Me rastin e festimeve të 100 vjetorit të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë janë dekoruar një seri figurash nga fusha të ndryshme nga presidenti i Republikës Ilir Meta. Ndër to ka qenë edhe kryetari bashkisë së kryeqytetit, që priti qeverinë shqiptare të dalë nga Kongresi i Lushnjes më 1920 hoxha Ismail efendi Ndroqi. Po ashtu ndër këto figura është vlerësuar edhe ajo e patriotit të shquar tiranas Seid Seremedin Toptani. Përkujtimi dhe vlerësimi i Ismail efendiut nga institucioni i presidencës është një vlerësim i madh jo-vetëm për familjen tiranase Ndroqi, por edhe një vlerësim për figurën e një hoxhe të shquar, i cili u vu në radhën e parë të rrezikut që e kërcënonte asokohe Tiranën dhe Shqipërinë e pastabilizuar dhe të sapo dalë nga Lufta e Parë Botërore. Ismail efendi Ndroqi e merr titullin Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut për kontributin e shquar në shpalljen e Tiranës kryeqytet. Në emër të familjes Ndroqi titulli iu dorëzua nga presidenti i Republikës Ilir Meta nipit të Ismail efendiut dr. Zamir Ndroqi, edhe ky një figurë e mirënjohur e komunitetit tiranas me shërbimin e tij në fushën e mjekësisë.
Po ashtu Said Seremedin Toptanit i jepet titulli Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut me motivacionin personalitet i shquar i qytetit të Tiranës, që ka luajtur një rol të rëndësishëm në Rilindjen Kombëtare dhe kulturën shqiptare.
Gjithashtu me datën 5 shkurt 2020 në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi në qendër të Tiranës, një segment i rrugës së Barrikadave nga Partizani i Panjohur deri tek semafori, në fillim të rrugës së Dibrës do të mbajë emrin e hoxhës dhe hafizit, e kryetar i bashkisë së Tiranës, në kohën kur u vendos Shteti Indipendent Ismail efendi Ndroqi, Allahu e mëshiroftë. Hoxhë Diamant Muja ishte ai që e nxori fillimisht nga pluhuri i harresës këtë figurë poliedrike, duke e emërtuar xhaminë ku shërben ai në periferi të Tiranës me emrin e Ismail efendiut. Ai më pas i vazhdoi përpjekjet e tij në bashkëpunim edhe me trashëgimtarët e hafiz Ismail efendiut deri sa arriti, që emrin e hoxhë Ismail Ndroqit ta gdhendi përkrah emrit të sheshit të Sulejman Pashës në qendër të Tiranës në pjesën e përmendur më sipër.