H. Neki Kaloshi
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
“O ju që keni besuar! Agjërimi ju është bërë obligim ashtu siç ka qenë obligim për ata para jush, me shpresë se do të bëheni më të devotshëm.” Ky ajet Kuranor i zbriti Muhamedit s.a.v.s. për ta njoftuar mbi shtyllën e katërt të Islamit. Iu bë me dije kështu Profetit, shokëve të tij, e të gjithë pasuesve që do të ndjekin rrugën e tij, se adhurimi i Krijuesit me anë të ritualit të agjërimit nuk është specifik për umetin e tij, por se ky adhurim ka qenë dhe te popujt e mëhershëm. Dhe arsyeja pse Krijuesi i gjithësisë kërkon prej nesh ta adhurojmë në këtë formë është që ne, si krijesa të përzgjedhura, të përgatitemi, të kalitemi, në manifestimin e devotshmërisë dhe të bindjes pa kushte ndaj të gjitha urdhëresave të të Plotpushtetshmit, të Plotfuqishmit.
Cila është koha më e përshtatshme që ne të edukohemi, të përgatitemi dhe të kalitemi me zbatueshmërinë e këtyre urdhëresave?
Nuk ka dyshim se më e përshtatshmja kohë është ajo në të cilën ka filluar zbritja e shpalljes. Koha në të cilën Profetit Muhamed s.a.v.s. i zbriti për herë të parë fjala e të Gjithëdijshmit që garantonte ruajtjen e saj të paprekur, të pacenuar, deri në ditën e fundit të kësaj bote të përkohshme tokësore. Kjo kohë, kjo ditë, ky muaj, duhet të shërbejë për çdo vit si përgatitje e furishme për besimtarët, për të rifreskuar besimin, për të freskuar zemrën, për të kujtuar e për të medituar mbi atë moment kur fjala e Allahut arriti nëpërmjet melekut Xhibril në veshin e bekuar të dashurit tonë, Muhamedit s.a.v.s. Momenti ishte nata e Kadrit, e dhjetëditëshit të fundit të muajit të bekuar Ramazan. Prandaj vjen ajeti, “Muaji Ramazan, në të cilin zbriti Kurani udhëzim për njerëzit, sqarim për urdhëresat dhe dallues i qartë (mes së mirës dhe së keqes, të dobishmes dhe të dëmshmes). Kush e dëshmon këtë muaj, le të agjërojë.”
Por ç’lloj agjërimi kërkon Krijuesi prej nesh si besimtarë? Cili është agjërimi i pranuar te i madhi Zot?
Këtë na e përshkruan i Dërguari i Tij, i dashuri ynë. Kush nuk largohet nga fjalët e gënjeshtërta dhe veprimi sipas tyre, Krijuesi nuk kërkon prej tij t’i largohet ngrënies dhe pirjes. Muhamedi s.a.v.s. ka thënë në një hadith kudsij (Allahu thotë) se çdo vepër e birit të Ademit i përket atij, me përjashtim të agjërimit; ai më përket Mua dhe Unë do ia shpërblej. Agjërimi është mburojë. Kur dikush nga ju agjëron një ditë, le të qëndrojë larg fjalëve të rëndomta, të ulëta, të mos e ngrejë zërin për asnjë arsye, madje edhe nëse ndonjë e fyen apo kërkon të përplaset me të, le të thotë se është në agjërim. Agjërimi është heqja dore prej çdo epshi, është përkushtim absolut në adhurimin e Allahut!
Me kryerjen e ritualit të agjërimit në mënyrën më të përkryer meritohet hyrja në Xhenet nga një portë e veçantë e quajtur Rejan, e cila është posaçërisht për agjëruesit. Mjafton si mrekulli në këtë muaj fakti se portat e Xhenetit janë të hapura, portat e zjarrit janë të mbyllura, dhe shejtanët janë të prangosur. Kështu e përshkruan Muhamedi s.a.v.s. këtë muaj.
Agjërimi bën ndarjen e fortë midis nevojave fizike të trupit të njeriut dhe nevojave shpirtërore. Fiziket i kufizon në maksimum, aq sa gjatë ditës, nga agimi në perëndim, i eliminon plotësisht. Shpirtëroret i nxit, i mbështet maksimalisht. Më skajshëm, në dhjetë ditët e fundit kërkohet që dhe nata t’i bashkohet ditës në përkushtimin ndaj shpirtërores; besimtarët të qëndrojnë natë e ditë në tempujt e besimit, në xhami, duke adhuruar Krijuesin e tyre, me pak ushqim të marrë në syfyr e iftar dhe me pak gjumë të bërë në një pjesë të vogël të natës në këtë botë lëndore, dhe gjithçka tjetër të jetë falje namazi, këndim Kurani, lutje drejtuar Mëshiruesit, Mëshirëbërësit, në pritje që këto lutje dhe përmendja e vazhdueshme e më Bujarit të përkojë me natën e Kadrit, natën e caktimit të gjithçkaje, natën e zbritjes së fjalës së Tij. Një natë në të cilën çdo vepër e mirë i shumëzohet shpërblimi si të jetë bërë pandërprerë për një mijë muaj. E tëra kjo për të na dhënë perceptimin e peshës së fjalës së Krijuesit, e ndikimit që duhet të ketë kjo shpallje në mendjen dhe zemrën tonë, në të gjithë qenien tonë, si dhe seriozitetit me të cilën duhet ta marrim zbatueshmërinë e fjalës së Tij, të zbritur në Kuranin Famëlart.
O Allah! Të lutemi të na bësh të devotshëm, të përkushtuar, fjalëmirë, të jemi pjesë e atyre besimtarëve që i dëgjojnë urdhëresat hyjnore dhe bëjnë ç’të munden për t’i zbatuar ato përsosurisht! Amin!