KRIPTOMYSLIMANI MUSTAFA NANO

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 12 minuta lexim
KRIPTOMYSLIMANI MUSTAFA NANO
nga Gentjan FEJZULLAJ
Siç dihet, pas viteve nëntëdhjetë, demokratizimi i vendit tonë u shoqërua me rikthimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, një pjesë e konsiderueshme e të cilave ishin mohuar, madje me ligj nga sistemi totalitar i kohës.
Kështu shumë njerëz filluan ta gjenin apo rigjenin veten në forma të ndryshme e të larmishme. Njerëz të guximshëm e me vizion përveshën mëngët në politikë, biznes e në fusha të tjera, ku mendonin se do t’ia dilnin apo këmbëngulnin të ndërtonin karrierën me kapacitetet e tyre intelektuale. Shumë syresh vazhduan rrugën e shkëputur të besimit në Zot, kryesisht secili sipas përkatësisë së tij religjioze, ndërkohë që të tjerë e shkelën rishtazi këtë udhë.
Sigurisht që elementi religjioz ngjalli debat, kërshëri, simpati e herë-herë urrejtje gjatë viteve në vijim, paralelisht me demonstrimin e riteve dhe simboleve fetare në hapësirat publike. Kjo ndoshta për faktin se po rishfaqej një dukuri e ndaluar, e cila ishte përbaltur gjatë regjimit të kaluar, sidomos për të shuar lidhjen me religjionin dhe përqafimin e një kulti tjetër, atë të udhëheqësit tonë të lavdishëm, që nuk e zinte gjumi për hallet e gjindjes së katundit-kështjellë buzë Adriatikut.
Përgjithësisht debatet mbi religjionin rridhnin si pasojë e disa mentaliteteve të rrënjosura, kureshtja për të shkuar përtej së dukshmes e aty-këtu për të nxjerrë në pah njëfarë dominimi të kulturave dhe trashëgimisë fetare në vend. Debate të tilla nisën të kristalizohen aty nga fundi i viteve nëntëdhjetë, ku dhe zëri intelektual islam në vend po shkëputej nga faza e belbëzimit.
Ndonëse ky debat a trajtesë zhvillohej në vendin tonë të vogël bashkëshoqëruar me probleme sociale të stërmëdha, ai ushqehej kryesisht nga jashtë nga aktualiteti dhe ngjarjet e bujshme që importoheshin nga vende të ndryshme të globit, të etiketuara shpeshherë si “vende islamike” apo “perëndimore”, ku nënkuptohej bota e krishterë, në mënyrë të veçantë ajo që i përkiste dogmës katolike.
“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” ishte një klithmë që buronte nga shpirtrat e përvujatur të etur për liri, të drejta, ekonomi etj. Ky slogan u përdor nga politika dhe elita intelektuale e kohës dhe vazhdon të përdoret edhe sot për t ‘i dhënë një kah të caktuar vendit drejt Perëndimit, kryesisht për motive ekonomike, por edhe për çështje të tjera sociale pa taban në vend duke i imponuar dhe promovuar ethshëm.
Bash këtu nis dhe një përplasje idesh mes zërave myslimanë më së shumti dhe atyre të religjioneve të tjera me elitat intelektuale opinionbërëse me hapësira mediatike e më gjerë. Shumë prej këtyre intelektualëve bënë kameleonin dhe nisën të ecnin sipas trendit të ri, duke kuptuar më së miri dinamikën e re aktuale. Një pjesë e tyre që ishin në shërbim të pushtetit të mëparshëm, për arsye karriere dhe jo vetëm, u kthyen në evropianistë e liberalë të thekur. Të tjerë, pavarësisht përkatësisë religjioze familjare, nuhatën katolicizmin si katalizator për të ecur përpara e bërë hajër.
Ndërkohë që pati dhe nga ata që kishin qenë ateistë dhe vazhduan të ruanin bindjet e tyre, edhe pse ateizmi vitet e fundit nuk ka qenë trend i kohës dhe është në minorancë në një epokë që valët e globalizmit dhe neoliberalizmit nuk kanë të reshtur. Madje këto lloj valësh kanë kanë kohë që tentojnë të krijojnë edhe konturet e religjionit dhe ia kanë dalë deri diku, sidomos në Perëndim.
Tek kategoria e ateistëve është vetëdeklaruar dhe personazhi i këtij shkrimi, Mustafa Nano, tek i cili mishërohet karakteri shoqëror polemizues kontravers, ithtar i fjalës së lirë. Njihet për qëndrimet e tij individualiste, si kritizer që i sheh dukuritë me sytë mbi lupë. Të shpeshta dhe koherente kanë qenë qëndrimet dhe pozicionimet e tij në lidhje me tematika të ndryshme të religjionit islam. Debatet dhe hipotezat e Muçit, siç parapëlqen ta thërrasin, kanë vënë në lëvizje eruditë të religjionit të shfletojnë literaturë për t’u thelluar apo të shohin ripozicionimin e tyre në çështje të caktuara, parë nën këndvështrimin lokal e aktual.
Në mesin e myslimanëve praktikantë ekziston pothuajse një qëndrim unanim se Muçi është një blasfemik i pagdhendur.
Ndërsa personalisht e shoh krejt ndryshe. Gjykoj se devocioni religjioz unik i Mustafait i ka thyer çengelët e pikëpyetjeve e hamendësimeve rreth kauzës islame, duke lënë vetëm pikat, madje dhe ato janë vendosur simetrikisht mbi “i”. Kjo vërehet jo lehtësisht nëpërmjet qasjeve të tij indoktrinuese.
Shumëkush që ka pasur durimin dhe ka lexuar pragrafin e mësipërm duke rrokur domethënien e tij, do të stepet duke më thënë: “Ja ke fut kot plako!” Ndoshta edhe kjo mund të jetë.
Për ata që nuk e dinë, emri “Mustafa” vjen nga gjuha arabe dhe do të thotë “i përzgjedhur”, është një nga emrat me të cilët është thirrur profeti Muhamed.
Por z. Nano nuk mund ta mbante peshën e rëndë të këtij emri, ndaj zgjodhi ta krasiste pak e ta bënte “Muç”, madje për ta evropianizuar paksa e ka bërë “Much”. Ndërsa një pjesë e të rinjve besimtarë, të rrëmbyer nga stuhia rinore, për bela ia ndryshojnë sërish bashkëtingëlloren e fundit.
Emisioni aktual që ai moderon në televizionin MCN quhet “Arnautistan” dhe sigurisht që ai e di domethënien etimologjike të këtij emërtimi, që shkurtimisht do të thotë “vend i shqiptarëve”. Në fakt fjala “arnaut”, që u referohet shqiptarëve, ka një domethënie tjetër që lidhet me vendosmërinë, këmbënguljen dhe kokëfortësinë e shqiptarëve, po kjo është një temë tjetër. Për ata që nuk e dinë, termi “arnaut” është përdorur për herë të parë gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, ndërkohë që vazhdon të përdoret edhe aktualisht në Turqi. Megjithatë, shqiptarë me mbiemrin “Arnaut” hasim edhe sot pothuajse në të gjithat vendet e Lindjes së Mesme. Në këtë kontekst “Arnautistan” mund të nënkuptohet “toka e shqiptarëve myslimanë”.
Por Shejh Mustafai nuk stepet këtu. Gjithnjë e më tepër ai po promovon intelektualë myslimanë të rinj të shkolluar të shpalosin idetë dhe vizionin e tyre bazuar në kulturën religjioze islame, madje duke trajtuar edhe tematika të ditës për një audience edhe më të gjerë. Kjo realizohet mjeshtërisht me tepër delikatesë me anë të provokimit e kërshërisë, madje dhe përmes trajtimit të temave të konisderuara tabu nga një pjesë e konsideruesheme e vetë myslimanëve.
Nëse Mustafai do të kishte aq fobi nga Islami, ai kurrsesi nuk do ta përmendte kaq shpesh atë. Është i njohur fakti se kur dikush dëshiron dhe dashuron diçka, këmbëngul të jetë pranë saj, e kujton shpesh dhe përvëlohet nga ashku për të. Ai e ka përsiatur faktin se të jesh ateist ka diçka që nuk shkon; ka një boshllëk të dendur që nuk të lë të frymosh. Ai shprehet publikisht se njeriu, si një qenie e dobët, ka nevojë të kapet pas diçkaje, të mbështetet diku, ka nevojë për transcendentalen.
Flitet se miq e të afërm të Muçit kanë përqafuar fenë islame, si një rrugëtim të tyre në udhën e jetës. Kjo situatë, aq sa e ka impresionuar, e ka bërë të shtrydhë mendimet e furishme e të reflektojë, të gëlojë e të zbehet, të ulërasë e të heshtë. Por përherë duke mbetur unik në atë që ai përfaqëson.
Përveç faktit, si një dashnor i zjarrtë i fjalës dhe mendimit të pavesuar, Muçi duket sikur ka dhe një revoltë të brendshme, që shpërthen kundër disa veseve si: servilizmi, hipokrizia apo disa fenomene të tjera sociale, të cilat vetë ai i etiketon si të papërshtatshme, demode a të stisura.
Ndoshta është i rebeluar dhe me të shkuarën për oportunitetet e humbura teksa rropatej gërxheve të Skraparit, sikurse shumica e bashkëmoshatarëve të tij. Ndoshta me ymrin që ecën ngadalë pa e kthyer kokën pas, teksa pikas adoleshentë që shkëmbejnë puthje të zjarrta a lozin hareshëm. Megjithatë, ai i sfidon të gjithë dhe gjithçka. Duket sikur nuk dorëzohet dhe kërkon të kapë ç’i ka mbetë. I keni parë pantallonat e tij të kuqe apo xhinset gjunjëgrisura? Ai dëshiron të jetë aty në vëmendjen e audiencës dhe bash aty është, pavarësisht opinioneve dhe mendimeve për të.
Shembuj te kamuflimit doktrinor ka njohur përherë historia, kryesisht prej fobisë nga maxhoranca dominuese, por nuk mungojnë rastet që një fenomen i tillë është mbështjellë nën petkun e objektivave afatgjata. Në librat e shenjtë përmendet një besimtar që qëndronte në mesin e familjarëve të Faraonit në Egjiptin e lashtë në kohën e Moisiut. Ai dergjej dhe nuk e shprehte haptas besimin e tij, se druhej prej tiranit mizor që e kishte shpallur veten zot. Ndërsa Muçi ynë, me qasjen e tij, duket sikur këtë e ka zgjedhje, strategji, gjetje a ku ta di unë. Ai ka një kontribut të qenësishëm si një ndër pionierët më në zë të zgjimit të debatit fetar islam në vend dhe më gjerë në hapësirat shqipfolëse. Njëherazi ai është dhe ndër antagonistët më të zjarrtë të frymës religjioze dhe asaj islame në veçanti… This is (too) Much!