Këshillë nga hoxhë Neki Kaloshi
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit dhe Mëshirëbërësit!
Të nderuar besimtarë e besimtare!
Vëllezër e motra!
Në gjendjen në të cilën ndodhemi, nën efektet e pandemisë së COVID-19-s, nevojitet që secili prej nesh të reflektojë mbi domosdoshmërinë e pastrimit në çdo kuptim të fjalës.
Krijuesi i Gjithësisë i ka dhënë një rëndësi të veçantë pastrimit shpirtëror, moral dhe fizik, të njeriut, në këtë botë sprovash. Allahu i Lartësuar na thotë në Kur’anin Famëlartë se i do ata që pastrohen shpesh, si në suren et-Tevbe, ajeti 108. Ky kapitull titullohet Pendimi (që përmbledh pastrimin shpirtëror e moral). Krijuesi ynë na thotë shprehimisht në kapitullin e tryezës së ushqimit: “O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin (për të m’u lutur Mua), lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, fërkoni kokën dhe këmbët i lani deri në nyja. Nëse jeni xhunub, atëherë pastrohuni (lani të gjithë trupin).” Gjithashtu, Zoti ynë fuqiplotë na thotë në një kapitull tjetër: “Madhëroje Zotin tënd! Dhe pastroji rrobat e tua. Dhe largohu prej së keqes së ndyrë.” Pra, pastrimin e rrobave e ka vendosur në një kontekst të madhërimit të Krijuesit dhe të largimit nga të gjitha vetitë e këqija njerëzore.
Në të njëjtën kohë, Krijuesi ynë, që di gjithçka, na fton ta mbajmë sa më pastër ambientin, të përpiqemi ta pastrojmë sa më mirë, duke nisur nga Qabeja e Shenjtë, kur thotë, “Pastroje shtëpinë Time për ata që e vizitojnë (bëjnë tavaf), që qëndrojnë në këmbë duke u falur, duke u përkulur, dhe që bëjnë sexhde.”
Të nderuar besimtarë e besimtare!
Vëllezër e motra!
Le të shërbejë kjo kohë për pastrimin e shpirtrave tanë nga çdo dashakeqësi e ushqyer ndër vite. Le t’i lajmë duart me ujë sa më shpesh të jetë e mundur, për të qenë të pastra fizikisht, por të kujdesemi po ashtu të mos prekim me to asgjë që nuk është e jona, asgjë që nuk na takon! Ta lajmë fytyrën tonë, por njëkohësisht të kujdesemi të mos e bëjmë pis me sjellje të shëmtuara. T’i lajmë këmbët e të kujdesemi që të mos ecim me to për t’i bërë keq ndokujt. Ta lajmë gojën, ta pastrojmë gjuhën veçanërisht. Dhe jo vetëm me ujë, siç bën sot shumica prej nesh nga frika e koronavirusit, dhe jo vetëm tani, por ngaherë, si nga papastërtitë e dukshme dhe të padukshme, lëndore dhe jo ashtu. Të mendohemi para se të flasim, e kur ta nxjerrim fjalën nga goja të jemi të kujdesshëm që ajo të jetë e mirë, e pastër, e bukur dhe e dobishme. O të flasim fjalë të mira, o të heshtim, sipas një porosie profetike.
Uroj që kjo gjendje të mos zgjasë shumë e të ketë sa më pak pasoja. Shpresoj që ajo të shërbejë për të reflektuar e për të nxjerrë mësime, me ndikim në kthjellimin e mendjes sonë.
Në mbyllje të çka thashë më sipër, buruar nga zemra dhe mirëdashja për besimtarët dhe bashkëkombasit e mi, i lutem Krijuesit të gjithësisë të na ketë nën kujdesin e Tij dhe të na mbrojë nga kjo pandemi!