Ndërron jetë dijetari i shquar Muamer Efendi Zukorliq

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 2 minuta lexim

Me shumë hidhërim morëm lajmin e largimit nga kjo botë e përkohshme të myftiut të Sanxhakut Muamer Efendi Zukorliqit, i cili na preku shumë. Largimi i papritur i tij është me të vërtetë një humbje e madhe për Bashkësinë Islame të Serbisë dhe për të gjithë popullsinë muslimane atje për të cilën ai u përpoq deri në çastin e fundit kur ia dorëzoi shpirtin Allahut të Madhëruar. Puna dhe përpjekjet e tij si dijetar dhe politikan kanë lënë gjurmë të thella dhe kanë qenë dobiprurëse për Bashkësinë Islame të Serbisë dhe për Sanxhakun. Gjithashtu me punën dhe përpjekjet e tij ai u kthye në një model suksesi për të gjithë liderat dhe hoxhallarët e Ballkanit, të cilët do të jenë të parët që do ta ndjejnë mungesën e tij. Edhe ne si Lidhja e Hoxhallarëve e Shqipërisë shikonim tek Muamer Efendi Zukorliqi modelin e një hoxhe të suksesshëm dhe sesi përpjekjet e parreshtura të tij sillnin rezultatet e dëshiruara të një pune të sinqertë në dobi të bashkësisë muslimane. Me largimin e një dijetari nga kjo botë ngrihet dhe largohet edhe dija e tij, e për këtë kjo është një humbje e madhe për të gjithë muslimanët e Ballkanit.

Me rastin e largimit nga kjo botë të Muamer Efendi Zukorliqit e lusim Allahun e Madhëruar ta ketë falur, ta ketë mëshiruar e ta bashkojë në Xhenetet e larta me burrat e mirë dhe të ndershëm, me Profetin tonë alejhi selam, sahabet e Tij dhe dijetarët e umetit. Njëkohësisht i përcjellim ngushëllimet tona të ndjera familjes së Muamer Efendiut, Bashkësisë Islame të Serbisë dhe të gjithë muslimanëve atje për këtë humbje të madhe.