Çfarë gjykimi ka në fe dërgimi i prindërve në azil?

Lidhja e Hoxhallarëve
5 minuta lexim

بسم الله الرحمن الرحيم

Pyetje: Çfarë gjykimi ka në fe dërgimi i prindërve në azil?

Përgjigje: Haku që njeriu ka ndaj prindërve të tij është shumë i madh, aq sa Allahu ka urdhëruar për mirësjelljen ndaj tyre menjëherë pas urdhrit për të adhuruar vetëm Atë dhe askënd tjetër, kur thotë:

“Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij dhe që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as ‘of’ e as mos u bëj i vrazhdë ndaj tyre, por thuaju fjalë të mira (të buta e respektuese).
Dhe, në shenjë mëshire, shtrije pranë tyre krahun e përulësisë dhe thuaj: ‘Zoti im! Mëshiroji ata të dy, ashtu siç më edukuan mua kur isha i vogël.’”
(El-Isra, 23–24)

Imam el-Bejdauiu shpjegon se fjala “indeke”, e përmendur në ajet, ka kuptimin: nën kujdesin dhe mbrojtjen tënde.

Pyetja që lind vetvetiu është: si është e mundur që njeriu ta kalojë pjesën e fundit të jetës jo në shtëpinë e tij, ku u rrit dhe ku rriti fëmijët e tij?

Azili është një ide e përhapur në vendet joislame, ku nuk ekziston koncepti i fortë i familjes; sapo fëmijët rriten dhe angazhohen në punët e tyre, ata nuk kujdesen siç duhet për prindërit, ose ndoshta i neglizhojnë tërësisht.

Muslimani duhet ta mendojë gjendjen e prindërve sikur të ishte vetë në vendin e tyre. Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë:

“Kush dëshiron të shpëtojë nga zjarri i Xhehenemit dhe të hyjë në Xhenet, le ta gjejë vdekja duke besuar në Allahun dhe Ditën e Gjykimit dhe le të sillet me njerëzit ashtu siç dëshiron të sillen ata me të.” (Transmetoi Muslimi, nr. 1844)

Kur kjo porosi profetike lidhet me njerëzit në përgjithësi, çfarë do të thuhet kur bëhet fjalë për prindërit?

Nëse muslimani nuk ka mundësi t’u shërbejë prindërve siç duhet për shkak të angazhimeve dhe punës, sidomos kur njëri prej tyre ose të dy kanë sëmundje kronike ose afatgjatë që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm, ai mund të marrë një shërbyes kundrejt pagesës, nëse ka mundësi financiare. Por, kurrsesi nuk duhet t’ia lejojë vetes dërgimin e njërit apo të dy prindërve në azilin e të moshuarve.

Si mund të konsiderohet kjo respekt ndaj tyre, kur ata nuk i shohin nipërit dhe mbesat, nuk i shohin pasardhësit e tyre, përveçse shumë rrallë?

Prandaj, mendojmë se dërgimi i njërit prej prindërve apo i të dyve në azil konsiderohet neglizhencë e theksuar dhe mungesë respekti ndaj tyre.

Është e vërtetë se prindërit në moshë të thyer kanë nevojë për përpjekje, sakrificë, durim dhe madje edhe shpenzime, por muslimani asnjëherë nuk duhet ta mendojë azilin si zgjidhje, kur di se çfarë dënimi sjell moskujdesi dhe mosrespektimi i prindërve. Azili nuk është gjë tjetër veçse braktisje e prindërve, gjë që kuptohet qartë nga kushdo që zotëron minimumin e arsyes së shëndoshë.

Si mund të mendohet diçka e tillë për një musliman që e di se kujdesi për prindërit është shkak për fitimin e Xhenetit, ndërsa braktisja e tyre mund të jetë shkak për fitimin e zemërimit të Allahut dhe dënimit në Xhehenem?

Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë:

“Nuk hyn në Xhenet ai që i kundërshton prindërit e tij.” Transmetuan Ahmedi nr 11222 dhe Nesaiu nr 5672.

Bazuar në sa u përmend më sipër, themi se prindërit nuk mund të dërgohen në asnjë rast në azil, përveç rastit kur Allahu nuk u ka dhënë fëmijë dhe nuk ka askënd që të kujdeset për ta, dhe asnjë nga të afërmit nuk e merr përsipër këtë përgjegjësi.

Allahu e di më së miri!

 

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH