Kufijtë e ‘Pragmatizmit’ në Islam

Lidhja e Hoxhallarëve
23 minuta lexim

Dr. Sad ibn Rashid et-Temimi

Termi pragmatizëm

Përdorimi i termit ‘pragmatizëm’ është kaq shumë i përhapur saqë kuptimi i tij është i njohur tek të gjithë ata që merren me politikë, çështje sociale etj. Edhe pse kuptimi i synuar është pothuajse i kuptueshëm, është më mirë të përdoret përkthimi i tij në gjuhën arabe. Ndër përkthimet që i bëhen këtij termi është: “en-nef’ijetu” (dobishmëria), “el-uakijijetu” (realizëm) dhe “edh-dheraietu” (oportunizëm), ku të gjitha janë fjalë që e shprehin kuptimin, por nëse shihet konteksti në të cilin përdoret më shpesh termi “pragmatizëm”, fjala “dobishmëri” mund të jetë më afër kuptimit gjuhësor. Megjithatë, për shkak se ajo ka një nënkuptim të njëanshëm në arabisht, në këtë shkrim do të përdoret termi “pragmatizëm”. ‘Pragmatizmi’ është një term i ri që përfshin koncepte të drejta dhe të gabuara, dhe gjykimi për të kërkon detaje dhe sqarime.

Çështja është urgjente.

Diskutimi mbi këtë çështje është bërë një domosdoshmëri pas valës së ekstremizmit në të dy drejtimet – nga njëra anë, fleksibiliteti i tepruar që e bën fenë leckë, dhe nga ana tjetër, ngurtësia që e ngushton së tepërmi fenë. Disa lëvizje islame, e disa që konsiderohen si pjesë e dijetarëve të fesë, e disa nga ata që përshkruhen si mendimtarë islamë, i kanë zgjeruar kufijtë e “pragmatizmit” aq sa kanë rënë në shkelje të parimeve themelore të Islamit, ndërsa të tjerët i kanë ngushtuar këto kufij, aq sa kanë mbyllur edhe hapësirat e lejuara, a thua se ata janë më të përkushtuar ndaj fesë se modeli ynë ideal, Muhamedi ﷺ. Për këtë arsye, kjo çështje duhet sqaruar, në mënyrë që të bëhet e kuptueshme për ata që gjenden në situata të detyruara të përballen me kufijtë e “pragmatizmit” në Islam.

Pragmatizmi dhe interesi

Këtu duhet të sqarohet se studimi i temës së “pragmatizmit” nuk është një përsëritje e studimit të temës së “interesit”. Edhe pse ka ndërthurje midis tyre, kahu i diskutimit është i ndryshëm. Tema e interesit ndërkohë është trajtuar gjerësisht me hulumtime, shkrime dhe analiza, që kur ka nisur strukturimi i së drejtës islame dhe që nga zanafilla e shkollave juridike islame. Biblioteka islame është e pasur me libra, studime, fetave, komente, si dhe me teza master dhe doktorature që kanë trajtuar këtë temë mjaftueshëm, duke e bërë të panevojshme një diskutim të mëtejshëm rreth saj.

Parimet dhe zbatimi

Islami vendos ekuilibër mes idealizmit në parime dhe realizmit në zbatimin praktik, qoftë në nivel individual, grupi apo autoriteti pushtetar. Këtu fillon edhe konfuzioni tek ata që merren me çështjen e “pragmatizmit”, pasi parimet, themelet dhe konstantet kanë një gjykim të caktuar, ndërsa zbatimi dhe trajtimi i drejtpërdrejtë kanë një gjykim tjetër. Nuk është pjesë e trajtimit metodologjik e as logjik t’i ngatërrosh këto aspekte. Dhënia fund e kësaj ngatërrese do të çojë në mbylljen e një pjese të madhe të mosmarrëveshjeve lidhur me çështjen e “pragmatizmit”.

Në këtë kontekst, me “parime” nënkuptohen të gjitha ato konstante që nuk ndryshojnë sipas kohës dhe vendit, si p.sh. argumentet përfundimtare, treguesit madhorë të teksteve të Kuranit dhe të Sunetit, rregullat madhore në fe, themelet e përgjithshme të besimit, ajo që është rënë dakord nga ymeti në fikh, si dhe objektivat e legjislacionit islam. Këto janë konstante, dhe teorikisht nuk lejohet as ixhtihadi dhe as ndryshimi njerëzor në to. Me fjalë të tjera, ato nuk preken apo nuk kërkohet ndryshimi i tyre, sepse kjo nënkupton rrëzimin e themeleve dhe çon në krijimin e një mendimi që i kundërshton ato dhe çështjet që janë ndërtuar mbi to, gjë që domosdoshmërish çon në lindjen e një shkolle të re abuzive (bidatit), e cila i shtohet trendeve të shumta abuzive.

Nga ana tjetër, ato çështje që nuk gjenden nën kategorinë e konstanteve fetare, i përkasin fushës së përzgjedhjeve fikhore. Këtu ka hapësira për ndryshime, përkundër konstanteve që nuk ndryshojnë. Ajo që kërkohet nga muxhtehidi është të përzgjedh atë që e vlerëson si më të përshtatshme për interesat e myslimanëve, brenda asaj që lejohet nga Sheriati Islam. Këtu futen edhe çështjet që lidhen me zbatimin e gjykimeve për raste specifike. Dëshmitë nga Kurani, Suneti, jeta e Profetit ﷺ dhe aplikimet e sahabëve janë të shumta dhe tregojnë se këto lloj çështjesh zotërojnë një hapësirë të caktuar manovrimi në terren. Kjo hapësirë ndryshon në varësi të faktorëve të ndryshëm, ndër të cilët më të rëndësishmit janë:

I pari: Gjykimi sheriatik normativ (asli) për çështjen.

Nëse niveli i këtij gjykimi sheriatik normativ afrohet me nivelin e parimeve, hapësira e manovrimit (kufiri) ngushtohet, ndërsa nëse ai zhvendoset larg nga niveli i parimeve, hapësira e manovrimit zgjerohet.

I dyti: Faktorët kohorë, vendorë, njerëzorë dhe rrethanorë, në të cilët zbatohet ky gjykim sheriatik.

Nëse këta faktorë anojnë më afër gjendjes së shtypjes, detyrimit dhe pafuqisë, hapësira e manovrimit zgjerohet; ndërsa nëse situata është më afër mundësisë së zbatimit, posedimit të forcës dhe përballimit, atëherë hapësira e manovrimit ngushtohet. Po kështu, efekti që ka dobia dhe dëmi, ka të njëjtin ndikim në zgjedhjen e ‘pragmatizmit’ ose në refuzimin e tij.

Kjo është e ngjashme me dallimin që dijetarët bëjnë midis një gjykimi sheriatik dhe fetvasë: gjykimi sheriatik është i pandryshueshëm dhe nuk varet nga rrethanat, koha apo vendi, ndërsa fetvaja ndryshon sipas faktorëve, rrethanave dhe situatës së kërkuesit të saj.

Niveli individual

Në nivel individual, “pragmatizmi” nuk shkakton ndonjë mosmarrëveshje të madhe, për shkak se ekzistojnë argumente të qarta që konfirmojnë ekzistencën e hapësirave për justifikim, si detyrimi, domosdoshmëria, padija dhe frika, përveç përjashtimeve të hollësishme të parashikuara në sheriat, si rastet kur lejohet ose kërkohet gënjeshtra dhe përgojimi.

Duke qenë se çështja ka të bëjë me individët, problemi i saj është i kufizuar, pasi ndikimi i saj përqendrohet vetëm tek individi ose në një rreth të vogël pranë tij, sido që ai të veprojë saktë apo gabim në zbatimin e pragmatizmit.

Kjo nuk do të thotë, natyrisht, që përjashtimet – të cilat sheriati i ka përcaktuar si përjashtime – të transformohen në rregulla dhe parime themelore, sepse kjo i kthen ato nga një çështje individuale në një parim të përgjithshëm për të gjithë shoqërinë. Gjithashtu, vendimi për t’u përdorur “pragmatizmi” bie me rënien e arsyeve që shpien drejt tij, duk iu kthyer kështu gjykimit normativ.

Në nivel grupi dhe pushteti

Interpretimi fikhor i çështjes së “pragmatizmit” për nivelin e grupit dhe të pushtetit është më i rrezikshëm se në nivelin individi, për shkak se lidhet me fatin e kombit, ndikimin e tij tek njerëzit dhe përhapjen e efektit të tij në kohë. Teorizimi mbi këtë çështje është më sfidues se në rastin individual, për shkak të shumëllojshmërisë së sfidave dhe ndërthurjes së interesave dhe dëmeve. Prandaj, çdo rast duhet të shqyrtohet me objektivitet dhe kujdes, duke marrë në konsideratë dy elementët e përmendur: gjykimin sheriatik normativ dhe të dhënat e aktualitetit.

Personi me ndikim

Ajo që vlen për grupin dhe pushtetin vlen edhe për personin me ndikim nga mesi dijetarëve, mendimtarëve, autorëve dhe aktivistëve të njohur, për shkak të ndikimit të fjalëve dhe qëndrimeve të tyre tek njerëzit. Në fakt, disa prej këtyre individëve me ndjekës kanë ndikim më të fortë se disa grupe. Rastet kur këta individë përdorin “pragmatizmin” kanë pasoja më të thella se ato që vijnë nga grupet; së pari, për shkak se ata kanë një ndikim të fuqishëm në mesin e masave dhe konsiderohen modele për t’u ndjekur, dhe së dyti, sepse nuk janë të detyruar të konsultohen apo të kërkojnë leje nga askush, duke i lehtësuar kështu marrjen e këtyre qëndrimeve apo sjelljeve. Një shembull i tillë është Imam Ahmed ibn Hanbel, i cili nuk mori parasysh lehtësimin sheriatik dhe vërejti se çështja ishte aq serioze sa që kërkonte një qëndrim të paepur.

Shembuj Profetikë

Ndër shembujt e njohur që mund të përfshihen në kuptimin e saktë të pragmatizmit në Islam janë: tregohet se Profeti ﷺ nuk i ka vrarë hipokritët, edhe pse i njihte shumicën e tyre se cilët ishin, (për shkak që kjo të mos shihej si eliminim i “ndjekësve” të tij). Po ashtu, ai ishte i gatshëm t’i dorëzonte një të tretën e prodhimeve të qytetit aleancës së klaneve (që rrethuan Medinën në luftën e Hendekut). Ai pranoi kushtet që dukej se ishin të padrejta në Hudejbije. Ai lejoi që Nuajm ibn Mesudi të çorodiste jehudët dhe politeistët. Ai i dha shenjë përmes aludimit Ebu Xhendelit, që ai të zhvillojë një luftë guerile kundër Kurejshve. Ai e braktisi rindërtimin e Qabesë dhe përfshirjen e murit të Ismailit brenda saj, edhe pse kishte dëshirë të bënte këtë gjë.

Rregullat e aplikimit të “pragmatizmit”

Duke ndjekur këto ngjarje dhe të tjera, e duke i lidhur ato me tekstet e Kuranit dhe të Sunetit, mund të nxirren një grup rregullash ose udhëzimesh, që sqarojnë këtë hapësirë dhe ndihmojnë në përcaktimin e kufijve të sferës sheriatike për pragmatizmin apo të jetuarit me realitetin. Kjo është një përpjekje për të nxjerrë disa nga këto rregulla, duke marrë në konsideratë të gjitha ato që janë përmendur më parë:

Rregulli i parë:

Çdo deklaratë, veprim apo vendim pragmatik duhet të zbatohet në situata taktike (në detaje) dhe jo në ato strategjike, pasi niveli strategjik është i lidhur në mënyrë thelbësore me parimet themelore, dhe çdo lehtësim në këtë drejtim konsiderohet një kompromis me parimet. Ndërkohë, në rastet taktike, nuk ndodh një neglizhencë e tillë e parimeve, siç tregohet kjo në rastet e përmendura në jetën profetike.

Nuk ka asgjë të gabuar, për shembull, në pranimin e disa protokolleve formale, të cilat përmbajnë shkelje të kufizuara sheriatike, që nuk cenojnë besimin apo metodologjinë, në kërkim të arritjes së një interesi më të madh. Megjithatë, nuk lejohet që të pezullohet një shtyllë e fesë ose një simbolikë madhore e fesë, apo të shkelet një parim bazik i pandryshueshëm, vetëm me argumentin e përmbushjes së një interesi.

Rregulli i dytë:

Lideri, dijetari, reformatori, udhëheqës i grupit ose përfaqësues i tij ka të drejtë të shtyjë deklarimin e së vërtetës në favor të një interesi të caktuar, por nuk lejohet që të thotë gënjeshtra. Në të njëjtën mënyrë, ai mund të shtyjë zbatimin e një veprimi të detyrueshëm në dobi të një interesi të caktuar, por nuk ka të drejtë të mohojë obligimin e këtij veprimi sipas sheriatit dhe të mohojë obligimin e kësaj vepre duke përdorur argumentin e “pragmatizmit” dhe të interesit.

Për shembull, në përpjekje për të arritur një interes më të madh, lejohet heshtja ndaj padrejtësisë, korrupsionit ose gabimeve të kryera nga pushteti, nëse ekziston dikush tjetër që e ka kryer detyrën apo në rastet kur ky qëndrim mund të shtyhet në një kohë tjetër më të përshtatshme. Megjithatë, nuk lejohet lëshimi i një deklarate ose fetvaje që miraton padrejtësinë e pushtetit apo korrupsionin e tij, siç bëjnë disa institucione fetare në botën arabe. Po ashtu, është e lejuar të shtyhet ofrimi i ndihmës për dikë që i është bërë padrejtësi apo për të mbështetur një të shtypur, dhe kjo në favor të një interesi të dukshëm më të madh, por nuk lejohet të distancohesh nga viktima apo i shtypuri dhe të mbështetësh pushtetin e padrejtë kundër tij, me arsyen e interesit.

Rregulli i tretë:

Individi i zakonshëm, edhe nëse konsiderohet si pjesë e një grupi, por ndërkohë nuk është pjesë e strukturës së udhëheqjes dhe përgjegjësisë dhe nuk konsiderohet përfaqësues i grupit, ka të drejtë të veprojë ashtu siç nuk mund të veprojë një udhëheqës, sundimtar ose dijetar i njohur. Për shembull, Ebu Xhendeli arriti të bllokojë Kurejshët, sepse ai nuk ishte i detyruar të zbatonte marrëveshjen që myslimanët kishin me Kurejshët dhe veprimi i tij ishte jashtë kuadrit të udhëheqjes islame të kohës së tij. Profeti ﷺ gjithashtu nuk i ngarkoi atij një përgjegjësi të drejtpërdrejtë, në mënyrë që kjo të mos shkelte marrëveshjen me Kurejshët, por i dha një sinjal që e arriti qëllimin pa shkelur marrëveshjen, duke bërë që qëllimi i tij të realizohej. Kjo sepse nuk lejohet që një udhëheqës, përfaqësues i një grupi ose një individ me ndikim, të shkelë marrëveshjet dhe kontratat që sheriati ka pranuar.

Rregulli i katërt:

Veprimet diskrete, të cilat kryhen në mënyrë jopublike, që garantojnë se nuk i përkasin atij që përfaqëson një grup ose një individ i ndjekur, kanë një hapësirë më të gjerë se ato veprime ose lëvizje që bëhen në mënyrë publike nga këto entitete. Për shembull, Nuajm ibn Mesudi arriti (që në luftën e Hendekut) të çorientojë klanet (Kurejsh, Gatafan dhe jehudët) duke vepruar në mënyrë të fshehtë, duke i gënjyer ata, gjë kjo që nuk mund të bëhej nga udhëheqja. Gjëra të tilla nuk lejohet të bëhen publike nga udhëheqësi, grupi ose individi i ndjekur, sepse publikimi i tyre do të shihet si kthimi i kësaj praktike përjashtimore të veçantë në një parim bazik, dhe më pas normalizimi i saj, gjë që është e papranueshme sipas sheriatit.

Rregulli i gjashtë:

Duhet të merret parasysh gjendja e myslimanëve për sa i përket forcës dhe dobësisë së tyre, përhapjes së Islamit apo mungesës së prezencës së tij. Ajo që mund të lejohet në një situatë ku myslimanët janë të dobët dhe të dominuar nga të tjerët, mund të mos lejohet në një vend ku shumica e popullit beson në Islam dhe Sheriat, dhe ku feja zotëron një autoritet të fortë. Kështu, situata në Evropë dhe Amerikë, apo madje edhe në Turqi dhe Tunizi, ku Shekullarizmi ka zënë rrënjë, mund të tolerojë gjëra që nuk lejohen në vende si Egjipti, Arabia Saudite, Jemeni ose Sudani.

Për këtë arsye, myslimanët u urdhëruan të ndalen nga përdorimi i armëve gjatë periudhës së Mekës, sepse nuk ishte në interesin e tyre të përballonin mohuesit e fuqishëm me armë. “A nuk i ke parë ata të cilëve iu tha: “Mbani duart tuaja dhe falni namazin e jepni zekatin.”” – (en-Nisa: 77).

Rregulli i shtatë:

Ka dallim mes asaj se kur një individ i ndjekur ose një grup ka nevojë për një qëndrim “pragmatik”, që ndodhet brenda rregullave të përmendura më parë, dhe asaj se kur ata e transformojnë veprën e tyre në një teori që braktisë parimet. Për shembull, një grup ose një individ me influencë mund të vendosë të kontribuojë përkohësisht në një bashkëpunim me persona të dyshimtë në fe dhe ide, për të përmbushur një interes të lidhur me një situatë të caktuar. Por nuk lejohet që ky grup ose ky individ me ndikim të marrë një qëndrim të përhershëm, duke miratuar kështu një marrëdhënie të plotë e pa kufizime me ata që janë të dyshimtë në fe dhe idetë e tyre. Gjithashtu, është e papranueshme që të sajohen rregulla sheriatike që transformojnë një përjashtim të tillë në një gjykim të përgjithshëm dhe në një rregull bazik.

Rregulli i tetë:

Ka raste që ndodhin tejkalime të udhëzimeve dhe rregullave, kur merren në konsideratë interesat ose anulohen ato në bazë të “pragmatizmit”. Në këtë drejtim mund të ndodhin konfuzione, gabime dhe pështjellime, për shkak të zgjerimit të praktikave pragmatike. Në këto raste, nuk ka asgjë të gabuar që këto tejkalime të cilësohen si të gabuara, sipas asaj që meritojnë sheriatikisht. Megjithatë, kjo nuk nënkupton domosdoshmërish se ky gjykim vlen edhe për personin ose grupin që e ka kryer veprën, sepse gjykimi mbi vetë veprën nuk nënkupton se automatikisht personi që e ka kryer meriton të gjykohet në të njëjtën mënyrë. Kjo i ngjan dallimit që bëjnë dijetarët midis tekfirit të një veprimi dhe tekfirit të individit të veçantë.

Kur një grup nuk e quan aspak të madhe normalizimin e marrëdhënieve me entitetin sionist apo lidhjen e një aleance me Iranin, çka janë shkelje të rënda, dhe duhen cilësuar si të tilla, megjithatë, kjo nuk nënkupton automatikisht se kush e ka kryer këtë veprim duhet të cilësohet në të njëjtën mënyrë, përderisa të plotësohen kushtet dhe të mos jenë të pranishme pengesat. Në një hadith, është treguar se Profeti ﷺ nuk e ndëshkoi Hatib ibn Ebi Beltan, megjithëse ajo çka ai bëri konsiderohet në dukje si tradhti e madhe, dhe kjo për shkak të konsideratave sheriatike që pengonin përshkrimin e tij si të tillë apo ndëshkimin e tij për këtë vepër.

Vetëm Ehli Suneh

Këto rregulla janë nxjerrë duke iu referuar metodologjisë së ndjekësve të Sunetit, sepse fraksionet e tjera kanë teorizime të tjera. Disa prej tyre, siç është rasti i shiitëve, e zgjerojnë këtë hapësirë, për shembull, në parimin e tukjes; disa mutezilitë i japin përparësi interesit para tekstit sheriatik; po kështu edhe ata që quhen sot si “myslimanë liberal” që konsiderohen – nga disa këndvështrime – si vazhdimësi e mutezilitëve, duke teorizuar mosaplikimin e shumë prej rregullave sheriatike. Ndërkohë, ka edhe fraksione të tjera që pothuajse e mohojnë pragmatizmin, siç janë havarixhët dhe disa grupe ekstremiste të xhihadit që u ngjajnë atyre, të cilët nuk e përdorin “pragmatizmin” përveçse për të justifikuar tekfirin e kundërshtarëve dhe vrasjen e tyre.