Roald A. HYSA
Fundi i vitit 1990 dhe fillim viti i vitit 1991 ka qenë një periudhë e shpejtë dhe e stuhishme ndryshimesh politike e shoqërore të shumëpritura nga populli shqiptar. Ndryshimet nuk qenë aq të lehta sa mund të mendohen dhe nga dëshmitë e ndryshme të asaj kohe marrim vesh, se ishte një zhvillim i madh, që Shqiptarët e vranë frikën dhe e detyruan regjimin monist të lejojë hapjen e faltoreve të Zotit, duke i dhënë fund një errësire dhe propagande ateiste kundër fesë 50-vjeçare. Marrëzia njerëzore e prirur nga mosbesimi dëmtoi rëndë shpirtin e kombit dhe njerëzit gjatë atij izolimi të tmerrshëm e kishin humbur busullën e një jete, ashtu si e kërkon logjika e pastër me besim te Zoti dhe sipas asaj që urdhëron Kurani Famëlartë dhe i Dërguari i Zotit, paqja e Zotit qoftë mbit të.
Nga dhjetori i vitit 1990 e deri në dhjetorin e vitit 1991 rifilloi edhe një herë hapja përsëri nga Elbasani, Shkodra, Tirana, Durrësi e Kavaja e xhamive kryesore për t’u falur lirisht e për të kryer publikisht faljet e ceremonitë e tjera fetare. Populli i etur për fenë e Zotit i përkrahu gjerësisht nismëtarët e rihapjes së xhamive, duke i risjellë edhe një herë në dritë këto shtëpi të shenjta të Zotit. Pjesëmarrja qytetare në Shkodër dhe Tiranë që vërehet nga fotot dhe videot e asaj kohe e pohon dëshirën e madhe të njerëzve për të marrë pjesë dhe për t’iu falur Zotit në këto xhuma të bekuara. Më 18 janar 1991, pas afro tre dekadash ndalimi të besimit në Shqipëri, në Tiranë do të rihapej xhamia e Ethem Beut, nga një grup nismëtarësh si: Xhavit e Iljaz Alimehmeti, Ramazan Rusheku, Ibrahim Balla, Mehmet Sinella, Fadil Subashi, etj.
Tirana
Në këtë reportazh kemi kontaktuar me disa nga protagonistët e atyre ditëve të vështira të rigjallërimit të fesë islame në Tiranë, Shkodër, Elbasan e gjetkë. Po e nisim me mësuesin e Medresesë së Tiranës Agim Bardhin, me të cilin patëm një bisedë të gjatë rreth atij janari të vitit 1991. Ai me shumë mall kujton kohën kur ka shërbyer në Medresenë e Tiranës si mësues historie dhe me shumë krenari na tregon, se në ato 20 vite shërbim në Medrese ai ka kaluar rreth 3,000 nxënës. Mirëpo përpara se të fillonte shërbimin e tij në Medrese, ai na tregon se ka shërbyer në arsim më herët për 30 vite rresht në fshatrat e Tiranës. Regjimi monist e nxorri në pension në dhjetorin e vitit 1990, mirëpo në ditët e para të Janarit 1991 profesor Gimi, ashtu siç e njohin të gjithë do të angazhohej së bashku me një grup figurash tiranasish të nderuar në rigjallërimin e fesë islame në Tiranë.
Kur ne e pyesim se kush kanë qenë emrat e këtyre figurave ai fillon të na i rreshtojë një nga një: -dr. Shefqet Ndroqi, dr. Qazim Bakalli, Ramazan Rusheku, Muharrem Dashi, Ibrahim Balla, Bardhyl Fico, Sali Tivari, Kujtim Gjinishi, Xhemal Balla etj.
E premtja e 18 janarit 1991 ka qenë një ditë e jashtëzakonshme për pedagogun e nderuar Agim Bardhi, i cili ka qenë në grupin nismëtar për rihapjen e Xhamisë së Et’hem Beut dhe më pas në marrjen në dorëzim edhe të Xhamisë së Kokonozëve në Pazarin e Ri. Ai tregon, se rreth 50,000 vetë morën pjesë atë ditë xhumaje në ceremoninë hapëse. Madje Llambi Gegprifti (kryetar i Komitetit Ekzekutiv asokohe) kishte sjellë në sheshin para xhamisë 50 autobuzë, të cilët sapo të niste ceremonia do t’i binin borive për ta prishur faljen. Por asnjë nga shoferët nuk i ra borisë, dhe nuk iu bindën urdhrit. I gjithë populli i kryeqytetit vërshoi në shesh dhe ka qenë një ditë e jashtëzakonshme. Ne e morëm vesh që kishin marrë urdhër shoferët nga Llambi Gegprifti t’i binin borive dhe shkuam e u takuam me Bahri Agovikun kryetarin e sindikatës së shoferëve, që na ndihmoi shumë. Gjithashtu patëm edhe mbështetjen e Galip Kallajxhiut të Partisë Demokratike, i cili na mbështeti pa kursim në përpjekjet tona për atë ditë, kur u hap xhamia e Et’hem beut. Ajo ishte një fitore e madhe, që çdo gjë shkoi mirë atë ditë dhe pas një muaji me shumë mundime e përpjekje morëm edhe xhaminë e Kokonozëve në Pazar të Ri. As rrugë me kalu nuk donin të na linin aty te Pazari, mezi e kemi marrë, dhe aty te xhamia e Kokonozëve ndamë në disa hapësira që të fillonte mësimi i Medresesë. Kena vujt shumë në atë fillim- tregon profesor Gimi. –Me tonelata duhan kemi heq nga xhamia e Kokonozit se në kohën e komunizmit e kishin kthyer në depo duhani. E pastruam dhe aty te xhamia e Kokonozit ka filluar edhe Medreseja e Tiranës që ishte mbyll aty në vitet 1960; viti 1964.
-Si qëndron puna, kur në dhjetor 1990 ishin hapur ndërkohë xhamia e Plumbit në Shkodër dhe xhamia e Nazireshës në Elbasan?- e pyesim profesor Gimin.
-Po ishin hap, po kush e mori vesh… dy gazeta ishin asikohe, Zëri i Popullit dhe Bashkimi, që ishin të qeverisë. Asnjë nuk e mori vesh, se ato nuk shkruanin gjë. Ditën e 18 janarit ishin 50,000 njerëz në shesh, e morën vesh të gjithë. Aty te xhamia e Kokonozit i bëmë përgatitjet dhe krijuam ambientet për klasat e Medresesë. Kemi punuar të gjithë mësuesit aty, mblodhëm bankat e klasave, tabelat e zeza për të bërë mësim, në të gjithë shkollat e Tiranës shkuam e i morëm. Ja ai Faik Kasollja me atë trupin e vogël i ka mbajtë në krahë bankat e klasës. Me shumë sakrifica Medreseja e Tiranës e nisi me të gjitha në rregull mësimin më 1 shtator 1991. Shumë shpejt Medreseja u bë shkolla më e mirë në Tiranë, madje ka pasur edhe të krishterë që kanë mësuar në Medrese.
– A mund të na thuash emrat e pedagogëve të Medresesë?
– Medreseja ka pasur Ibrahim Ballën për drejtor, por punën më shumë e ka bërë Xhemal Balla, pastaj kam qenë unë (Agim Bardhi), Hekuran Balliu, Rrahman Balla (Kuran), Shaqir Isufi (gjeografi), Faik Kasollja (histori-gjeografi), Agron Babamusta (matematikë), Semi Hoxha, Hektor Protopapa, Burhan Dollani (letërsi) etj., dhe ky staf i Medresesë ka qenë shumë i përkushtuar. Nga viti 1991 e deri më 1994 kemi punuar të gjithë pa pagesë. Në vitin 1994 arritëm të marrim një pjesë të godinës së Medresesë ku është sot, dhe aty vazhdoi edhe për pak kohë të ishte fakulteti i stomatologjisë me klinikat e dhëmbëve. Medreseja në ato vite u forcua dhe ishte një nga shkollat e mesme më të mira në Tiranë. Ato 20 vjet që kam shërbyer në Medrese janë vitet më të bukura gjatë gjithë jetës time që kam punuar si arsimtar.
Pra, hapja e Xhamisë së Et’hem beut daton rifillimin e jetës fetare dhe shpirtërore në Tiranë e më pas rihapja e Xhamisë së Kokonozëve në Pazar të Ri do t’i jepte një dimension të ri përpjekjeve për rigjallërimin e Islamit në Tiranë e e më gjerë. Siç e pohon edhe mësuesi i nderuar Agim Bardhi në ambientet e kësaj xhamie fillimisht u vendos Medreseja e Tiranës dhe të gjitha takimet e para për rithemelimin dhe mbarëvajtjen fillimisht të Komunitetit Mysliman u bënë po në këto ambiente. Me gjithë vështirësitë që hasën si stafi i Medresesë po ashtu edhe stafi i KMSH-së rigjallërimi i fesë hodhi hapat e para pikërisht në këtë xhami, po ashtu edhe shumë hoxhallarë të sotëm janë edukuar pranë kësaj Medreseje.