Hoxhë. Justinian Topulli
Përgojimi ose ndryshe ‘gibeti’ konsiderohet në Islam si gjynah i rëndë, aq sa Allahu e ka shëmbëllyer atë në Librin e Tij me ngrënien e mishit të vëllait të vdekur (49:12), për të treguar sesa e shëmtuar dhe i pështirë është një veprim i tillë. Ndaj rregulli bazë dhe norma e përgjithshme islame thotë se përgojimi është i ndaluar, haram. Por ka disa raste kur përgojimi tolerohet apo bëhet edhe detyrim, sepse vetëm përmes tij mund të përmbushen disa prej objektivave fetarë. Dhe këto raste janë të pakta, ato janë të kufizuara dhe përcaktuara për situata dhe persona të caktuar dhe jo për mbarë njerëzit. Shpesh njerëzit gabojnë lehtësisht në këtë drejtim dhe e lirojnë gjuhën e tyre ndaj atyre që përgojojnë, duke folur keq për ta edhe për gjëra krejt personale dhe të panevojshme për të tjerët, duke harruar se rregulli bazë edhe obligim është fshehja dhe mos publikimi i gjynaheve dhe mangësive personale që njerëzit kanë, sidomos kur këta janë të afërm dhe pjesë e një komuniteti familjar dhe besimtar. Ndaj të gabosh duke mos përgojuar njeri -nisur nga rregulli i përgjithshëm- edhe kur dikush e meriton, është gabim më i vogël sesa të përgojosh me pa të drejtë dikë që nuk e meriton. Ndaj për të sqaruar se cilat janë rastet e kufizuara kur lejohet përgojimi, që besimtarët të jenë më të qartë në këtë drejtim, po citojmë këtu Imam Neveviun (rahimehullah) se çfarë ai ka thënë për këtë gjë, në një nga librat më të njohur dhe më të përhapur mes muslimanëve, Rijadus Salihin.
Neveviu ka thënë:
“Kapitulli: Kur lejohet përgojimi
Mësoje se përgojimi (gibeti) lejohet kur përmbush një synim të vërtetë fetar, që nuk mund të përmbushet vetëm se përmes përgojimit. Përgojimi lejohet në gjashtë raste:
Së pari: Ankesa për padrejtësi. I lejohet atij që i është bërë padrejtësi t’i ankohet sulltanit, gjykatësit dhe kujtdo që ka pushtet ose autoritet, për të vendosur drejtësinë në vend duke i thënë: filani më ka bërë këtë padrejtësi…
Së dyti: Ndihma për të ndryshuar të keqen dhe rikthimin e fajtorit në rrugë të drejtë. I thuhet atij që mendohet se ka autoritetin të ndryshojë të keqen: filani bën këtë gjë, qortoje, apo edhe fjalë të ngjashme. Qëllimi në këtë rast duhet të jetë ndryshimi i së keqes, sepse nëse nuk është ky qëllimi, atëherë ky përgojim është haram.
Së treti: Kërkimi i fetvasë. I thuhet atij që jep fetva: im atë, vëllai im, bashkëshorti im, ose filani më ka hyrë në hak kështu e ashtu, a i lejohet atij? Si duhet të sillem unë në këtë rast që të marr hakun tim? Apo edhe fjalë të tjera të ngjashme me këto. Ky përgojim lejohet në rast nevoje, por më e mira dhe më e rregullta është të thuhet: Çfarë mund të thuash për një njeri ose person ose bashkëshort që vepron në këtë mënyrë? Në këtë mënyrë përmbushet synimi pa e identifikuar vetë personin. Por edhe identifikimi lejohet, siç do ta përmendim në hadithin e Hindit, me lejen e Zotit.
Së katërti: Paralajmërimi i muslimanëve nga e liga e dikujt dhe këshillimi i tyre. Kjo lejohet në disa raste:
- Përgojimi i transmetuesve të hadithit dhe dëshmitarëve. Ky rast lejohet me konsensus të muslimanëve, madje është obligim për shkak të nevojës që ka në këto raste.
- Përgojimi në rast krushqie, ortakërie, lënie e një amaneti, marrëdhënie financiare, fqinjësie e të ngjashme. Në këto raste atij që i kërkohet mendim nuk duhet ta fsheh gjendjen e keqe të atij për të cilin pyetet, por duhet të përmend të këqijat që ai ka (që kanë lidhje me çështjen shën. përkth), me nijetin e këshillës së sinqertë.
- Kur dikush shoqërohet me një bidatçi ose merr dijen nga një njeri i prishur, dhe ekziston frika që ai mund të dëmtohet nga kjo gjë. Në këtë rast ky njeri duhet të këshillohet duke i sqaruar gjendjen e këtij njeriu, por me kusht që kjo këshillë të jetë me çiltërsi dhe sinqeritet, sepse ndodh që të gabohet në të tilla raste, pasi ai që këshillon mund të motivohet nga smira dhe shejtani ia zbukuron sikur ajo që ai thotë është këshillë, ndaj duhet të kihet kujdes në këto raste.
- Kur dikush mban një post që nuk i jep hakun, ose se nuk është i aftë për atë punë ose është njeri i prishur apo i mangët etj. Në këto raste duhet të përmendet personi në fjalë tek ai që ka autoritetin ta largojë nga ai post dhe të vendosë atë që është i aftë, apo ta informojë me qëllimin që të dijë si të sillet me të dhe mos mashtrohet pre tij, dhe të përpiqet që ta ndreq ose ta zëvendësojë me dikë tjetër.
Së pesti: Kur dikush i kryen bidatet ose veprat e ndaluara publikisht, si rasti i atij që konsumon pije alkoolike (publikisht), grabit pasuritë e njerëzve, u vë gjoba, etj. Në këto raste lejohet të përmendet për ato që ai i bën publikisht, ndërkohë ndalohet përmendja e mangësive të tjera, vetëm nëse për to ka ndonjë shkak tjetër nga ato që përmendëm.
Së gjashti: Kur identifikon dikë. Nëse dikush është i njohur me një nofkë të caktuar si çalamani, shurdhi, qorri, syshtrembri etj. Në këto raste lejohet të identifikohen me këto emra, por është e ndaluar që të përmenden me synim ofendimi. Nëse është e mundur të identifikohet ndryshe, kjo është më parësore.
Këto janë gjashtë arsye që kanë përmendur dijetarët (kur lejohet përgojimi) dhe për shumicën e tyre ka konsensus se lejohen. Argumentet për to janë hadithet e mirënjohura. Prej tyre mund të përmendim:
- Aishja (radijaAllahu anha) ka thënë: “Një burrë kërkoi leje për të hyrë te Profeti (alejhi salatu ue selam). Ai tha: “Lejojeni atë. Ai është një anëtar i keq i fisit të tij.” (Buhariu & Muslimi) Buhariu është argumentuar me këtë hadith për lejimin e përgojimit të njerëzve të korruptuar dhe atyre që fusin dyshime.
- Aishja (radijaAllahu anha) përcjell se Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Mendoj se filani dhe filani nuk njohin asgjë nga feja jonë.” (Buhariu) Lejth ibn Seadi ka thënë: “Këta të dy ishin prej mynafikëve.”
- Fatime bint Kajs (radijaAllahu anha) ka thënë: “Shkova te Profeti (alejhi salatu ue selam) dhe i thashë: Ebu Xhehmi dhe Muavija më kanë kërkuar për martesë? I Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) më tha: Për sa i përket Muavijes, ai është i vobektë nuk ka pasuri, ndërsa Ebu Xhehmi nuk e heq shkopin nga qafa.” (Buhariu & Muslimi) Në transmetimin e Muslimit thuhet: “Ebu Xhehmi i rreh gratë.” Ky është shpjegim i transmetimit ku thuhet “nuk e heq shkopin nga qafa”. Thuhet gjithashtu se kjo shprehje ka kuptimin se ai udhëton shumë.
- Nga Zejd ibn Erkam (radijaAllahu anhu) përcillet se ka thënë: “Një herë ne u shkuam në udhëtim me të Dërguarin e Allahut (alejhi salatu ue selam) në një kohë kur njerëzit ishin shumë ngushtë. Abdullah ibn Ubej tha: “Mos jepni për ata që janë me të Dërguarin e Allahut në mënyrë që ata të largohen prej tij.” Dhe po ashtu tha: “Nëse kthehemi në Medine paria krenare do t’i zbojë prej saj të përçmuarit.” Unë shkova tek i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) dhe i tregova për këtë gjë, dhe ai dërgoi dikë tek Abdullah ibn Ubej, por ai u betua me forcë se nuk e kishte thënë këtë gjë. Ata thanë: Zejdi e ka gënjyer të Dërguarin e Allahut (alejhi salatu ue selam). Unë u ndjeva shumë keq nga ajo që thanë, derisa Allahu zbriti ajet që konfirmonte vërtetësinë e fjalës time. Pas kësaj Profeti (alejhi salatu ue selam) i thirri ata që të kërkonte falje për ta Allahut, por ata i kthyen kokat pas.” (Buhariu & Muslimi)
- Nga Aishja (radijaAllahu anha) përcillet se ka thënë: “Hindi, gruaja e Ebu Sufjanit i tha Profetit (alejhi salatu ue selam): “Ebu Sufjani është burrë dorështrënguar dhe nuk më jep atë që më duhet mua dhe fëmijës tim, përveç asaj që e marrë pa e ditur ai? Profeti (alejhi salatu ue selam) i tha: “Merr sa të duhet për vete dhe fëmijën tënd, por përmbaju normës.” (Buhariu & Muslimi)”