Ndjekja e imamit në namazin e e teravive
Pyetje:
Selam Alejkum, hadithet qe flasin per pasimin e imamit ne namaz a kan per qellim vetem pasimin e imamit gjate namazit dmth veprimet qe ai kryen apo kan per qellim edhe … p.sh. namazin e taravive dikush e fal 20 rekate e dikush 8. Nese imami i fal 20 rekate a quhet mospasim i imamit nese dikush i fal 8? (A ka hadithe te tilla per kete gje?)
A konsiderohet mospasim i imamit nese imami gjate namazit nuk i ngrit duart kur bie ne ruku ose kur ngritet kurse dikush i ngrit dhe gjera te ngjashme?
Allahu ju shperbleft me t’mira!
Pergjigje:
Me emrin e Allahut. Salevatet qofshin për Profetin tonë.
Hadithi kryesor qe flet për këtë temë është hadithi i Ebu Hurejres që e përcjell Buhariu (nr. 734) dhe Muslimi (nr. 414) ku Profeti (alejihissalatu uesselam) thotë: “Vërtetë, imami është bërë që të ndiqet në namaz.” Kjo do të thotë që ai duhet të ndiqet në strukturën e përgjithshme të namazit, siç na mëson vetë vijimi i hadithit, ku thuhet: “Kur imami thotë: “Allahu ekber” Edhe ju thoni ashtu. Kur imami bie në ruku, bini dhe ju, e kur të bjerë në sexhde, shkoni dhe ju pas tij…” Kuptimi i gjithë kësaj është se imami duhet të ndiqet në strukturën e namazit, duke mos i bërë veprimet para tij. Këtë na e provojnë edhe transmetime të tjera te Nesaiu, Ibn ebi Shejbe, Bejhekiu etj, ku Profeti (alejhissalatu uesselam) e ka vijuar hadithin duke thënë: “sepse, është imami ai që duhet të bjerë në sexhde para jush dhe duhet të ngrihet para jush.” Kjo gjithashtu sqarohet edhe nga Imam Maliku, i cili pasi e transmeton këtë hadith në Muvattan e tij, menjëherë na përcjell fjalën e Ebu Hurejres, i cili thotë: “Koka e atij që e ngre dhe e ul kokën para imamit, është në dorë të shejtanit.”
Pra, nga e gjithë kjo mund të themi se, nëse imami lë sunete të ndryshme gjatë namazit, bie fjala, nuk i ngre duart në tekbirin para dhe pas rukusë ose nuk e ngre gishtin në teshehud etj, nuk duhet ndjekur dhe pasuar në këto veprime të tij, por çdo njeri duhet t’i zbatoje ato sunete më vete. Po ashtu, siç shihet hadithi i Ebu Hurejrës nuk ka për qëllim ndjekjen e imamit në numrin e rekateve gjatë namazit të teravive, sepse hadithi ka ardhur për të shpjeguar diçka tjetër. Kurse, për sa i përket namazit të teravive, mund të përmendim një hadith tjetër, që e përcjell Tirmidhiu (nr. 806) dhe Ebu Davudi (nr. 1375) ku Profeti (alejhissalatu uesselam) thotë: “Kush falet bashkë me imamin derisa ai të përfundojë, do të shpërblehet si të ishte falur gjithë natën.” Ky hadith tregon qartë se, është e pëlqyeshme dhe jo e detyrueshme të falesh pas imamit në namazin e teravive. Pra çdo kush mund të shkëputet nga namazi kur të dojë dhe s’ka asnjë ndalesëpër këtë gjë edhe pse më e pëlqyeshme është ajo që përmendëm.
Allahu e di më së miri!
Komisioni i pyetje & përgjigjeve pranë LHSH