O rob i Allahut! Ndër dhuratat më të mëdha me të cilat furnizohet besimtari dhe ndër mjetet më të fuqishme me të cilat robi e mbron veten, janë përkujtimet e mëngjesit dhe të mbrëmjes (dhikri), të vendosura nga i Dërguari i Allahut. Ato janë fortesë për zemrat, mbrojtje për shpirtrat dhe mburojë e sigurt kundër fatkeqësive dhe sprovave.
Me to largohet e keqja dhe sillet e mira; hapen dyert e mëshirës dhe të suksesit; zbret qetësia mbi zemrën e lodhur e të rraskapitur; dhe robi mbrohet nga dëshirat e shfrenuara, dyshimet, magjia, xhindët, djajtë, si dhe nga armiqtë e fesë dhe të besimtarëve, veçanërisht ata që janë në shërbim të saj: thirrësit, dijetarët dhe njerëzit e drejtë.
Çdo dhikër është një çast lidhjeje të drejtpërdrejtë me Allahun: Mbretin, të Përjetshmin, të Plotfuqishmin, Dhuruesin, Furnizuesin, Ruajtësin, Drejtuesin e Urtë, Ndihmësin, Mbështetësin e Fortë e të Palëkundur, Krijuesin e qiejve dhe të tokës. Prandaj, mos e ndërprisni lidhjen tuaj me Allahun në këtë botë, sepse kush e kërkon Atë dhe e var shpresën vetëm tek Ai, nuk zhgënjehet kurrë.
O ju që kërkoni siguri në besimin tuaj, mirëqenie në trupin tuaj, qetësi në zemrën tuaj, begati në jetën, vitet dhe veprat tuaja, si dhe sukses në botën tjetër: mbajini fort këto përkujtime dhe mos i lini pas dore. Bëjini ato furnizimin tuaj të përditshëm, forcën tuaj të brendshme, besëlidhjen tuaj dhe lidhjen tuaj me Allahun çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje. Ato janë këshilla e Profetit, trashëgimia e të drejtëve dhe ushqimi shpirtëror i atyre që ecin drejt Allahut, Zotit të Botëve.
Nëse e ke të vështirë t’i kryesh të gjitha, mos i braktis të gjitha. Le të ketë për ty një pjesë, edhe nëse është e vogël. Sepse pak me vërtetësi është shumë; pak me sinqeritet është e madhe; dhe ajo që bëhet për Allahun zgjat, vazhdon dhe jep fryte të begata. Mos e privo veten nga ky bekim i madh dhe mos e ekspozo zemrën tënde ndaj vetmisë dhe dobësisë.
Portat e mbrojtjes janë hapur për ty, mjetet e mëshirës janë zgjeruar dhe shtigjet e afërsisë me Allahun janë bërë të lehta përmes fjalëve të thjeshta në gjuhë, por të mëdha në peshën e veprave dhe sublime në sytë e të Gjithëmëshirshmit.
Sa zemra të hutuara kanë gjetur qetësi vetëm në përkujtimin e Allahut! Sa trupa të lodhur kanë rifituar forcën dhe energjinë përmes bereqetit të këtyre dhikreve! Ato nuk janë thjesht fjalë që shqiptohen; ato janë armë, mbrojtje, shërim dhe fortesë hyjnore shpirtërore, që e ngre shpirtin dhe e forcon besimin me çdo recitim.
Përkujtimi i Allahut është një forcë e fshehur dhe një energji shpirtërore që e aftëson besimtarin të përballojë çdo sfidë dhe të durojë çdo sprovë. Sa e bukur është jeta kur mbushet me fjalë që e forcojnë vendosmërinë dhe e ndriçojnë rrugën! Mos lejoni që trazirat dhe presionet e përditshme t’ju privojnë nga këto çaste të çmuara me Zotin tuaj.
Kujtojua këtë fëmijëve, vëllezërve dhe motrave tuaja, dhe ruajini bekimet e Allahut mbi ju përmes tyre. Sepse Allahu është Mbrojtësi më i Mirë dhe Ai është më i Mëshirshmi i mëshiruesve. Allahu na bëftë neve dhe juve prej atyre që e kujtojnë Atë vazhdimisht, që janë të sinqertë dhe që janë ndër robërit e Tij të drejtë dhe miqtë e Tij të devotshëm.
Shkruar nga: Kadi Fahd Al-Ammari
Përktheu dhe përpunoi: Hoxhë Vendim Plaku
