Fetë Qiellore

Lidhja e Hoxhallarëve
5 minuta lexim

بسم الله الرحمن الرحيم

 

Pyetje: Kemi dëgjuar dhe po shikojmë shpesh njerëz që ndalojnë përdorimin e shprehjes “Fetë qiellore”, ose “Fetë monoteiste”. Me sa dimë, fetë qiellore janë fetë që kanë burimin nga Zoti me shpallje hyjnore. Pse është e ndaluar kjo?

 

Përgjigje: Termi “Fetë qiellore” ka marrë një përdorim të gjerë jo vetëm te muslimanët, por edhe të jomuslimanët. Përdoret dhe në forma të tjera si “Fetë monoteiste” siç keni përmendur dhe ju në pyetje, por edhe “Fetë Abrahamike”. Qëllimet e përdorimit janë të ndryshme, sepse përdoruesit nuk janë të njëjtë, qoftë në aspektin ideologjik, qoftë në aspektin kulturor, përfshi këtu dhe anën politike ose synimet misionare të ndryshme.

Nëse bën një kërkim të thjeshtë në internet në Wikipedia do të gjesh këtë përkufizim:

“Fetë abrahamike janë një grup fesh të përqendruara rreth adhurimit të Zotit të Abrahamit. Abrahami, një patriark hebre, përmendet gjerësisht nëpër shkrimet fetare abrahamike, Torën, Ungjillin dhe Kuranin.”

Profetët e të tria feve: Islamit, Judaizmit dhe Krishterimit pohojnë se kanë prejardhje nga Ibrahimi a.s, (Abrahami) nëpërmjet dy djemve të tij; Ismailit (Ismaelit) nga ku rrjedhin arabët dhe Is’hakut (Isakut) nga ku rrjedhin hebrenjtë (nëpërmjet djalit të tij Jakobit).

Nga ana tjetër vërejmë se edhe Bahaizmi, Druzizmi, Samaritanizmi dhe besimi Rastafarian, pretendojnë klasifikimin abrahamik, nga vetë këto fe, ose nga hulumtuesit që i studiojnë ato.

Ndërsa për termin Monoteist hasim këtë përkufizim: “Monoteizmi është “besimi në një Zot” (nga greq. “μόνος”, monos = vetëm, një dhe ‘θεός’, theos = zot, perëndi) është besimi fetar në një hyjni të vetme të njohur me emërtimin Zoti. Më pas shënohet se fetë më të njohura monoteiste të radhitura në kohë janë: Judaizmi, Krishterimi, Islami, Zarathustrizmi dhe Bahaizmi.

Siç vërehet, kemi emërtime të ndryshme për fe abrahamike, ose fe monoteiste, përveç tri feve më të njohura. Pohimet se këto fe janë monoteiste kanë ngjallur debate të ndryshme nga vetë studiues jo muslimanë, të cilët pohojnë se përveç Islamit, fetë e tjera kanë brenda elemente politeizmi dhe paganizmi. Vetëm feja islame ruan konceptin unik të monoteizmit. Teuhidi (njëshmëria e Zotit) është baza e fesë islame, dhe kërkohet të zërë vend thellë në besimin e brendshëm, në çdo mendim të arsyes e në çdo ndjesi të zemrës, e më pas të manifestohet dhe të dëshmohet me fjalë dhe me vepra.

Duke u bazuar nga sa thamë, nëse termi “Fetë qiellore”, përdoret në kontekstin historik, pra me qëllimin se zanafilla e atyre feve ka qenë shpallje hyjnore nga Zoti, nuk është e ndaluar, haram. Edhe termi “Fetë monoteiste”, nëse përdoret duke nënkuptuar fetë qiellore, dhe se të gjithë profetët kanë ftuar në monoteizëm, gjithashtu nuk është e ndaluar, haram. Edhe pse mendojmë njëkohësisht se përdorimi i këtyre termave nuk është i pëlqyeshëm, që të mos keqkuptohet përdorimi. Por, nëse përdoret si term në një mjedis ku mundësia e keqkuptimit  është e dukshme, duke dalë nga konteksti e duke besuar se të gjitha fetë janë prej Zotit dhe janë të drejta, kjo gjë është e ndaluar. Kurse në rastin kur vërtet përdoruesi i këtyre termave beson se të gjitha fetë janë prej Zotit, janë të vërteta dhe të pranuara te Zoti, duke mos bërë dallim mes monoteizmit të vërtetë (njëshmërisë së Zotit/Allahut) në të gjitha aspektet, atëherë kjo përbën mëkat të madh që çon në blasfemi dhe dalje nga feja.

Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH