Tashmë Kibla është kthyer në një media serioze dhe e vlerësuar nga lexuesi për rubrikat dhe përmbajtjen e pasur të shkrimeve që ka në çdo numër, ku edhe ky i fundit i vënë në qarkullim dallohet për dizajnin dhe shkrimet e larmishme historiko-studimore mbi Palestinën. Në këto shkrime përfshihen vlerat e vendeve të shenjta si Xhamia Aksa, histori mbi Palestinën si dhe posaçërisht janë edhe dy fermane të lëshuara nga hazreti Omeri Allahu qoftë i kënaqur me të për Kudsin dhe patriarkun e krishterë Sofronin. Këto dy fermane kanë qenë më pas baza ku janë mbështetur të gjithë juristët islamë për të mirëmbajtur dhe vendosur harmoninë midis popullatës së krishterë dhe të drejtave të tyre të jetës së përditshme në vendet e ndryshme muslimane. Në numrin 17 të revistës do të gjeni edhe dy studime të mirëfillta mbi historiografinë palestineze si dhe mbi vetitë juridiko-historike të së Drejtës Ndërkombëtare Islame.
Po ashtu do të gjeni edhe rubrikat e zakonshme me fetvatë e fundit të nxjerra nga Komisioni i Fetvasë pranë LHSH-së, përshpirtjet dhe këshillat e ndryshme aq të nevojshme për besimtarët. Ky është numri i 17 në radhë për revistën Kibla dhe i treti për vitin 2021.