit një subjekt hulumtimi racional, për të arritur të vërtetat sublime që ‎njeriu kërkon në jetë, në një rendje pas emocioneve dhe shijimeve njerëzore, qofshin këto edhe ‎kontradiktore dhe joetike. Kjo mendësi barazon mes monoteizmit dhe politeizmit, mes ‎besimeve transcendente dhe atyre imanente, mes antropomorfizmit dhe abstraksionit, mes ‎magjisë dhe filozofisë etj. Të gjitha janë njëlloj sipas kësaj mendësie, kështu që e vërteta është ‎diçka subjektive dhe ajo u kufizuaka vetëm te zbulimet e shkencës! ‎

Në fakt kjo mendësi, që përfshin të vërtetën tek të gjitha fetë dhe besimet, e ka origjinën në ‎politeizëm, mes tyre edhe nga panteizmi indian, dhe tek ndikimi i tij në të gjitha kulturat e ‎tjera, mes tyre dhe tek vetë fetë me origjinë monoteiste si Judaizmi, Krishtërimi madje edhe ‎tek monoteizmi Islam. Sot kësaj mendësie absurde i fryn më së shumti postmodernizmi, i cili ‎nën ndikimin e modernitetit shekullarist, fenë dhe besimin e sheh si iracional dhe vetëm ‎subjekt të emocioneve njerëzore, jashtë çdo testi vërtetësie. Kjo sepse, për filozofinë që ‎prodhoi modernitetin në thelb Zoti nuk ekziston, dhe besimi është thjesht një sajesë njerëzore, ‎më së shumti një përrallë e bukur për të kënaqur anën irracionale njerëzore. Ky është ‎përfundimi i domosdoshëm logjik i kësaj mendësie absurde që bën bashkë të gjitha paradokset ‎dhe absurditetet e besimeve të pavërteta, duke i barazuar ato me të vërtetat, duke i futur të ‎gjitha në një thes. ‎
Kush beson dhe mendon në këtë mënyrë, në realitet nuk beson në asnjë fe edhe nëse i thotë ‎vetes musliman apo diçka tjetër. ‎

“Thuaj: “Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush u mundëson të dëgjuarit dhe të parit? ‎Kush mund të nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush i drejton ‎gjërat?”Ata do të thonë “Allahu”. E ti (o Muhamed) thuaj: “Atëherë, përse nuk e keni frikë ‎Atë?” Ky është Allahu, Zoti juaj i vërtetë. E çfarë ka pas së vërtetës, përveç humbjes? ‎Atëherë, përse largoheni?” (Kurani 10: 32-33)‎

Justinian Topulli

Kryetar i Lidhjes se Hoxhallareve te Shqiperise