Editorial
Numri i parë i revistës Kibla po del në një kohë kur jemi në pritje të muajit të Madhnueshëm të Ramazanit, por bashkë me të na duhet të përkujtojmë edhe ngjarje kombëtare me rëndësi në historinë tonë si komb, si Lidhja e Prizrenit dhe figura madhore hoxhallarësh që ndikuan në historinë e Shqipërisë.
Rreth 50 vite më parë do të ndalohej me ligj ushtrimi i fesë dhe fatkeqësisht për të gjithë muslimanët do të prisheshin xhamitë dhe nuk do të ushtonte më nga minaret ezani. Njerëzit do të duhej ta ushtronin fenë e tyre fshehtas dhe jo më në publik. Besimtarët nuk mund të faleshin e të agjëronin, as nuk mund ta uronin më njëri-tjetrin për bajram.
Lufta kundër fesë dhe zakoneve prapanike, siç u cilësuan traditat shekullore fetare do ta kthenin Shqipërinë në vendin e parë ateist në botë dhe të vetmin, ku eksperimentua me një popull të tërë. Historia nuk duhet harruar dhe nuk duhet ta lemë të fshihet qosheve.
Ndërkaq që jeta e përditshme e muajit të Ramazanit na afron më tepër me Allahun në këto ditë e netë të jashtëzakonshme për këdo nga besimtarët. Përshpirtshmëria dhe bamirësia në këto ditë sa vijnë e duhet të rriten më tepër, ndërkohë besimtarëve në këto ditë krahas dispozitave dhe vlerave shpirtërore të këtij muaji, kemi menduar t’u ofrojmë edhe disa nga dobitë shëndetësore të agjërimit, histori nga e kaluara jonë, si dhe tema sociale që kalojnë nga aspekti filozofik në atë praktik.
Roli i hoxhallarëve në orientimin e përditshëm të besimtarit nuk mund të injorohet, madje është bërë një domosdoshmëri për zbatimin e fesë, në realitetin që jetojmë.
Në faqet e revistës tonë do të gjeni fetva për probleme nga më të ndryshmet, të cilat do ta bëjnë më të prekshëm fetarisht realitetin ku jetojmë. Kibla është një projekt ambicioz, ku do të japin kontributin e tyre shumë hoxhallarë të njohur dhe pena intelektuale të lidhura ngushtë me median on line dhe sociale. Edukimi, sociologjia, kultura, këshillat madje dhe poezia do të lëvrohen në faqet e kësaj reviste, në faqet e së cilës shpresojmë që lexuesi të gjejë veten.
KIBLA, nr. 1, 2017