Dëshmitë logjike mbi ekzistencën e Allahut (II)

Lidhja e Hoxhallarëve
22 minuta lexim

Dëshmia e krijimit dhe e ekzistencës

E vërteta e këtij argumenti:
Thelbi i këtij argumenti qëndron në arsyetimin logjik mbi domosdoshmërinë e ekzistencës së Allahut, duke u bazuar në faktin e krijimit të universit me gjithë përbërësit dhe ndodhitë e tij. Universi është një ngjarje e ndodhur, një vepër e cila ka ardhur në ekzistencë pasi nuk ekzistonte; dhe çdo gjë që ndodh pas mosqenies duhet doemos të ketë një shkak dhe një krijues (veprues).

Bazat mbi të cilin ngrihet ky argument:    
Ky është një argument logjik i sigurt, që e përdorin të gjithë njerëzit me mendje të shëndoshë në jetën e tyre të përditshme, pa pasur nevojë për mësim apo studim të veçantë. Për këtë arsye, ky argument është ndër më të përhapurit dhe më të njohurit ndër besimtarët.

Premisat dhe përbërësit e argumentit të krijimit dhe ekzistencës:
Nga shpjegimi i këtij argumenti kuptohet se ai ndërtohet mbi dy parime themelore:

  1. Universi është i krijuar (i ardhur pas mosqenies), jo i përjetshëm.
  2. Çdo gjë që është e krijuar duhet të ketë një krijues.

🔹 Parimi i parë:     
Që universi është i krijuar dhe jo i përjetshëm, do të thotë se ai ka një fillim në ekzistencën e tij; ka qenë jo ekzistent, pastaj u soll në ekzistencë.
Dëshmia për ekzistencën e Allahut, përmes këtij argumenti, nuk kërkon domosdoshmërish të provohet krijimi i gjithë universit, por mjafton të dëshmohet krijimi i disa dukurive të qarta dhe të pranishme, si krijimi i njeriut, i bimëve dhe i gjallesave të tjera. Kjo është metoda e vetë Kuranit, ku Allahu thotë:

«أَمْ خُلِقُوا مِنْ غَيْرِ شَيْءٍ أَمْ هُمُ الْخَالِقُونَ»
“A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?!”(Et-Tur: 35)

🔹 Dëshmia e krijimit të universit mbështetet si në argumente logjike, ashtu edhe në zbulime shkencore bashkëkohore.
Sa i përket argumenteve logjike, ato janë sqaruar në mënyrë të hollësishme në librin “Zahiret Naqdi’d-Din fi’l-Fikr el-Gharbi el-Hadith” të dr. Sultan el-Umejri.
Megjithatë, duhet të theksohet se disa sekte islame janë përpjekur ta dëshmojnë këtë çështje me mënyra të ndërlikuara dhe të tepruara, aq sa kanë përfunduar duke mohohur disa të vërteta fetare, gjë që tregon devijim nga metoda e drejtë e Kuranit dhe e arsyes së shëndoshë.

 

Dëshmitë shkencore për krijimin e universit:

Edhe pse arsyeja e bazuar në perceptimin e nevojshëm të shqisave tregon qartë se universi ka një fillim, zbulimet shkencore bashkëkohore e fuqizojnë dhe e thellojnë këtë të vërtetë.

Shumë studiues eksperimentalë, në fusha të ndryshme të shkencës, kanë konfirmuar këtë fakt në punimet e tyre, duke e bërë krijimin e universit një çështje të pranuar gjerësisht në literaturën shkencore.

  • Paul Davies, fizikan bashkëkohor, thotë: “Zbulimi më i rëndësishëm shkencor në epokën tonë është se universi material nuk ka ekzistuar gjithmonë.”[1]
  • John Cleveland Cothran, kimist, shpjegon: “Kimia tregon se disa substanca janë të prirura të zhduken, disa më shpejt, disa më ngadalë. Kjo tregon se materia nuk është e përjetshme, pra ka pasur një fillim. Dëshmitë nga kimia dhe shkencat e tjera tregojnë se materiali nuk është krijuar gradualisht, por në mënyrë të papritur. Shkencat mund të përcaktojnë edhe kohën e krijimit të saj. Kjo tregon se universi material është krijuar dhe që nga krijimi i tij është nën ligje dhe rregulla natyrore, ku rastësia nuk ka vend.”[2]

Madje, pranimi i krijimit të universit nuk është i kufizuar te shkencëtarët besimtarë, por edhe nga disa shkencëtarë ateistë.

  • Stephen Hawking thotë: “Me grumbullimin e provave eksperimentale dhe teorike, është bërë gjithnjë e më e qartë se universi duhet të ketë një fillim kohor; kjo është provuar përfundimisht në vitin 1970.”[3]

Ai gjithashtu shprehet se besimi në përjetësinë e universit çon në konkluzione të çuditshme dhe të pabaza.[4]

Këto dëshmi moderne forcojnë argumentin racional për krijimin e universit, duke e mbështetur atë jo vetëm në logjikën filozofike, por edhe në gjetjet shkencore empirike.

 

Dëshmitë shkencore që përdoren për të vërtetuar krijimin e universit

Shumë shkencëtarë bazohen në disa shenja shkencore për të argumentuar se universi ka një fillim, dhe secila prej këtyre shenjave është vetë një argument i fortë për krijuesin e tij.

Ligji i dytë i termodinamikës
Ky ligj thotë se energjia termike gjithmonë kalon nga trupat më të nxehtë tek trupat më të ftohtë, dhe nuk mund të ndodhë e kundërta. Kjo tregon se energjia në univers lëviz vetëm në një drejtim: nga më e nxehta tek më e ftohta.

  • Frank Allen, biolog, shpjegon: “Ligjet e termodinamikës tregojnë se përbërësit e këtij universi e humbasin gradualisht nxehtësinë e tyre dhe se ata po ecin patjetër drejt një dite kur të gjithë trupat do të arrijnë një shkallë jashtëzakonisht të ulët temperature, që është zero absolute. Atë ditë energjia do të zhduket dhe jeta do të bëhet e pamundur. Arritja e kësaj gjendjeje të shuarjes së energjive është e pashmangshme me kalimin e kohës, kur temperatura e trupave arrin zeron absolute. Ndërsa dielli flakërues, yjet ndriçues dhe toka e pasur me lloje të ndryshme jete, të gjitha këto janë dëshmi e qartë se origjina e universit lidhet domosdoshmërish me kohën, se ai ka filluar në një çast të caktuar; pra, ai është një ngjarje e krijuar. Dhe kjo do të thotë se origjina e universit duhet patjetër të ketë një Krijues të përjetshëm, pa fillim, me dije gjithëpërfshirëse për çdo gjë, me fuqi të pakufishme; dhe domosdoshmërish ky univers është vepër e Tij.”[5]
  • Bertrand Russell, – një nga figurat kryesore të ateizmit – e pranoi se ligji i termodinamikës tregon se universi ka një fillim, por ai u përpoq ta minimizonte rëndësinë e kësaj dëshmie për domosdoshmërinë e ekzistencës së Krijuesit dhe u përpoq ta largonte lexuesin nga mbështetja tek ajo.[6]
  • Dhe kur fizikanit bashkëkohor Paul Davies përmendi mendimin rreth përjetësisë së universit, ai vuri në dukje se ky mendim përballet me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha dhe të thella. Ndër to përmendi edhe dëshminë e ligjit të dytë të termodinamikës, duke shpjeguar se si ky ligj përbën një problem shumë serioz për pretendimin e përjetësisë së universit.[7]

 

Teoria e Big Bang-ut (Shpërthimi i Madh)
Çështja e Big Bengut me të gjitha përbërësit e saj është një teori madhore, me shtrirje të gjerë dhe me shumë hollësi. Por përfundimi që na intereson në këtë trajtesë është se: universi doli në ekzistencë si pasojë e një shpërthimi të madh që ndodhi më shumë se pesëmbëdhjetë miliardë vjet më parë, nga i cili u formuan të gjitha pjesët e kozmosit që përbëjnë strukturën e tij.[8]

Teoria e Big Bengut – ndonëse ende mbetet një teori me karakter probabilitar – është bërë një nga dëshmitë shkencore më të gjera mbi të cilat mbështeten shkencëtarët për të vërtetuar se universi ka një fillim.

Fizikani bashkëkohor Paul Davies thotë: “Astronomët sot bien dakord se universi ka ardhur në ekzistencë nga një shpërthim i madh”.[9] Ai e konsideron këtë si një nga provat më të fuqishme për vërtetimin e ekzistencës së një Krijuesi që e rregullon universin, duke e përshkruar atë si një dhuratë hyjnore. Këtë e shpjegon me faktin se saktësia e jashtëzakonshme e ligjeve dhe përmasave të universit, që u shfaqën gjatë dhe pas këtij procesi, është e pamundur të jetë tjetër veçse rezultat i veprimit të një Rregulluesi të urtë dhe të gjithëdijshëm.[10]

Kjo teori konsiderohet gjithashtu prova më e fortë mbi të cilën u mbështet fizikani bashkëkohor ateist Stephen Hawking për të vërtetuar se universi ka një fillim; ai shpjegoi hollësitë e kësaj teorie, paraqiti dhe analizoi dëshmitë që e mbështesin atë, theksoi vërtetësinë e saj dhe, në bazë të saj, e pranoi shprehimisht se universi ka ndodhur, pra ka një zanafillë.[11]

Sa i përket Steven Weinberg, ai e ndërtoi librin e tij të famshëm “Tre minutat e para të jetës së universit” mbi teorinë e Shpërthimit të Madh. Edhe pse shprehet se kjo teori nuk është përfundimtare në vërtetësinë e saj, ai thekson se “një teori mbi origjinën e universit është bërë kaq e përhapur, saqë astronomët shpesh e quajnë model standard; dhe kjo teori është përafërsisht ajo që quhet Shpërthimi i Madh”[12]. Më pas ai thellohet në shpjegimin e hollësive të saj dhe paraqet dëshmitë shkencore rreth saj në të gjithë librin.

Ndërsa Antony Flew zbulon ndikimin që kjo teori pati mbi të, duke thënë: “Kur u njoha për herë të parë – si filozof ateist – me teorinë e shpërthimit kozmik që u përpoq të shpjegonte ekzistencën e universit, kuptova se po përballesha me një teori ndryshe, një teori që përputhej me atë që parashtrohet në Librin e Zanafillës; dhe nëse është kështu, atëherë nuk mbetet tjetër veçse të kërkohet se kush e shkaktoi këtë fillim”.[13]

Teoria e Shpërthimit të Madh (Big-Bang-ut), konsiderohet një nga katastrofat më të mëdha shkencore që ranë si rrufe mbi mendjet e kritikëve të feve; për këtë arsye ata u përpoqën me çdo kusht ta mohonin dhe ta kundërshtonin atë. Njëri prej tyre e përshkroi si një teori të neveritshme, ndërsa një tjetër e cilësoi si teori të urryer për mendjen shkencore.[14]

Ndërkohë, përkrahësit e kësaj teorie kanë paraqitur në mbështetje të vërtetësisë së saj shumë e shumë dëshmi shkencore; secila prej këtyre dëshmive, veçmas, do të mjaftonte të ishte provë për faktin se universi ka një fillim (është i krijuar). Megjithatë, shtjellimi i hollësishëm i tyre do të zgjaste jashtë mase.[15]

Sa i përket premisës së dytë nga premisat e argumentit të krijimit dhe ekzistencës, ajo është: se çdo gjë e krijuar (e ndodhur) patjetër duhet të ketë një krijues. Me këtë nënkuptohet se çdo veprim që ndodh në ekzistencë duhet domosdoshmërish të ketë një veprues që e realizon dhe ndikon në ekzistimin e tij, sepse është e pamundur që ajo që nuk ekziston ta krijojë vetveten ose që diçka të ndodhë pa veprues.

Kjo premisë është nga parimet më të qarta dhe më të domosdoshme të arsyes, të cilat mendja njerëzore nuk mund t’i mohojë vazhdimisht. Ajo është një nga ligjet më të dukshme mbi të cilat njerëzit mbështeten në jetën e tyre të përditshme dhe sipas së cilës e kuptojnë atë që ndodh rreth tyre nga ngjarjet e universit. Në shpjegimin e kësaj të vërtete, Ibn Tejmije thotë: “Është e qartë për arsye të natyrshme se çdo gjë e krijuar nga mos-ekzistenca ka nevojë për një Krijues. Kjo është një çështje e domosdoshme, e njohur nga natyra e pastër, madje edhe për fëmijët; sepse nëse një fëmijë goditet nga dikush ndërsa ai është i pavëmendshëm dhe nuk e sheh, ai thotë: ‘Kush më goditi?’ Nëse i thuhet: ‘Askush nuk të goditi’, mendja e tij nuk e pranon që goditja të ketë ndodhur pa një shkaktar, por e di se ajo që ndodh patjetër ka një shkaktar. Nëse i thuhet: ‘Filani të goditi’, ai qan derisa të goditet ai që e goditi.”[16]

Nga ky shpjegim bëhet e qartë se kalimi i së mundshmes nga mos-ekzistenca në ekzistencë nuk mund të ndodhë veçse nga një veprues, i cili vetë nuk është i vepruar nga dikush tjetër.

Dhe nga këto dy premisa, mendja njerëzore arrin në përfundimin e domosdoshëm që rrjedh prej tyre: se universi patjetër duhet të ketë një Krijues të gjallë, të fuqishëm, që zgjedh dhe me vullnet.

E vërteta e argumentimit të besimtarit me argumentin e krijimit:

Besimtari nuk thotë në argumentin e tij për krijimin: “Nuk e di kush e krijoi universin, prandaj supozoj ekzistencën e Zotit.” Përkundrazi, ai thotë: argumenti logjik i domosdoshëm tregon se universi ka nevojë për një Krijues.

Besimtari nuk thotë gjithashtu: “Mbështetja ime në argumentin e krijimit dhe të ekzistencës varet nga paaftësia e kundërshtarit për të mohuar të kundërtën – përmes shkencës eksperimentale.” Jo; ai vërteton pretendimin e tij mbi bazën e kuptimeve të qarta dhe të forta që sjell argumenti i krijimit, dhe pavarësisht nëse ka kundërshtar apo jo, argumenti i krijimit tregon domosdoshmërinë e ekzistencës së Krijuesit.

 

Kurani vë theksin mbi argumentin e krijimit dhe të ekzistencës:

Megjithëse argumenti i krijimit dhe i ekzistencës është në themel një argument logjik, tekstet hyjnore në Islam i kanë kushtuar shumë rëndësi dhe e kanë përmendur atë shpesh, duke treguar të vërtetat themelore mbi të cilat bazohet dhe pasojat që rrjedhin prej tij në shumë raste.

Nga rastet ku vihet theksi mbi këtë argument është ajeti: “A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?!” (Et Tur: 35) Ky ajet është një paralajmërim për të vërtetat themelore që përdoren në argumentimin për krijimin e njeriut dhe për ekzistencën e Zotit; sepse mund të ketë vetëm një nga tre mundësitë: e para, që janë krijuar nga asgjë – domethënë pa Krijues fare; e dyta, që ata krijuan veten e tyre; e treta, që janë krijuar nga një Krijues i ndryshëm nga vetja e tyre. Nuk ka dyshim se dy mundësitë e para janë të gabuara, dhe gabimi i tyre është i qartë, ndaj nuk ka nevojë të argumentohet më tej. E treta është e vërteta e pakundërshtueshme: Zoti i Madhërishëm është Krijuesi i tyre dhe meriton të adhurohet vetëm Ai. Argumenti është paraqitur në formë pyetjeje për të treguar se kjo çështje është intuitive dhe e qartë në natyrën njerëzore, e ngulitur thellë në qenien e tyre dhe nuk mund të mohohet nga një natyrë e shëndoshë.

Nga tekstet më të qarta hyjnore që përmendin një nga komponentët kryesorë të argumentit të krijimit është hadithi i Pejgamberit ﷺ: “Djalli vjen tek njëri prej jush dhe pyet: Kush e krijoi këtë, kush e krijoi atë… derisa të thotë: Kush e krijoi Zotin tënd? Kur të arrijë deri aty, le të kërkojë strehim te Allahu dhe të ndalet.”[17]

Ky hadith udhëzon në mënyrën më të mirë të argumentimit: Pejgamberi ﷺ nuk urdhëron vetëm të kërkohet strehim tek Allahu – që është thelbësore dhe e domosdoshme – por urdhëron gjithashtu të ndalet përfundimisht nga përfshirja në këtë pyetje, duke treguar se pyetja ka një gabim logjik dhe një shkelje të dukshme logjike. “Shpirti kërkon shkakun e çdo ngjarjeje dhe të çdo gjëje deri te fundi dhe qëllimi përfundimtar…

Kur njeriu arrin në fundin më të lartë dhe pikën përfundimtare, duhet të ndalet; dhe nëse kërkon diçka më tej, duhet të ndalet. Pejgamberi ﷺ urdhëron personin të ndalet duke u strehuar tek Allahu nga përsëritja e vazhdueshme, sepse nuk është e mundur që Krijuesi i të gjitha krijesave të ketë një Krijues tjetër. Nëse do të kishte një Krijues tjetër, ai do të ishte gjithashtu krijesë, dhe nuk mund të ishte Krijues për të gjitha krijesat. Të gjitha krijesat kanë domosdoshmërish një Krijues, dhe kjo dihet në mënyrë të domosdoshme dhe si pasoj e natyrës njerëzore.

 

Vazhdon

____________________

[1] Superforce: The Search for a Grand Unified Theori of Nature (fq. 18), New York 1984.

[2] The Evidence of God in an Expanding Universe  (fq. 31), New York 1958.

[3] A Brief History of Time (fq. 7), New York 1988.

[4] Po aty (7).

[5] The Evidence of God in an Expanding Universe  (fq. 12; 91).

[6] The Scientific Outlook (fq. 107-109), London 1931.

[7] The Mind of God (fq. 15), United Kingdom 1992.

[8] A Brief History of Time (fq. 106-110); Superforce: The Search for a Grand Unified Theori of Nature (fq. 118-223).

[9] The Search for a Grand Unified Theori of Nature (fq. 20).

[10] Po aty (fq. 229, 230, 232).

[11] A Brief History of Time (fq. 55); The Grand Desing (fq. 152-156), New York2010.

[12] Les Trois Premieres minutes de L’univers (fq. 12, 16), 1988.

[13] Rihletul Akël, Umer Sherif (fq. 80), Egjipt 2011.

[14] The Case For A Creator, Lee Strobel (fq. 145-146), Michigan 2004.

[15] The Grand Desing (fq. 157); The edges of science, Richard Morris (fq. 52), New York 1990; Halk el Keun bejnel Ilmi vel Ijman, Muhamed Basil Tai (fq. 84-95), Beirut 1998.

[16] Sherh hadith En Nuzul (fq. 28)

[17] Buhariu nr (3276) dhe Muslimi nr (134).