Allahu që i rregullon gjërat me butësi

Lidhja e Hoxhallarëve
6 minuta lexim

Ulvi Fejzullahu

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve, Atij që me butësinë e Tij i rregullon punët e robërve, i ruan, i drejton dhe u dhuron të mira nga drejtime që ata as nuk i mendojnë.
Dëshmojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Një e të Vetëm, dhe se Muhamedi صلى الله عليه وسلم është rob dhe i Dërguari i Tij, dërguar me mëshirë, urtësi e dritë për gjithë botën.
Kuptimi i Emrit të Allahut (El-Letif)
Allahu është El-Latīf, i Buti, i Mirë dhe i Hollësishëm në veprimin e Tij.
Kur Ai dëshiron të të largojë të keqen, e bën këtë në mënyrën më të bukur dhe më të fshehtë:
– ose bën që ti të mos e shohësh të keqen,
– ose bën që e keqja të mos e gjejë rrugën drejt teje,
– ose ju bën të takoheni e të kaloni pranë njëri-tjetrit pa të prekur aspak.
Nëse ke një dëshirë që të duket e paarritshme, dhe mes teje e saj qëndrojnë male e pengesa, nëse mjekët të kanë thënë se nuk ka shpresë, nëse ndihesh i dëshpëruar sepse çdo përpjekje jote nuk po sjell atë që dëshiron, atëherë dije se Zoti yt është El-Letif.
Kur ta njohësh këtë Emër (El-Letif), do ta kuptosh se në këtë jetë nuk ka të pamundur, se Allahu mundet mbi çdo gjë, dhe se ëndrrat që duken të paarritshme bëhen të mundshme, kur troket në derën e El-Latīfit.

Emri “El-Letif” do të thotë:
Ai që tregon mirësinë e Tij me butësi e delikatesë..
Ai që u sjell dobi robërve të Tij pa e ndjerë ata si ndodh..
Ai që e di hollësinë e çdo gjëje dhe sekretet e shpirtrave.
Allahu është Ai që i bën mirë robërve të Tij fshehtas, u sjell furnizim, rrugëzgjidhje dhe ndihmë nga drejtime që nuk i presin, u hap rrugë në errësirë pa zhurmë, u dhuron pa i tronditur.
Ai është Zot që me butësinë e Tij i sjell ngjarjet e mëdha, ato që mendja e njeriut i mendon të pamundura, por Ai i bën të ndodhin!
Papritur, ndodh para teje diçka që duket si mrekulli dhe ti e di se nuk është forca jote ajo që e solli, por dora e padukshme e Zotit që vepron me dashuri dhe urtësi.
Atëherë ngrit sytë lart dhe thuaj me gjithë zemër:  “Allahu është i butë dhe i mirë me robërit e Tij.”

Të nderuar!
Era e Butësisë së Zotit ….
Kur Zoti (El-Letif) do të të ndihmojë, bën që ndonjë gjë e vogël, që zakonisht s’është arsye, të bëhet shkaku më i madh i ndihmës për ty!
Kur El-Letif do të të nderojë, bën që ai prej të cilit nuk pret asnjë të mirë, të bëhet arsyeja e dhuratave më të mëdha që të vijnë në jetë!
Kur El-Letif do të të ruajë nga e keqja:
– bën që të mos e shohësh fare,
– ose bën që ajo të mos gjejë rrugë deri te ti,
– ose ju bën të takoheni e të largoheni, pa të prekur ajo hiç.
Kur El-Letif do të të mbrojë nga gjynahu,
– të bën ta urresh vetë atë gjynah,
– ose ta bën të vështirë për t’u arritur,
– ose të bën të ndihesh i huaj ndaj tij,
– e nëse afrohesh, të del diçka që të ndalon në çast.
Robërit e Zotit e ndiejnë këtë mirësi të fshehtë, e shohin me sytë e zemrës, dhe çdo gjë që u ndodh, e kuptojnë se ka një prekje të butë prej Zotit, që vetëm zemra e sinqertë e ndien.

Shembuj nga pejgamberët
Kur El-Letif deshi të nxirrte Jusufin alejhis-selam nga burgu, nuk i rrëzoi muret, as dërgoi rrufe për t’ia thyer prangat, por bëri që mbreti të shihte një ëndërr dhe ajo ëndërr u bë shkaku i fshehtë dhe i butë që e nxori Jusufin nga terri (burgu) në dritë (liri).
Kur El-Letif deshi ta kthente Musën alejhis-selam në krahët e nënës së tij, nuk bëri luftë kundër Faraonit, por bëri që Musai i vogël të mos pranonte asnjë gji tjetër, derisa, me atë shenjë të butë e të fshehtë, u kthye në prehrin e nënës që ishte gati të humbiste shpirtin nga malli.

Përfundimi
O Zot, përveç Teje nuk kemi askënd tjetër.
Askush nuk dhuron si Ti.
O Ti që me butësinë Tënde largon të këqijat, me butësinë Tënde na ruaj nga çdo e keqe që afrohet tek ne.
Vërtet, Ti je El-Letif, që me gjërat më të vogla realizon punët më të mëdha, që vepron me urtësi të fshehtë, dhe robi as nuk e kupton se si çdo gjë u bë në mënyrën më të përsosur.