Adhurimi i fshehtë – Sekreti i sinqeritetit

Lidhja e Hoxhallarëve
7 minuta lexim

بسم الله الرحمن الرحيم

Fehd el Amari

Një nga shkallët më të larta të adhurimit është adhurimi i fshehtë, i cili është më i dashuri tek Allahu, më i dobishmi për zemrën dhe më i vlefshmi si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër.

  • Fshehja e veprave të mira dhe vazhdimi i tyre në fshehtësi është ndër cilësitë më të veçanta të besimtarit të sinqertë dhe të devotshëm. Sa më e fshehtë të jetë vepra, aq më afër është sinqeritetit dhe pranimit nga Allahu, dhe aq më larg është nga hipokrizia dhe lavdërimi i njerëzve.
  • Veprat e mira të ruajtura në fshehtësi janë një thesar për besimtarët në kohë vështirësish dhe sprovash, duke i ndihmuar ata të qëndrojnë të palëkundur dhe të mbrohen nga dyshimet dhe sprovat e kohës. Ato bëhen një shkak për shpëtimin e tyre kur i rrethojnë errësirat.
  • Besimtari kujdeset që të ketë një pjesë të veprave të tij të mira vetëm mes tij dhe Zotit të tij, duke i kryer ato me sinqeritet dhe duke i ruajtur për një ditë kur do t’i nevojiten më shumë. Ai nuk i kërkon shpërblimet nga krijesat, por nga Krijuesi i tij, dhe synon që dobia e tyre të arrijë aty ku është më e nevojshme. Profeti ﷺ ka thënë:“Ajo që më frikëson më shumë për ju është shirku i vogël.” Ata e pyetën: “Çfarë është shirku i vogël, o i Dërguari i Allahut?” Ai u përgjigj: “Hipokrizia! Allahu do t’u thotë njerëzve Ditën e Gjykimit, kur t’u japë shpërblimet për veprat e tyre: ‘Shkoni te ata që donit t’ju shihnin dhe shikoni nëse do të gjeni shpërblim te ta’!” (Ahmedi).
  • E fshehta e veprave të mira është parimi bazë i adhurimeve vullnetare, sepse kështu ato janë më të dobishme për shpirtin, më të mbrojtura nga devijimi dhe më të çmuara tek Allahu. Allahu ka thënë: “Nëse një bamirësi e shfaqni, ajo është e mirë, por nëse e fshehni dhe ua jepni të varfërve, kjo është më e dobishme për ju.” (Bekare 271). Profeti ﷺ ka thënë: “Allahu e do robin e devotshëm, të pastër dhe të fshehtë.” (Muslimi). E ka thënë: “Sadakaja e dhënë fshehurazi e shuan zemërimin e Zotit.” (Tabarani). Në një tjetër hadith, Profeti ﷺ ka përmendur një njeri që përmend Allahun në vetmi dhe i rrjedhin lotët nga frika dhe dashuria për Të. (Buhariu). Dhe ka porositur: “Mos i bëni shtëpitë tuaja si varreza.” (Muslimi)
  • Nga Zubejri është përcjellë se ka thënë: “Nëse mundesh të bësh që mes teje dhe Allahut të mbetet një adhurim i fshehtë, atëherë bëje!”
  • Imam Shafiu ka thënë: “Kujdesu që veprën tënde të mirë ta mbash të fshehtë, sepse ajo që shihet nga njerëzit ka pak dobi në ahiret.”
  • Vepra e fshehtë e ka ndikimin më të madh në zemër dhe sjell një dritë të veçantë në shpirt. Ajo është rruga më e sigurt drejt sinqeritetit dhe shpëtimit në Ditën e Gjykimit.
  • Ndonjëherë, shfaqja e veprave të mira është më e mirë sesa fshehja e tyre, por vetëm nëse personi është i sigurt nga hipokrizia dhe lavdërimi i njerëzve. Kush është një udhëheqës dhe dëshiron që veprat e tij të bëhen shembull për të tjerët, atëherë shpallja e tyre mund të jetë më e mirë. Por, nëse e frikëson hipokrizia, atëherë fshehja është më e sigurt dhe më e pëlqyer. Shejtani përdor shumë rrugë për të mashtruar zemrat, dhe ndonjëherë mund të shtyjë njeriun të shfaqë veprat e tij, duke i zbukuruar ato me justifikimin se “po inkurajon të tjerët”. Por, nëse nuk e ka sinqeritetin e plotë, kjo mund ta çojë në humbjen e shpërblimit.
  • Brezi i parë i muslimanëve (sahabët dhe të parët e devotshëm) e ruanin veprat e tyre të mira aq shumë, saqë edhe familjarët e tyre nuk i dinin. Ata do të jepnin sadaka në fshehtësi dhe nuk do t’ia tregonin askujt. Kur u tregohej për një vepër të mirë, ata do të thoshin:“Mbajeni veprën e mirë të fshehur ashtu siç mbani të fshehura mëkatet.”
  • Besimtari i vërtetë ka frikë për sinqeritetin e tij dhe për pastrinë e qëllimit. Ai nuk i beson vetes së tij dhe gjithmonë e pyet zemrën: A e bëra këtë për Allahun, apo për njerëzit?
  • Sa e çuditshme është koha jonë! Shumë njerëz shfaqin veprat e tyre në rrjetet sociale çdo ditë – publikojnë bamirësinë e tyre, lutjet e tyre, vizitat në xhami, veprat e mira, duke kërkuar lavdërime nga të tjerët. Ndërsa të parët e devotshëm e ruanin sinqeritetin e tyre si një thesar të shenjtë.
  • Aliu, biri i Husejnit, e mbante bukën mbi shpinë natën dhe e shpërndante tek të varfrit në errësirë, duke thënë: “Sadakaja e fshehtë gjatë natës e shuan zemërimin e Zotit.” Ai kujdesej për jetesën e njëqind familjeve në Medinë, dhe kur ai ndërroi jetë, ata nuk e dinin nga vinte ndihma e tyre. Amr ibn Thabit ka thënë: “Kur vdiq Aliu, biri i Husejnit, njerëzit e panë shenjat në shpinën e tij nga barra që mbante për t’ua dërguar të varfërve gjatë natës.”
  • Ibën Kasimi ka thënë: “Unë kam njohur njerëz që vepronin të mira natën për gratë e veja, duke u dërguar ushqime fshehurazi.”
  • Një njeri në saf (rresht) gjatë namazit lotonin sytë e tij, por askush nuk e hetonte atë që ndodhte pranë tij.

O Allah, na dhuro sinqeritet të pastër për Ty! Paqja dhe bekimet qofshin mbi Profetin tonë Muhamed ﷺ, mbi familjen dhe shokët e tij!