A lejohet betimi “për besë”?

Lidhja e Hoxhallarëve
3 minuta lexim

بسم الله الرحمن الرحيم

Pyetje: A lejohet betimi; “për besë”, sepse disa thonë që nga përdorimi i tepërt nuk futet te betimet e ndaluara?
Përgjigje: Fjala “besë” në gjuhën shqipe ka një dimension të gjerë kuptimor. Besa nënkupton fjalën e dhënë e cila duhet mbajtur, ose premtimin që nuk duhet shkelur, apo fjalën e nderit për të plotësuar domosdoshmërisht një detyrim. Besa gjithashtu nënkupton zotimin për pezullim të përkohshëm ose të përhershëm të armiqësisë ose mbrojtjen që siguronte mikpritësi për mikun për sa kohë do qëndronte tek ai. Po ashtu besa nënkupton çiltërinë, besnikërinë dhe ndershmërinë e dikujt dhe besimin e plotë tek ai, nënkupton besimin fetar etj.
Kësisoj, besa si fjalë ka një përdorim tepër të gjerë kuptimor dhe përbën një koncept të mirëfilltë kulturor te shqiptarët. Për shembull, shprehja; Besa-besë, është një zotim solemn për të vepruar bashkërisht për një qëllim të caktuar, përdoret edhe si fjalë e nderit që i jepet për të përkrahur dikë ose për t’u lidhur me të. Ndërsa shprehja; Për besë! Herë merr kuptimin e një betimi (për fjalë të nderit), herë merr kuptim përforcues të një bisede (me të vërtetë), siç përdoret ndryshe: Po besa! Jo besa!
Në kuptimin e betimit ajo i referohet traditës shqiptare ku Besa konsiderohej si një koncept i shenjtë, që lidhej ngushtë me besime të lashta se zotimi apo amaneti kishte forcë hyjnore ose mistike që dënonte ata që e shkelin.
Gjithsesi, mund të themi se është e ndaluar ose e lejuar vetëm nëse bëhet i qartë qëllimi i përdorimit sipas kontekstit shprehimor ku kjo fjalë përdoret.
Nëse përdoret në kontekst ku nuk ka betim, lejohet, por nëse përdoret me qëllim betimi është e ndaluar, sepse Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Kush betohet në tjetër kënd përveç Allahut ka bërë shirk.” (Transmetuan Ebu Davudi nr. 3251 dhe Tirmidhiu nr 1535) Madje betimi: për besë, është i ndaluar me tekst të posaçëm ku Profeti (alejhissalatu uesselam) thotë: “Kush betohet për besën (el-emaneh), nuk është prej nesh.” (Transmetuan Ebu Davudi nr. 3253 dhe Ahmedi në el-Musned nr. 22980)
Për këtë arsye nuk duhet nxituar për të gjykuar apo për të akuzuar dikë se ka bërë diçka të ndaluar pa u siguruar mirë në kontekstin kuptimor dhe qëllimin e përdorimit të shprehjes. Gjithsesi këshillojmë që shprehjet, të cilat përdoren në më shumë se një kuptim, pra duke përfshirë betimin ose diçka tjetër përtej betimit, preferohet të mos përdoren për të qenë më të sigurtë dhe larg keqkuptimeve.
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH