Rukne dhe kuptimi i saj…
nga Florian Leli
Fjala arabe “rukn” (رُكن) nënkupton qoshen apo këndin e diçkaje, zakonisht këndin e shtëpisë. Po përse dijetarët i kanë quajtur çështjet kryesore të imanit dhe të islamit rukne, pra qoshe të islamit? Ruknet e imanit në shqip përshten rëndom me togfjalëshin “shtylla të imanit”, ndërkohë që fjala “rukn” në arabisht nuk përdoret me kuptimin e fjalës shtyllë?
Për t’ju përgjigjur një pyetje të tillë është e nevojshme të njohim civilizimin e asaj kohe dhe teknikat e hershme të ndërtimit. Në kohët e hershme shtëpitë ndërtoheshin kryesisht me qerpiç dhe me gurë. Qoshja, apo këndi ku takoheshin dy mure përforcohej me gurë të zgjedhur, të fortë dhe të rëndë. Këto qoshe të përforcuara, që ishte ruknet e shtëpisë, mbanin peshën dhe forconin muret të mos lëviznin. Sa më e fortë të ishte qoshja aq më e fortë ishte shtëpia. Muri edhe mund të dëmtohej dhe të meremetohej, po rrëzimi i qoshes së murit nënkuptonte rrënimin e dhomës apo të tërë shtëpisë.
Pra qoshja, në ndërtimet e dikurshme, kishte funksionin kryesor në mbajtjen e ndërtesës, pa të cilën ndërtesa rrënohej. Nisur nga ky raport dhe kjo lidhje mes mbajtjes dhe rrënimit, fukahatë në veçanti dhe dijetarët në përgjithësi e huazuan këtë fjalë në terminologjinë e tyre, për të shprehur atë pjesë përbërëse të një adhurimi, kontrate, ndërmarrjeje apo veprimi, pa përmbushjen e të cilës ato gjëra bien dhe rrëzohen. Pra me rrëzimin dhe mospërmbushjen e një rukni ai adhurim apo veprim konsiderohet i pasaktë dhe i pavlerë (batil).
Termin “rukën” do ta hasim në çdo kapitull të fikhut. Kështu kemi ruknet e namazit, ruknet e agjërimit dhe të haxhit, ruknet e shitjes, ruknet e nikahut, etj.
Në shqip përshtatet me fjalën shtyllë. Më shumë se një përkthim fjalë për fjalë është një përshtatje kuptimore, bazuar në teknologjinë e kohës; sepse një folës bashkëkohor raportin mes mbështetjes dhe rrënimit, mbajtjes dhe rrëzimit, e kupton me fjalën shtyllë dhe jo me fjalët kënd dhe qoshe dhe pikërisht kjo është ajo që dijetarët kanë dashur të shprehin me këtë term dhe Allahu është më i ditur.