Primitiviteti i shoqërive moderne

Lidhja e Hoxhallarëve
3 minuta lexim

Hoxhë: Justinian Topulli

Qeniet njerëzore madje edhe gjitarët, e kanë në natyrën e tyre të lindur që të luajnë dhe argëtohen. Ajo që vihet re në mënyrë universale më shumë rriten, edukohen dhe piqen aq më shumë i largohen lojës dhe formave fillestare të argëtimit, që përqendrohen tek loja.

Njeriu gjatë rritjes së tij fizike dhe në veçanti asaj mendore kërkon të kënaq nevoja të tjera, të cilat rriten dhe zhvillohen tek ai me kalimin e kohës dhe rrjedhimisht këto nevoja i zënë gjithmonë e më shumë vendin lojës si formë argëtimi dhe kënaqësie. Këto nevoja për individët, kulturat dhe shoqëritë që zhvillohen duket qartë se shkojnë drejt atyre më shpirtërore metafizike dhe intelektuale. Le ta krahasojmë tani zhvillimin e shoqërisë njerëzore me atë të një njeriu. Kështu nëse e pre-supozojmë historinë e shoqërisë njerëzore, sipas pikëpamjes tashmë të njohur shekullare, që nis me njeriun primitiv dhe zhvillohet në atë religjioz e më pas në atë racional modern e post-modern, na del që njeriu i sotëm post-modern duhet të ishte njeriu më i zhvilluar shpirtërisht e intelektualisht, për rrjedhojë ai që i largohet më së shumti argëtimit dhe lojës, si forma kryesore e kënaqësisë dhe shijimit të jetës. Në fakt baballarët e modernitetit dhe të ashtuquajturës epokë të racionalitetit, parashikonin pikërisht ardhjen e një shoqërie ku kënaqësia më e madhe e jetës do të ishte ajo intelektuale dhe racionale, për rrjedhojë edhe loja dhe argëtimi që e lidhte njeriun me këtë formë fëmijërore të kënaqësisë do të reduktohej duke ja lënë vendin kënaqësisë së mendjes dhe të shpirtit.

Realiteti i sotëm, për çudi, tregon pikërisht të kundërtën. Njeriu post-modern dhe ai i shoqërive të zhvilluara gjithmonë e më shumë po zhytet në argëtime që në themel të tyre kanë lojën. Nuk është rasti këtu për të vënë në pah me detaje se çfarë vendi zë loja sot në jetën e njerëzve dhe industritë e shumta dhe paratë e pafundme që shpenzohen në këtë drejtim, por është fakt se njeriu modern apo post-modern po shkon gjithmonë e më shumë drejt kënaqjes së nevojave trupore dhe fëmijërore më së shumti, çka tregon sipas pikëpamjes shekullare të vështrimit të historisë, se ai po i kthehet fëmijërisë, pra primitivitetit…

Marrë nga revista Kibla, nr: 13