🔸 Sot, umeti po vuan nga një kaos në çështjet e shpalljes së njerëzve si bidatçinj, gjynahqarë, jobesimtarë dhe nga etiketimet e klasifikimet. Janë shfaqur disa njerëz – prej tyre të rinj në moshë, dije e mendje – të cilët, sipas dëshirës së tyre, fusin kë të duan në Islam, në iman, në sunet dhe në ndjekjen e selefëve, dhe nxjerrin prej tyre kë të duan, duke u mbështetur në standardet që kanë ndërtuar në mendjet, idetë dhe metodën e tyre; jo sipas kritereve të dijetarëve dhe fjalëve të selefëve. Madje, shpesh ndjekin parimin: “Nëse nuk je me mua, atëherë nuk je prej Ehli Sunnetit dhe selefëve të mirë.” Shumë prej këtyre qasjeve janë pa verifikim, pa argument, pa sqarim të aspektit të mosmarrëveshjes, pa shtjellim nëse ajo është prej çështjeve të dakorduara e unanime apo të ixhtihadit, dhe nëse është apo jo prej bidateve të ndaluara fetarisht. A është mosmarrëveshja në parime të përgjithshme apo në çështje të veçanta?
🔸 Ata e konsideruan se kush ka një medhheb në fikh nuk është në metodën e selefëve; kush lë disa sunete apo disa obligime dhe nuk ndjek shehlerët e tyre, nuk është në metodën e selefëve; kush nuk bën bidatçinj ata që ata i shpallin bidatçinj, nuk është në metodën e selefëve. Dhe kështu me çdo kundërshtim që nuk u pëlqen e nuk u përshtatet.
🔸 Çdo kush që gjykon mbi një person si kafir apo bidatçi pa argument të qartë dhe të dukshëm, Allahu do t’i marrë hakun të lënduarit nga ai që i bëri padrejtësi.
🔸 Çështja, për Allahun, është shumë e madhe dhe e rëndë: të gjykosh njerëzit si bidatçinj pa provë e pa argument. Duhet të bëhet dallim midis veprës dhe vepruesit.
🔸 Dijeni se sa më shumë t’u bëjë padrejtësi njeriu krijesave, aq më larg është nga udhëzimi dhe shikimi i të vërtetës dhe të gabuarës; dhe sa më i drejtë të jetë, aq më afër udhëzimit është. “Allahu nuk e udhëzon popullin zullumqar.”
🔸 Dëgjoje dijetarin e devotshëm, Ibn Kajimin, në librin e tij I’lamul Muak-ki’in: “Dijetari mund të të kundërshtojë dhe të të falë, ndërsa injoranti zullumqar të kundërshton pa provë, të shpall kafir ose të shpall bidatçi pa provë. Mëkati yt është se ti nuk pranon metodën e tij të dëmshme dhe sjelljen e tij të keqe. Mos u mashtro nga numri i shumtë i këtij lloji njerëzish, sepse mijëra prej tyre nuk barazohen as me një person të vetëm prej dijetarëve; dhe një dijetar i vetëm vlen sa plot toka prej tyre.”
🔸 Dëgjoje Tekiuddin Ibn Tejmijen në Xhamiu’l-Mesail, teksa jep një diagnozë të saktë: “Shumica e mosmarrëveshjeve mes njerëzve të arsyeshëm janë për shkak se ata nuk e kanë përfytyruar si duhet çështjen për të cilën po debatojnë. Sikur ta kishin përfytyruar plotësisht, mosmarrëveshja do të zhdukej.”
🔸 Në El-Istidhkar, nga Muhamed ibn Sirini, thuhet: “Disa njerëz lanë kërkimin e dijes dhe shoqërimin me dijetarët, e iu përkushtuan vetëm namazit e agjërimit, derisa lëkura e tyre u tha mbi kocka; pastaj kundërshtuan sunetin dhe u shkatërruan, madje derdhën gjakun e myslimanëve. Pasha Atë që nuk ka të adhuruar tjetër veç Tij, nuk ka vepruar ndonjë njeri ndonjë vepër pa dituri të saktë e me injorancë, veçse ka prishur më shumë sesa ka ndrequr.”
🔸 Sa shumë të këqija ka sjellë ky drejtim tek muslimanët, tek vendet e tyre, tek dija, tek thirrja islame, tek thirrësit, tek nxënësit e dijes, duke nxitur përçarje dhe duke penguar projektet islame.
🔸 U këshilloj të gjithëve që t’i frikësohen Allahut, ta kenë Atë në kujdes, të ruajnë gjuhët, të mbajnë unitetin, të jenë të drejtë e të paanshëm sipas asaj që do Allahu, jo sipas dëshirave e tekave; të kenë kujdes nga mashtrimet e egos në emër të fesë. Sepse ka një qëndrim para Zotit të botëve Ditën e Kiametit.
✍🏻 Shkroi: Fehd el-Amari
Gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Mekë.