Pyetje: Në kohën kur jam me menstruacione dhe lexoj Kuran, a duhet të bëj sexhde kur lexoj ajetet e sexhdes?
Përgjigje: Pa u futur në detaje për të trajtuar çështjen se a lejohet të lexojë femra me menstruacione Kuran apo jo, mund të përmendim shkurtimisht se shumica e dijetarëve e shohin të ndaluar që femra me menstruacione të lexojë Kuran me shqiptim (jo vetëm me mëndje), ndërsa një pjesë tjetër janë të mendimit se mund të lexojë. Kurse sa i përket sexhdes kur ajo lexon vetë, sepse beson se femra me menstruacione nuk e ka të ndaluar leximin e Kuranit, ose dëgjon ajetin e sexhdes nga recituesit e Kuranit, nuk lejohet të bëjë sexhden e tilaves sipas të katër shkollave juridike islame (medh-hebeve), sepse sexhdja konsiderohet si një nga pjesët përbërëse të namazit dhe ashtu sikur ndalohet namazi për femrat me menstruacione ashtu ndalohet dhe sexhdeja që është një nga elementët përbërës të namazit.
Imam Neveviu thotë: “Sikur namazi, ashtu dhe sexhdja e tilaves dhe e falënderimit janë të ndaluara të veprohen nga femrat me menstruacione. Kjo vlen edhe për namazin e xhenazes.” El-Mexhmu 2\353.
Andaj Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Allahu nuk e pranon namazin e askujt prej jush kur ai e prish abdesin derisa të marë abdes.” (Buhariu nr. 6954 dhe Muslimi nr. 225) Kështu që dhe sexhdeja, duke qenë pjesë nga pjesët përbërëse të namazit nuk lejohet të kryehet kur je me menstruacione. Kjo vlen edhe kur femrat janë të pastra pa menstruacione, por nuk kanë abdes, gjithashtu edhe për mashkullin i cili është xhunub, ose nuk ka abdes.
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH