Farzi Kifaje (Obligimet Koliktive)

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 31 minuta lexim

Kadiu Fehd El Amari

 

Është fakt i njohur në lëminë e fikhut dhe njohuritë e sheriatit se farzet pra detyrimet e sheriatit janë dy llojesh: farz ajnij dhe farz kifaij. Farz ajnij është çdo detyrim personal individual që është detyrë të përmbushet nga çdo njeri personalisht, sipas mundësisë së tij. Çdo njeri nuk çlirohet nga ky lloj detyrimi sheriatik, veçse duke e përmbushur dhe realizuar personalisht atë.
Ndërsa përsa i përket farzit kifaij ai është një detyrim sheriatik kolektiv, i tillë që përmbushja e tij rëndon mbi gjithe bashkësinë. Të gjithe anëtarët e bashkësisë janë të ngarkuar me këtë detyrim dhe nuk çlirohen prej tij veç nëse dikush prej tyre e përmbush dhe e realizon atë. Nëse askush prej tyre nuk e realizon këtë detyrim, që të gjithe ngarkohen me gjynah për mos realizimin e tij.

Farzi kifaij është dy llojesh:
1. Farz kifaje teabudij, pra që ka lidhje me adhurimet dhe fenë. Të tilla janë për shembull: larja, qefinosja dhe varrosja e të vdekurve, namazi i xhenazes, falja e namazeve të festës (bajrameve), falja e namazit të eklipsit (të diellit e të hënës), nxënia e njohurive të sheriatit, sipërmarja e përgjegjësive të ndryshme ligjore me gjithe llojshmërinë e tyre, si postet e gjykatës dhe zgjidhjes së konflikteve, posti i imamit të xhamisë, davetit dhe detyrave që lidhen me arsimin, ekipet e urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja të ashtuquajtura el hisbeh; institucionet për ruajtjen e fesë, familjes islame, parimeve e vlerave; përballja e lufta kundër devijimeve, dyshimeve në lidhje me akiden e pastër islame, ateizmit e të gjithe devijimeve e përçudnimit të llogjikës e sjelljes njerëzore.

2. Farz kifaje dynjauij, pra që ka lidhje me çështjet e dynjasë. Të tilla janë: kujdesi për përmbushjen e interesave e të mirës publike e kolektive, kujdesi për sistemin arsimor dhe edukimin, me të gjithë larmishmërinë e tyre, si: mjekësia, ruajtja e sigurisë, ekonomia islame, ndërtimi i personalitetit njerëzor, zhvillimi urban, media me gjithe nëndegët e saj, teknologjija me gjithe lëmitë e ndryshme të saj, punët e kujdesit social, kujdesi për ruajtjen e unitetit etj. Disa dijetarë, disa prej ketyre lëmive të përmendura gjykojnë se kanë të bëjnë edhe me dynjanë edhe me fenë dhe keshtu i klasifikuan si një lloj më vete.

3. Farz kifaje teabudij dhe dynjauij, pra që ka lidhje edhe me fenë edhe me çështjet e dynjasë. Këtu përfshihen të gjitha çështjet që sjellin dobi e janë në interes të ymetit dhe në rrafshin individual e shoqëror. Janë ato çështje që sigurojnë paprekshmërinë e ruajtjen e pesë domosdoshmërive të jetës, që janë: ruajtja e fesë, e jetës, mendjes, nderit dhe pasurisë. Inovacioni në të gjitha fushat pa kundërshtuar principet bazike të sheriatit dhe qëllimet madhore të tij; përkushtimi e kujdesi për të siguruar vazhdimësinë e të gjitha këtyre projekteve e punëve në të mirë të ymetit, vetes e shoqërisë.

Duhet ta kuptojmë mirë dhe të jemi të bindur se përkujdesi për të përmbushur e realizuar farzet kifaije është një projekt madhor për ngritjen e krenarinë e ymetit, përmbushjen e nevojave e domosdoshmërive të tij, sigurim i pavarësisë së ymetit e muslimanëve nga të tjerët. Ndërsa shpërfillja e përmbushjes së këtyre detyrave kifaije sjell varësi, nevojë, nënshtrim, poshtërim e disfatë.

Cili është më i mirë, farzi ajnij (detyrime individuale)
apo farzi kifaij (detyrime kolektive)?
Të ndryshme janë opinionet e dijetarëve në lidhje me këtë çështje. Disa prej tyre kanë shprehur mendimin se farzi kifaje është më i mirë se farzi ajnij, sepse dobitë e tij janë më të mëdha dhe se ai siguron mirësi gjithpërshirëse dhe në dobi të të gjithë ymetit.

Në cilat raste farzi kifaij shndërrohet në farz ajnij?
Mund të ndodhë që një farz kifaij kolektiv të shndërrohet për disa njerëz në farz ajnij individual personal. Kështu posti i gjykatës, fetvadhënies, prijësit në namaz, mjekësisë, shërbimet etj, mund të shndërrohen në farz ajn individual për disa njerëz, pa të cilët këto detyra nuk përmbushen. Ose thënë ndryshe: nëse ata janë të vetmit që mund ti përmbushin këto lloj detyrimesh, për ta këto farze kifaje shndërrohen në farz ajn. Gjithashtu bëhet e detyrueshme nëse ata emërohen në të tilla detyra nga udhëheqësi apo zëvendësi i tij.

Kujt i drejtohet urdhri kifaij?
Ky lloj urdhri i drejtohet gjithë ymetit e shoqërisë, derisa të ngrihet dikush në zbatimin e tij e kështu të çlirohen të gjithë nga pesha e kësaj detyre. Ky është medhhebi i shumicës së dijetarëve të usul fikhut. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Nuk është e nevojshme që besimtarët të dalin në luftë të gjithë bashkë. E përse të mos shkojë një pjesë nga çdo grup i tyre, për të marrë diturinë fetare dhe për t’ia mësuar atë popullit të vet kur të kthehen, në mënyrë që të ruhen (nga e keqja).” [Teube 122]

Përmbushja e cilit lloj është më dobiprurëse?
Fjalët e dijetarëve në lidhje me këtë çështje janë të shumta. Unë po kufizohem duke sjellë fjalën e imam të haramejnit Ebul Meali el Xhuejnij. Ai thotë: “Preokupimi në përmbushjen e detyrimeve kifaije kolektive është më i mirë dhe më adekuati për arritjen e gradave të larta dhe ndër rrugët më të mira për t’iu afruar Zotit, sesa përmbushja e detyrimeve personale. Nëse dikush nuk kryen një farz ajnij personal, ai është i vetmi që ngarkohet me gjynah dhe, nëse e kryen ai është i vetmi që shpërblehet. Por nëse shpërfillet dhe lihet pa përmbushur farzi kifaje kolektiv, gjithë shoqëria ngarkohet me gjynah. Kështu nëse dikush përkushtohet në përmbushjen e këtij lloji detyrimi ai ka hequr peshën e gjynahut nga vetja dhe nga i gjithë populli. Një njeri i tillë shpreson shpërblimin më të madh. Prandaj askush të mos nënvlerësojë punën e mrekullueshme të çdokujt i cili përmbush një detyrim nga detyrimet kolektive të umetit.”

Gjendja e vlerësimit të farzit kolektiv në kohët e sotme
Një nga arsyet e dobësisë në shumë fusha të dijes e përmirësimit në të cilat ka rënë ummeti dhe vazhdon të vuajë në to, është pikërisht mos kuptimi i rëndësisë së detyrimeve kolektive (farzet kifaje) si dhe mungesa e ndjenjës së përgjegjësisë e mendimi i gabuar i shumë muslimanëve se ata nuk janë të ngarkuar për përmbushjen e të tilla lloj detyrimesh, ose kufizimi i tyre vetëm në përmbushjen e një kategorie të caktuar të detyrimeve kolektive. Kështu ata janë shumë të mangët e të cunguar në konceptin e tyre rreth farzit kifaij detyrimeve kolektive dhe synimeve madhore që kërkohet me përmbushjen e tyre. Ata nuk arrijnë të shohin qartë e saktësisht se ku rrahin dispozitat që synohet të përmbushen përmes këtyre detyrimeve kolektive dhe nuk e kanë kuptuar plotësisht përgjegjësinë e madhe që rëndon mbi ta, për përmbushjen e këtyre detyrimeve kolektive. E pra përmbushja e tyre është një përgjegjësi shumë e madhe si në jetën e kësaj dynjaje ashtu edhe në lidhje më shpërblimin dhe ndëshkimin në të dy jetët. Përmbushja e këtyre lloj përgjegjësish e detyrimesh kolektive luan rol vendimtar në jetën e ymetit. Prandaj dhe vjen në krye të të gjithë detyrimeve të sheriatit, për nga rëndësia, vlera e madhe dhe dobitë që i sjell individit dhe ymetit.
Diçka që vlen të theksohet në këtë kontekst, është edhe nevoja e madhe për të qenë kujdesshëm në vlerësimin e saktë të detyrimeve kolektive dhe përcaktimin e përparësive në renditjen e tyre për nga rëndësia. Kështu duhet kujdes i madh në përcaktimin e vlerësimin këtyre detyrimeve kolektive e renditjen e tyre duke i dhënë përparësi asaj që është më e rëndësishme kundrejt atyre që janë më pak të rëndësishme; asaj që është imediate kundrejt asaj që nuk është e tillë. Kështu, nuk është e udhës që të preokupohesh me diçka dytësore kur ka çështje më madhore e parësore për t’u përmbushur. Nuk duhet zmadhurar diçka që është e vogël dhe të shpërfillësh e konsiderosh të vogël diçka që është madhore. Pra duhet vendosur çdo çështje në vendin që i takon me peshore të drejtë dhe gjykim të hollë e të kujdesshëm.
Natyrisht që jo të gjitha detyrimet kolektive janë të të njëjtit nivel rendësie. Ka prej tyre që janë shumë të mëdha dhe jetike, por ka të tjera që janë dytësore dhe jo shumë të domosdoshme. Ka të tilla që janë themelore e bazike, por ka edhe çështje që janë degëzime e hollësira plotësuese. Gjithashtu duhet theksuar se detyrueshmëria e detyrimeve kolektive ka lidhje të ngushtë me kohën, vendin dhe veçoritë e shoqërisë ku jetojnë muslimanët. Kështu, është e mundur që në një shoqëri të caktuar mund të jetë detyrë kolektive diçka që në një shoqëri tjetër nuk është e tillë. Çdo kohë dhe vend mund të ketë detyra që janë specifike për të. Ajo që është e rëndësishme është përmbushja e nevojave të ymetit në çdo kohë, vend rrethanë e shoqëri. Po kështu edhe renditja e këtyre detyrimeve kolektive bëhet në varësi të kushteve e nevojës së ymetit (shoqërisë e bashkësisë islame). Kështu, ajo që mund të jetë e domosdoshme në një shoqëri e vend, mund të mos jetë e tillë në një vend tjetër; diçka që mund të jetë parësore dhe jetike në një kohë a vend të caktuar, mund të mos jetë e tillë në kohë e vende të tjera.
Sa i bukur është ky sheriat që Zoti ka ligjëruar! Ai është i vetmi ligj që rregullon jetën njerëzore në çdo vend dhe kohë.
Në kohën e sotme ka shumë prej farzeve kifaje detyrimeve kolektive që janë përmbushur nga një grup muslimanësh, siç ka edhe të tjera që kanë ngelur pa u përmbushur, me gjithë nevojen e domosdoshme dhe jetike të bashkësisë islame për to. Prandaj duhet impenjim maksimal për t’i përmbushur këto hapësira boshe dhe për ta ruajtur ymetin nga këto llogore. Çdo kush duhet të përpiqet maksimalisht dhe të ndjejë peshën e përgjegjësisë, që të përmbushë këto detyrime kolektive që rëndojnë mbi ymetin. Shpërfillja e përmbushjes së këtyre detyrimeve kolektive, sidomos ato që kanë të bëjnë më përmbushjen e hakut të Zotit dhe rregullojnë lidhjen e robit me Zotin, sjell përhapjen e paditurisë, idhujtarisë, mohimit të Zotit me të gjitha format e shëmtuara të tij, përhapjen e dyshimeve dhe rrugëve të devijimit, ateizmit, etj. etj. prej rrugëve të errëta të humbjes. Kjo do të sillte gjithashtu edhe zhdukjen e shenjave islame në shoqëritë e vendet ku ata jetojnë dhe asimilimin e tyre mes popujve dhe besimeve të devijuara. Po keshtu, mosnjohja e kufijve të Zotit do të sillte ambjentimin me gjynahet dhe ndalesat e Zotit dhe shkeljen lehtësisht të kufijve të Tij. shembuj të tillë të dhimbshëm janë të pranishme dhe të njohura. Prandaj është shumë e rëndësishme preokupimi me përhapjen e njohurive të dobishme e përmbushjen e detyrimeve kolektive në lidhje me detyrimet fetare ftesën e njerëzve në fenë e Zotit. Kjo është një peshë që rëndon mbin dijetarët, por edhe mbi çdo pjestar të këtij ymeti, të vegjël apo të mëdhenj qofshin, sipas mundësive të gjithësecilit.
Është për të ardhur shumë keq që një pjesë muslimanësh, edhe pse e kanë marrë diturinë fetare, preokupohen me dynjanë e tyre dhe e shpërfillin detyrimin që rëndon mbi supet e tyre. Këta njerëz duhet të frikësohen se mund të ngarkohen me gjynah shumë të madh dhe ndëshkim në Kitën e Kiametit. Në kohën e sotme askush nuk mund të justifikohet e të arsyetohet që nuk e kumton fenë e Zotit ndër njerëz, sidomos me mundësitë e rrugët e shumta e të lehta që ofrojnë teknologjia e komunikimit. Ajo që më së shumti frikësohemi sot është neglizhenca e të dijshmëve dhe besnikëve në përhapjen e mirësisë dhe diturisë dhe përkushtimi i të prishurve në përhapjen e kotësisë e shfrenimit. A thua nuk e dinë shpërblimin e madh dhe nderimin e pashembullt që Zoti ofron për punëtorët e sinqertë dhe durimtarë?
Nuk kam hasur mes njerëzve mangësi më të madhe se neglizhenca e të aftit për të qenë i përmbushur.
Punëtorët durimtarë ka për t’i shpërblyer Zoti ashtu si as nuk e mendojnë. Thotë i Lartësuari: “O ju që keni besuar! Nëse ju ndihmoni Allahun, Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’jua forcojë këmbët tuaja.” [Muhamed: 7]

Disa nga profilet e farzit kifaje

I. Në aspektin e diturive e njohurive:
1. Përkujdesi për shkollat, institutet dhe qendrat arsimore.
2. Kurse rreth metodologjisë arsimore.
3. Hartimi i kurrikulave arsimore.
4. Ngritja e mediave edukative.
5. Hartimi i programeve për mësuesit.
6. Afrimi e lehtësimi i rrugëve e metodave të mësimdhënies e nxënies së njohurive.
7. Reformat dhe zhvillimi i arsimit.
8. Korrigjimi i devijimeve edukative.
9. Kujdesi për të rejat shkencore në të gjitha fushat e njohurive.
10. Zhvillimi i institucionit të fetvadhënies dhe përgatitjes së myftinjve.
11. Lëmia e përkthimeve.
12. Mësimdhënia e gjuhës arabe.
13. Kujdesi për studentët me bursë në vendet islame.
14. Kujdesi ndaj ekonomisë islame dhe përgatitja e specialistëve në të e në çështjet e financës dhe bankave.
15. Studime të vazhdueshme në lidhje me mjekësinë, si dhe dispozitat ligjore që lidhen me mjekun dhe pacientin.
16. Studimi dhe specializimi në rregulloret dhe ligjet për t’i përdorur në dobi dhe mbështetjen e Islamit dhe muslimanëve.
17. Kujdesi dhe avancimi në organizimin e punës islame në vendet me pakicë islame.

II. Edukimi, sjellja dhe etika
1. Këshillimi dhe udhëzimi.
2. Thirrja në fe.
3. Programet për prindërit dhe edukatorët.
4. Programet për fëmijët: djem dhe vajza.
5. Kujdesi për çështjet edukative bashkëkohore.
6. Rregullimi i devijimeve ideologjike dhe të sjelljes.
7. Edukimi moral.
8. Edukimi me virtyte të larta.
9. Zhvillimi i fitrës dhe ruajtja e saj.
10. Kujdesi për rukjet e ligjëruara nga sheriati; dhe përgatitja e rukjexhinjëve të besueshëm dhe të autorizuar; si dhe bllokimi i rrugës për injorantët dhe ata që e keqpërdorin rukjen.

III. Lufta ideologjike
Formimi i botëkuptimit të shëndetshëm dhe ruajtja e tij nga devijimet doktrinale, ideologjike dhe metodologjike që ndodhin në botën e dijes, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen. Mashtrimi dhe manipulimi janë rritur në këto kohë përmes mjeteve të komunikimit, dhe ato rinovohen çdo ditë për ta çuar në humbje ymetin dhe për t’i nxjerrë njerëzit nga e vërteta, drejtësia, mençuria, mesatarizmi, ekuilibri dhe qëndrueshmëria në devijim, mashtrim, besime të gabuara, fitne (trazira), konflikte, revolucione shkatërrimtare, grindje e mosmarrëveshje, si dhe përçarjen e ymetit dhe tërheqjen e tij drejt fitneve dhe luftërave të përgjakshme. Historia e ymetit islam dhe e popujve të tjerë është mbushur plot me shembuj të tillë. Kështu që merrni mësim dhe bëni kujdes, o njerëz të mençur!

IV. Familja
Familja muslimane është e vënë në shënjestër në aspektin e besimit, po ashtu në aspektin ideologjik,moral dhe social. Familja muslimane luftohet me synimin që ajo të ndjekë shembujt e familjeve jomuslimane; të humbasë moralin, nderin e dinjitetin, fitrën e shëndetshme, të shpërbëhet dhe shkatërrohet tërësisht. Prandaj, është e nevojshme të kujdesemi për çështjet në vijim:

1. Përgatitja për martesë.
2. Lehtësimi i martesës.
3. Edukimi dhe përmirësimi i partnerëve.
4. Zgjidhja e konflikteve familjare.
5. Kujdesi për të drejtat e gruas dhe burrit.
6. Realizimi i detyrave e ndërsjella, që bashkëshortët kanë ndaj njëri-tjetrit.
7. Edukimi i fëmijëve.

V. Solidariteti dhe ndihma
1. Kujdesi për grupet dhe kategoritë e shoqërisë me nevoja të veçanta (kujdesi për vejushet, jetimët, gratë e divorcuara, të moshuarit, punëtorët e huaj).
2. Sigurimi i ushqimit.
3. Ndërgjegjësimi për konceptet e solidaritetit dhe ndihmës.
4. Ruajtja e mirësive dhe begative nga fillimi deri në fund, si dhe ndërgjegjësimi i njerëzve në këtë drejtim.

VI. Xhamitë
1. Ndërtimi i xhamive.
2. Mirëmbajtja e xhamive.
3. Kujdesi për roli arsimor dhe shoqëror të xhamisë.
4. Zbatimi i rregullat të fik’hut (rregullave juridike) për imamin dhe ezanin.
5. Detyrat e imamit dhe muezinit.
6. Zgjidhja e problemeve të xhamive.
7. Zhvillimi dhe përgatitja e imamëve dhe muezinëve.

VII. Profesionet dhe funksionet e nevojshme
1. Mjekësia.
2. Arsimi.
3. Siguria.
4. Gjyqësori.
5. Institucioni i fetvasë .
6. Arkitektura dhe zhvillimi urban.
7. Menaxhimi dhe planifikimi.
8. Kujdesi për përgatitjen dhe formimin e atyre që do të merren me pajtimin dhe gjykimin midis palëve të përfshira konflikt në aspektin e familjes dhe të drejtave dhe të ngjashme me këto në vendet me pakica muslimane, si dhe bllokimi i rrugës për injorantët.

VIII. Media dhe teknologjia
1. Kanale televizive.
2. Rrjetet sociale.
3. Programet e dokumentimit.
4. Ndërgjegjësimi.
5. Programet për fëmijët.
6. Programet për gratë.
7. Produksioni dhe montimi.
8. Aplikacionet.
9. Kujdesi për faqet e internetit.
10. Kujdesi për librat, si në formatin e shkruar ashtu edhe në atë elektronik.

IX. Tregtia
1. Fik’hu islam për hallallin dhe haramin.
2. Ushqimi i lejuar.
3. Tregtari musliman.
4. Krijimi i bankave dhe hapësirave islame.

X. Turizmi dhe hoteleria
1. Rregullat e udhëtimit.
2. Prezentimi i Islamit.
3. Prezentimi i histories, kulturës dhe monumenteve islame.
4. Thirrja në Islam.
5. Përgatitja e udhëzuesve turistikë.
6. Hartat.
7. Mirëpritja bujare e turistëve, njohja me ta dhe fitimi i zemrave të tyre.
8. Përgatitja e përkthyesve.
9. Kujdesi për punëtorët të huaj që shërbejnë në shtëpi, në institucione dhe kompani.
10. Kujdesi për gratë dhe rolin e tyre në realizimin e farzit kifaje (detyrës dhe përgjegjësisë kolektive). Gratë luajnë një rol të rëndësishëm në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive kolektive, sidomos në fushat e arsimit, thirrjes në fe, mjekësisë dhe specialiteteve të tjera që lidhen me fenë dhe jetën e tyre të përditshme. Ato ndihmojnë në plotësimin e nevojave dhe mangësive që ka ymeti në të gjitha aspektet e jetës së gruas, çka sjell dobi për to dhe parandalon dëmet, duke i ndihmuar të qëndrojnë të forta në besimin dhe në natyrën e tyre islame (në fitrën e tyre), pa u ndotur nga asgjë që mund ta prishë këtë.
Ymeti sot, dhe gjatë historisë, ka vuajtur nga mungesa e elementit femëror dhe eksperiencave dhe aftësive në shumë fusha që i nevojiten grave, çka ka sjellë një çrregullim të madh në rrugëtimin e tij (të ymetit). Të gjitha këto duhet të bëhen sipas dëshirës dhe ligjit të Zotit, pa reaksione negative dhe pa frikë që dëmton çështjen (kauzën islame) në mënyrë negative dhe devijuese.
11. Pakicat muslimane në vendet jo-islame kanë nevojë për më shumë kujdes në çështjet e lartpërmendura dhe për realizimin e detyrës dhe përgjegjësisë kolektive që lidhet me kërkesat për jetesën e tyre në këto vende, për të ruajtur fenë dhe jetën e tyre, si dhe për t’u angazhuar në detyrën e thirrjes së jomuslimanëve në fenë e Allahut dhe për të nxjerrë krijesat nga mosbesimi, paganizmi dhe devijimi në aspektin teorik dhe praktik në lidhje me adhurimet. Kjo duhet të bëhet për të realizuar gjithçka që do të ndihmojë në bashkimin e muslimanëve, në forcimin dhe qëndrueshmërinë e tyre, duke u larguar nga çdo gjë që i përçan dhe i dobëson ata.
Sot është një detyrë e rëndësishme kolektive që të ketë një grup të angazhuar për të bashkuar muslimanët në çdo vend, duke përfshirë dijetarët, thirrësit dhe njerëzit me ndikim, si dhe gjithë njerëzit e tjerë. Pa dyshim ky është një ndër obligimet më të mëdha.

Rekomandime:
Detyrat tona ndaj ymetit janë këto në vijim:
1. Të ringjallet farzi kifaje (detyra dhe përgjegjësia kolektive) në brezat e ymetit, dhe t’u korrigjohen gabimet dhe t’u saktësohet koncepti kauzës islame, në mënyrë që ata të mos tregohen të shkujdesur për asnjë çështje. Ndërkaq, të ndiejnë përgjegjësinë ndaj fesë, ymetit dhe shoqërive të tyre, dhe të angazhohen me sinqeritet vetëm për Allahun.
Ringjallja e fik’hut (konceptimit të drejtë) të detyrave dhe përgjegjësive kolektive dhe të interesave të përgjithshme të ymetit, të përcaktohen dimensionet e këtyre interesave, si dhe të bëhen përpjekje për realizimi i tyre praktikisht. E gjitha kjo është e mjaftueshme për zgjidhjen e problemeve dhe plotësimin e boshllëqeve, për çuar ymetin përpara dhe për ta rikthyer në vendin e parë që i takon.
2. Të formohen dhe përgatiten ata që do të realizojnë këto detyra dhe të sigurohen mjete dhe mënyra për arritjen e këtij qëllimi.
3. Kujdesi për mjetet që realizojnë farzet kifaje (detyrat kolektive) dhe të zhvillohen ato, sepse është detyrë të sigurohen mjetet përmes të cilave realizohen obligimet.
4. Të përcaktohen prioritetet e detyrave kolektive dhe të bëhet trajtimi juridik i duhur duke balancuar këto prioritete.
5. Të aktivizohen specialitetet, t’u kushtohet rëndësia e duhur dhe të nxitet fryma e konkurrencës dhe inovacionit në to.
6. Të vlerësohen nevojat në ymet dhe të prodhohen ide, duke hartuar një planveprim për këtë, duke përfshirë dhe njohjen e masës së nevojës.
7. Të shfrytëzohen mundësitë dhe hapësirat e lira.
8. Të përgatiten brezat për të realizuar çdo gjë që ka të bëjë me interesat e ymetit në aspektin e fesë dhe të jetës së kësaj bote.
9. Të ngrihen institute dhe qendra kërkimore të specializuara për të gjitha çështje e lartpërmendura.
10. Të nxitet fryma e vullnetarizmit në shoqëri mes specialistëve dhe ekspertëve, si dhe të gjithë grupeve të shoqërisë.
11. Për të gjitha çështjet e sipërpërmendura të respektohen ligjet dhe rregullat e vendit.
12. Të mos ketë konkurrencë në punët me qëllim të përbashkët ose të ngjashëm, dhe t’i kushtohet rëndësi partneritetit.
13. Ndërthurja e qëllimeve të ngjashme në punën institucionale është më e mirë se sa ndarja në institucione të shumta. Duhet që ndarja të jetë sipas nevojës.
14. Të përgatiten studime dhe kërkime sheriatike (juridike) për veprat bamirëse dhe për çështjet dhe ngjarjet pa precedent.
15. Të rinovohen mjetet dhe të kujdeset për zhvillimin e tyre në përputhje me ndryshimet globale, pa rënë në kundërshtim me sheratin dhe qëllimet e tij.
16. Duhet kujdes i shtuar për zhvillimin e punës administrative; dhe të përgatiten rregulloret organizative për punën brenda enteve. Për të gjitha këto, është i nevojshëm ekuilibri, pa teprime dhe pa nënvlerësime.
17. Të tregohet kujdes që mos jenë në krye ata që nuk kanë aftësi për të kryer farzet kifaje (detyrat kolektive), sepse kjo ka sjellë shumë dëme për shoqëritë në çështjet e fesë dhe dynjasë. Këto dëme janë lehtësisht të evidentueshme; janë një realitet i prekshëm. Duhet të kualifikohen ata që drejtojnë, madje është detyrë që ata të përgatiten vetë. Nëse është detyrë e kohës dhe vendit ku jetojnë, ata duhet të nxiten që të marrin përgjegjësitë.
Kjo është një përmbledhje mbi këtë çështje të rëndësishme (farzin kifaje – detyrën kolektive), që synon ngritjen e ymetit në lartësinë e duhur, në aspektin fetar, kulturor dhe të marrjes së përgjegjësive.
I lutem Allahut për sukses dhe drejtësi, që të nderojë dhe lartësojë Islamin dhe muslimanët, udhëheqësit e tyre, njerëzit e mençur dhe dijetarët.