Hoxhë, Dr. Bledar Haxhiu
Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi vulën e Pejgamberëve, Muhamed Mustafanë, familjen e tij të nderuar, shokët e tij besnik që ndërtuan shoqërinë më shembullore që ka njohur njerëzimi dhe të gjithë ata që ecin në gjurmët e tyre.
Të nderuar vëllezër e motra, të nderuar lexues, ja tek jemi sërish së bashku në një cikël të ri temash me titull “Shoqëria në Fokusin e Kuranit”, në të cilin do të përpiqemi me lejen e Zotit të trajtojmë shoqërinë duke vënë theksin në mënyrën se si përpiqet Kurani për ta ndërtuar atë, por do të trajtojmë edhe problematikat e saj, me qëllim që të arrimë të vëmë në dukje orientimet që jep Kurani Famëlartë për të qenë kështu një shoqëri e shëndoshë, shembullore dhe produktive.
Allahu i Lartësuar është krijuesi i kësaj Gjithësie dhe çka në të, çdo gjë që na rrethon është krijesë prej krijesave të Tij. Ai ndër të tjera krijoi edhe njeriun dhe e përsosi duke e bërë atë krijesën më të lartë dhe më fisnike
لَقَدْ خَلَقْنَا الْإِنسَانَ فِي أَحْسَنِ تَقْوِيمٍ
“Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer”. [Et Tin: 4].
Më pas njeriut, ia nënshtroi çdo gjë në këtë ekzistencë dhe e vuri në shërbim të tij, kështu Allahu e ngriti lartë vlerën e tij dhe e bëri atë mëkëmbës në tokë; e pajisi atë me arsye dhe shqisa, i dha intelekt dhe ndjenja duke e nderuar dhe rrethuar me përkujdesjen e Tij hyjnore të vazhdueshme.
Allahu i Lartësuar e ka ndërtuar këtë jetë të atillë që njeriu të mos e jetojë atë i vetëm dhe fillikat, prandaj jo më kot Ai duke njohur natyrën e njeriut, kërkesat, ndjenjat, dëshirat dhe çfarë është e dobishme për të, krijoi po nga vetë ai bashkëshorten, në mënyrë që të gjejë prehje dhe dashuri, dhe që ata të dy të plotësojnë njëri-tjetrin duke i bërë kështu bërthamën dhe bazën e parë me të cilën do të ndërtohet shoqëria, do të vazhdojë së ekzistuari dhe do të zhvillohet.
وَمِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَاجًا لِّتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُم مَّوَدَّةً وَرَحْمَةً ۚ إِنَّ فِي ذَٰلِكَ لَآيَاتٍ لِّقَوْمٍ يَتَفَكَّرُونَ
“Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.” [Er Rrum: 21]
Pra nisur nga ky fakt, njeriu thuajse e ka të pamundur të jetojë në këtë jetë i vetëm pa rënë në kontakt me të tjerët, pasi ai është qenie sociale dhe domosdoshmërish do të ketë bashkëveprim dhe marrëdhënie me njerëzit e tjerë si vet ai, pra me pjesën tjetër të shoqërisë, qofshin ata të afërm si: prindër, bashkëshorte, fëmijë e farefis, apo të largët, duke nisur me shokët, komshinjtë, punëtorët, etj.
يَا أَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُوا رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُم مِّن نَّفْسٍ وَاحِدَةٍ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا وَبَثَّ مِنْهُمَا رِجَالًا كَثِيرًا وَنِسَاءً
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra”. [En Nisa: 1]
Meqenëse ky realitet është diçka e pashmangshme, dhe në mënyrë që njeriu -sidomos muslimani- të jetë një individ pozitiv dhe i dobishëm brenda një shoqërie, ku individët ndikojnë te njëri-tjetri nëpërmjet lidhjeve, të cilat patjetër do të zhvillojnë tek ai një sërë opinionesh, sjelljesh, ndjenjash dhe perceptimesh, kërkon që patjetër ai të ecë komfor disa rregullave dhe një legjislacioni që do ta ruanin atë së bashku me shoqërinë ku ai gjendet; do ta drejtonin, do ta reformonin dhe do ta përsosnin, në mënyrë që të ndërtohet një shoqëri shembullore dhe e dobishme.
Pra, sikurse shoqëria është e nevojshme për njeriun që jeta e tij të marrë kuptim, po ashtu edhe ekzistenca e një sistemi është po aq i nevojshëm për shoqërinë dhe stabilitetin e saj, pasi asnjë shoqëri nuk mund të imagjinohet pa një sistem vlerash dhe normash. Individët dhe pjesëtarët e një shoqërie nuk mund të jetojnë në një liri absolute sipas tekave, egos dhe qejfeve të tyre brenda një mozaiku ku gjenden individë, tipare dhe nivele të ndryshme shoqërore, përndryshe kjo do të çonte në shkatërrimin e kësaj shoqërie, ose do prodhonte kaos në jetën e tyre, si dhe do ta transformonin shoqërinë e tyre në një shoqëri pylli, pa rregulla, pa ligje dhe pa norma.
يأيها ٱلنَّاسُ قَدۡ جَآءَكُم بُرۡهَٰن مِّن رَّبِّكُمۡ وَأَنزَلۡنَآ إِلَيۡكُمۡ نُورا مُّبِينا
“O njerëz! Me të vërtetë, juve ju ka ardhur një provë bindëse (Muhamedi a.s.) nga Zoti juaj dhe ju është zbritur një Dritë e dukshme (Kurani)”. [Nisa: 174]
Ndërsa Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Unë jam dërguar për të plotësuar (përsosur) moralet e larta”. Ahmedi dhe Buhariu në Edeb Mufred. Pra për ta udhëhequr shoqërinë islame dhe mbarë njerëzimin drejt moraleve me anë të së cilave vendosen dhe ndërtohen bazat e shoqërisë ashtu sikurse e pëlqen Allahu dhe kënaqet.
Nëse çdo shoqëri ka zgjedhur një sistem të vetin të cilit do t’i përmbahet -çfarë do qoftë ai-, atëherë ky sistem duhet të ketë një bazë, themel dhe parim, që shoqëria pajtohet dhe e pranon, dhe mbi të cilën bazohet sistemi i saj. Çdo sistem është i mirë ose i keq, në vartësi të bazës, themelit të tij, parimeve, ideve dhe vlerave mbi të cilat ai bazohet dhe është i ndërtuar.
Shoqëria Islame në dallim nga shumë shoqëri të tjera, ka zgjedhur që sistemi i saj shoqëror dhe moral të jetë i ndërtuar dhe i bazuar në shpalljen e Zotit, duke e konsideruar kështu si autoritetin e saj më të lartë Kuranin dhe Sunetin (traditën profetike), nga të cilat shoqëria Islame i nxjerr të gjitha ligjet, veprimet, sjelljet dhe normat e saj.
Allahu i Madhëruar e bëri Kuranin dritë dhe kushtetutë për jetën dhe emancipimin e individit dhe shoqërisë, nëpërmjet Tij Allahu vendosi bazat e shëndosha me të cilat edukon individin dhe përsos shoqërinë, në mënyrë që të arrijnë suksesin dhe lumturinë e kësaj bote dhe botës tjetër.
قَدۡ جَآءَكُم مِّنَ ٱللَّهِ نُور وَكِتَٰب مُّبِين 15 يَهۡدِي بِهِ ٱللَّهُ مَنِ ٱتَّبَعَ رِضۡوَٰنَهُۥ سُبُلَ ٱلسَّلَٰمِ وَيُخۡرِجُهُم مِّنَ ٱلظُّلُمَٰتِ إِلَى ٱلنُّورِ بِإِذۡنِهِۦ وَيَهۡدِيهِمۡ إِلَىٰ صِرَٰط مُّسۡتَقِيم
“Juve ju erdhi prej Allahut dritë (i Dërguari) dhe Libër i qartë (Kurani), me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë”. [Maide: 15-16]
Pra Zoti i Lartësuar e ka bërë Kuranin burim sigurie dhe një breg shpëtimi për mbarë njerëzimin, kushdo që do ta ndjekë atë, do të jetë i sigurt dhe fitimtar, dhe kushdo që do ta lërë pas shpine do të devijojë dhe do të humbasë.
إن هذا القرآن يهدي للتي هي أقوم ويبشر المؤمنين الذين يعملون الصالحات أن لهم أجرا كبيرا
“Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh”. [El Isra: 9]
Kjo do të thotë se në bashkësinë islame, veprimet e individëve, kodi familjar, marrëdhëniet tregtare dhe etika e shoqërisë duhet të jenë në përputhje me dispozitat e shpalljes Hyjnore, jo mbi tekat dhe egon njerëzore, duke i parë të gjitha këto si pjesë të angazhimit të saj fetar dhe adhurim ndaj Zotit të Madhëruar.
Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), afro 1400 vite më parë, pikërisht kur njerëzimi dhe shoqëritë ishin në buzë të humnerës, në shthurje dhe degjenerim, krijoi një shtet të madh, ndërtoi një komb të fortë dhe zhvilloi një shoqëri të qytetëruar të bazuar në udhëheqjen e Kuranit dhe Sunetit, duke e bërë jetën e kësaj bote si vend mbjellje e ahiretit.
Kështu muslimanët ndoqën shpalljen hyjnore, adhuruan një Zot të vetëm, dhe u organizuan sipas ligjit të Tij, duke mbjellë vlerat e qytetërimit Kuranor tek individi dhe shoqëria, qytetërim ky i cili rindërtoi besimin dhe idetë e tij, moralin dhe sjelljet, marrëdhëniet dhe lidhjet e tij të forta mes individit dhe shoqërisë.
Më pas muslimanët i bartën pishtarët e këtij qytetërimi tek i gjithë njerëzimi, në mënyrë që t’i nxirrte njerëzit nga adhurimi i krijesave në adhurimin e Zotit të krijesave, nga padrejtësia e feve dhe sistemeve njerëzore, në drejtësinë e Islamit dhe nga ngushtësia e kësaj bote, në pafundësinë e botës së përtejme.
كُنتُمْ خَيْرَ أُمَّةٍ أُخْرِجَتْ لِلنَّاسِ تَأْمُرُونَ بِٱلْمَعْرُوفِ وَتَنْهَوْنَ عَنِ ٱلْمُنكَرِ وَتُؤْمِنُونَ بِٱللَّهِ
“Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun”. [Al Imran: 110]
Ndaj duke u nisur nga sa thamë më lartë, do të përpiqemi që në këtë emision të vëmë në dukje dhe të nxjerrim në pah bazat mbi të cilat Kurani Fisnik e ndërton shoqërinë dhe vendos piketat për të qenë shoqëria islame një shoqëri shembullore për aq kohë sa i përmbahet këtij Kurani.
Dikush mund edhe të pyes, përse i gjithë ky fokusim dhe angazhim në lidhje me temat shoqërore dhe edukative, dhe përse pikërisht duhet patjetër që të jetë Kurani referencë për të gjithë këtë proces?
Në lidhje me këtë shqetësim do të thoshim se kjo është e nevojshme për disa arsye.
E para: Interesimi dhe angazhimi rreth problemeve shoqërore vjen në radhë të parë për faktin se njeriu në këtë jetë, marrëdhëniet e tij i ka ose me Krijuesin, ku bën pjesë besimi, dogma dhe adhurimet, ose me veten dhe të tjerët, të cilat siç edhe e theksuam Islami i ka vlerësuar si pjesë të rëndësishme të tij, duke i konsideruar adhurim ndaj Allahut nëse kryhen konform asaj që Allahu ka urdhëruar, pasi në këtë formë shpaloset bindja dhe nënshtrimi ndaj Allahut. Pra e thënë ndryshe besimi dhe morali janë të pandashme nga njëra-tjetra, nuk mund të përfytyrohet feja e zhveshur nga morali, sjellja dhe etika. Ai që mendon se vetëm besimi është i mjaftueshëm dhe se mund të bëjë e veprojë ç’të dojë, duke fyer, lënduar, abuzuar dhe cenuar të drejtat e të tjerëve, e ka gabim dhe është abuzues ndaj fesë, sepse aty ku nuk ka norma dhe moral, nuk ka besim dhe fe, pasi besimi i vërtetë kërkon të pajisesh me karakter të virtytshëm dhe të braktisësh çdo sjellje të qortueshme. Për ta ilustruar këtë që thamë, dëgjojeni këtë hadith të Profetit Muhamed.
Ebu Hurejre përcjell se një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) dhe i tha: O i Dërguari i Zotit! Filan grua shquhet për faljet e shumta, agjërimin dhe bamirësinë e saj, porse ajo i lëndon fqinjët me gjuhën e saj? Ai tha: “Ajo është në Xhehenem”. Ai sërish tha: O i Dërguari i Zotit! Filania nuk njihet për agjërim, lëmoshë dhe namaz të shumtë, ajo jep sadaka nga copëzat e djathit dhe nuk i dëmton fqinjët me gjuhën e saj? Ai tha: “Ajo është në Xhenet”. Ahmedi, Bezari dhe Ibn Hiban, hadithin e ka saktësuar Albani.
Kështu që, nëse do t’i hedhim një vështrim Kuranit do të gjejmë se Allahu flet qartë se besimi është i lidhur me sjelljen dhe virtytet. Allahu thotë në suren Maide:
يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ كُونُواْ قَوَّٰمِينَ لِلَّهِ شُهَدَآءَ بِٱلۡقِسۡطِۖ وَلَا يَجۡرِمَنَّكُمۡ شَنَـَٔانُ قَوۡمٍ عَلَىٰٓ أَلَّا تَعۡدِلُواْۚ ٱعۡدِلُواْ هُوَ أَقۡرَبُ لِلتَّقۡوَىٰۖ وَٱتَّقُواْ ٱللَّهَۚ إِنَّ ٱللَّهَ خَبِيرُۢ بِمَا تَعۡمَلُونَ
“O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e Allahut dhe bëhuni dëshmues me drejtësi! Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut…”. [ajeti: 8]
Në suren Ahzab thotë:
يا أَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱتَّقُواْ ٱللَّهَ وَقُولُواْ قَوۡلا سَدِيدا
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën”. [ajeti: 70] dhe shembuj të tillë ka plotë në Kuranin famëlartë.
Ndërsa në traditën Profetike do gjejmë se Ebu Shurejhu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Betohem në Allahun se nuk ka besuar! Betohem në Allahun se nuk ka besuar! Betohem në Allahun se nuk ka besuar!” I thanë: “Kush, o i Dërguari i Allahut?” Tha: “Ai (besimtar), fqinji i të cilit nuk ndihet i sigurt prej të këqijave të tij.” Buhariu nr. 6016.
Po ashtu Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka besuar asnjëri prej jush, derisa të dojë për vëllanë e vet atë që e do për vete”. Buhariu nr: 13, dhe Muslimi nr: 45.
E dyta: Muslimanët e kanë Kuranin -dhe traditën Profetike- referencë për çdo gjë dhe në çdo aspekt të jetës së tyre, pasi Kurani është shpallje nga Zoti që është i Gjithëdijshëm për atë që është në dobi të njeriut si në këtë botë dhe tjetrën. Po Kurani është referenca më e sigurt, sepse Allahu ka garantuar se atij nuk i afrohet e kota nga asnjë anë, është i ruajtur dhe i pandryshueshëm, si dhe i dobishëm dhe përshtatshëm në çdo kohë dhe vend. Ndërsa sistemet njerëzore nuk kanë garanci, pasi ato shpesh formulohen në bazë të axhendave, tekave dhe dëshirave të njerëzve të cilët janë të shthurur, apo që përpiqen të deformojnë sistemin moral dhe shoqëror, në mënyrë që të realizojnë qëllime të caktuara. Pra nëse imoraliteti dikur ka qenë një vepër e qortueshme, sot në shumë shoqëri shihet si qytetërim, emancipim etj. Nëse dikur mbajtja e besës dhe fjalës ka qenë diçka e madhe, sot ky moral ka humbur tek një pjesë e mirë e shoqërisë. Pra sistemi moral dhe shoqëror nuk ka garanci përderisa i lihet në dorë njeriut, ndërsa Kurani është i pandryshueshëm, vlerat tek ai janë të njëjta që në ditën që ka zbritur e derisa ai të gjendet në tokë.
Ndaj dhe muslimanët e marrin Kuranin por edhe traditën Profetike që është shpjegues e Kuranit, si referencë në ndërtimin e raporteve të tyre me Zotin, por edhe në raportet e tyre shoqërore dhe ndërnjerëzore.
Vazhdon