Kuptimësi

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 4 minuta lexim

nga hoxhë Justinian Topulli

Në një distancë kohore të shkurtër disa mujore, u bëmë “ekspertë” të inxhinierisë dhe mjekësisë, por kemi ngelur akoma të pavëmendshëm ndaj asaj që është më e rëndësishme në jetën tonë. Tërmetet menduam se na bën “ekspertë” të sizmologjisë, pandemia “ekspertë” të virologjisë, e ndoshta nesër -mos e dhëntë Zoti- “ekspertë” të ndonjë fatkeqësie që shpjegohet nga një tjetër disipline shkencore. Mirëpo njerëzit përveç se është e nevojshme të mësojnë sesi ndodhin këto ngjarje, për të ditur sesi të përballen me to, është e domosdoshme të zbulojnë kuptimin tyre, arsyen përse ato ndodhin. Të përhumbur në vargun e pafund të shpjegimeve mekanike shkak-pasojë, që epoka moderne imponon, njerëzit harrojnë se motivi që na shtyn t’i njohim ato është pikërisht nevoja për të njohur botën dhe kuptimin e jetës në të. Është pikërisht kuptimi i jetës sonë ai që na mban gjallë, edhe pse ne shpesh e harrojmë këtë, është pikërisht kuptimi ai që na motivon në çdo përpjekje të jetës, edhe pse jo rrallë herë ne e injorojmë atë, është pikërisht kjo nevojë që i jep kuptim vuajtjeve dhe kënaqësive tona dhe në fund është vetë misteri i jetës, nga i cili njerëzit tentojnë dështueshëm të ikin.
Njeriu është qenie që e ka në natyrën e tij të lindur tu jap kuptim gjërave. A nuk keni vënë re sesi fëmijët me një lehtësi të habitshme u japin kuptim çdo gjëje, aq sa për të rriturit shpesh ato duken absurde? A keni harruar se si fëmijët, ashtu si çdo njëri prej nesh dikur, pyesin pa pushim përse ndodh kjo e ajo, kush e bëri këtë e atë…? Edhe kur rritemi, në themel dhe thellësi të shpirtit tonë ne kemi po të njëjtat pyetje, të cilat edukimi dhe mjedisi laik ua ka venitur prezencën.
Etja e papërballueshme për kuptimësi është themeli i çdo shkence, sepse është vetë etja për burimin e ujit të jetës. E jeta është një mrekulli kaq e madhe, sa mahnitjen pas saj nuk e përballon dot asnjë shpirt njerëzor, mirëpo pikërisht për këtë arsye shumica jonë e mbulon me injorim këtë fakt kokëfortë, duke u zhytur pandërprerë në rutinën fizike të jetës së përditshme apo duke rendur pafundësisht pas shpjegimeve shkak-pasojë që shkenca e sotme ofron. Njerëzit mundohen t’i ikin vazhdimisht kësaj nevoje dhe pyetje sfilitëse për shpirtin, por nuk do të mund kurrë të ndahen prej saj.
Tërmetet, pandemitë, e për më tepër lindjet dhe vdekjet e përditshme do të jenë përherë këtu, për të na kujtuar dhe shkundur pikërisht për këtë nevojë shpirtërore që kërkon të përmbushet.
O njerëz! Jepini kuptim jetës, duke gjetur burimin e saj, dhe do të ndiheni të lehtësuar dhe shumë herë më të ndërgjegjshëm se si ta jetoni atë.

P.s. Këto ditë karantine kur ka kohë me tepricë, janë momentet më të favorshme për të reflektuar për kuptimin dhe burimin e jetës. Mos e çoni kohën dhe jetën tuaj dëm për pak kohë meditim.