Falënderimi i takon Allahut, Mbrojtësit të Lavdëruar, i Cili bën çfarë të dojë dhe gjykon si të dëshirojë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Zotit të Arshit të Madhërishëm, dhe dëshmoj se i Dërguari ynë Muhamed është rob dhe i Dërguar i Allahut. Paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që i pasuan me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.
O ju që keni besuar, kini frikë Allahun dhe thoni fjalë të drejta.
Enes ibn Maliku, ka përcjellë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Në Ditën e Kiametit do të sillet banori i Zjarrit që ishte banori më i begatuar në këtë botë e do të zhytet me një zhytje në Zjarr, pastaj do t’i thuhet: “O biri i Ademit, a ke parë ndonjëherë mirë? A ke përjetuar ndonjëherë ndonjë begati?”
– Jo, për Allahun, o Zoti im, – do të thotë ai.
Pastaj do të sillet banori i Xhenetit që ishte njeriu më i mjerë në këtë botë e do të zhytet me një zhytje në Xhenet, pastaj do t’i thuhet: “O biri i Ademit, a ke përjetuar ndonjëherë mjerim? A ke parë ndonjëherë ndonjë vështirësi?”
– Jo, pasha Allahun, o Zoti im, asnjëherë nuk kam përjetuar ndonjë mjerim e as kam parë ndonjë vështirësi, – do të thotë ai.” Muslimi
Dynjaja, sado që të vijë me stolitë e saj dhe t’i derdhë thesaret e veta, mbetet shumë e dobët për t’i bërë ballë qoftë dhe një çasti sprove apo një zhytjeje të vetme të fatit. Begatia e saj është kalimtare dhe e brishtë: e fshin një fatkeqësi, e shkatërron një tragjedi dhe e kthen në kujtim sikur të mos kishte ekzistuar kurrë.
Në Ditën e Kiametit do sillet ai që nuk ka njohur mjerim dhe nuk ka shijuar privim, dhe do zhytet një herë të vetme në Zjarr – pa qëndrim e pa zgjatje – pastaj pyetet:
“A ke parë ndonjëherë ndonjë të mirë? A të ka kaluar ndonjëherë ndonjë begati?”
Ai përgjigjet: “Jo, pasha Allahun, o Zoti im.”
Po ku shkuan begatitë që kanë zgjatur, me pasuritë që janë shtuar dhe me kënaqësitë që janë ndërruar njëra pas tjetrës? Të gjitha janë shkrirë në një zhytje dhe janë zhdukur në një çast.
Pas tij, sillet ai që e kanë bluar ditët dhe e kanë lodhur brengat, dhe zhytet një herë të vetme në Xhenet, pastaj pyetet: “A ke parë ndonjëherë mjerim? A e ke kaluar ndonjëherë ndonjë vështirësi?”
Ai përgjigjet: “Jo, pasha Allahun, o Zoti im.”
Çdo brengë që ka mbajtur, çdo lot që ka derdhur dhe çdo dhimbje që ka përjetuar, i ka fshirë një zhytje e vetme dhe e ka larguar një qëndrim fisnik, i papërzier me asnjë shqetësim.
Midis një zhytjeje dhe një zhytjeje tjetër, bie peshorja e iluzionit dhe vendoset peshorja e së vërtetës.
Ajo, është një zhytje pa kohë dhe pa shtrirje, por që fshin një jetë të tërë kënaqësish dhe rrëzon një histori të gjatë begatie. Po si është halli i atij që e ktheu kënaqësinë e kësaj dynjaje në shqetësimin e tij më të madh, synimin e fundit dhe kufirin e dijes së tij…
“Ta dini, se jeta në këtë botë, nuk është tjetër veçse lojë, dëfrim e zbukurim, si dhe mburrje ndërmjet jush e rivalitet për më shumë pasuri dhe fëmijë! Ajo i shëmbëllen bimës, e cila pas shiut rritet dhe i gëzon bujqit, por më vonë zverdhet, thahet dhe mbetet pa vlerë. Në botën tjetër ju presin vuajtje të mëdha ose falja e Allahut dhe kënaqësia e Tij; jeta në këtë botë është vetëm kënaqësi e rreme.”
(El-Hadid, 20)
Kënaqësi mashtruese, përveç atij për të cilin ajo është vetëm mjet, gëzim, dhënie dhe bujari, dhe që nuk e largon nga përkujtimi dhe lutja.
U pasurua Abdurrahman ibn Aufi – Allahu qoftë i kënaqur me të – dhe Allahu ia zgjeroi furnizimin aq sa karvanët e tij e tronditnin Medinën; megjithatë tregtia nuk e largoi nga ahireti dhe pasuria nuk e pengoi nga përpjekja në rrugë të Allahut. Përkundrazi, ai thoshte: “Kam frikë se mos më janë përshpejtuar të mirat e mia në jetën e kësaj bote”, prandaj hante, jetonte me bollëk, por dhe shpenzonte për nevojtarët.
Asketizmi nuk është braktisja dynjasë kur ajo është në dorën tënde, por asketizëm është ta lësh atë kur është në zemrën tënde.
Prandaj nuk ka qortim për atë të cilit Allahu ia ka zgjeruar furnizimin e që i bën mirë vetes, ia lehtëson shpirtit ose merr nga kjo botë atë që Allahu ia ka lejuar. Sepse edhe Profeti juaj ﷺ vishte rroba të bukura, përdorte parfum, hante mish dhe mjaltë, dhe thoshte: “Vërtet Allahu është i Bukur dhe e do të bukurën.”
Dhe ka thënë: “Më është bërë e dashur nga kjo botë gratë dhe parfumi, dhe prehja ime u bë në namaz.”
Por rreziku i madh, është që begatia të shndërrohet në pakujdesi, rehatia në harresë dhe bollëku në perde (pengesë).
Që zemra të harrojë çështjen më të madhe, të shpërqendrohet nga përkujtimi më i lartë, dhe një kënaqësi kalimtare ta largojë nga një jetë ku nuk ka as brengë e as lodhje:
“As pasuria juaj, as fëmijët tuaj nuk do t’ju afrojnë më shumë te Ne, por vetëm ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira (e meritojnë këtë). Ata do të kenë shpërblim të shumëfishtë për atë që kanë bërë dhe do të jenë të sigurtë në banesa të larta (në Xhenet).” (Sebe: 37)
Këto janë koncepte të kuptimit të jetës, të bindjes së sigurt për përfundimin, të besimit në një Xhenet ku gëzon ai që ia ka dedikuar veten Allahut, shërbimit të fesë së Tij, durimit ndaj dëmeve në rrugën e Allahut, dhe dënimin e dhembshëm për atë që e ka shitur ahiretin për të fituar jetën e kësaj bote, faljen e Allahut për me dënimin e Tij. Sa të durueshëm janë ata ndaj Zjarrit…!!
Me këto njeriu e kupton realitetin e jetës: Ai duron në fatkeqësi, falënderon në begati, dhe është i bindur se Allahu nuk sprovon veçse për të edukuar, dhe nuk ndalon veçse për të dhënë:
“Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi! 6. Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi!” (El-Inshirâh, 5–6)
Kush jeton sipas ligjeve të Allahut dhe asaj që Ai ka dashur nga krijesat e Tij, jeton me zemër të qetë dhe hapa të qëndrueshëm, duke e ditur se jeta nuk matet me gjatësinë e saj, por me thellësinë e besimit në të, dhe se fitorja e vërtetë dhe shpëtimi i përjetshëm nuk bazohen në lehtësinë e rrugës, por në bukurinë e ecjes drejt Allahut:
“Kush bën vepra të mira, i bën për veten e tij, e kush bën keq, është kundër vetes së tij; pastaj te Zoti juaj do të ktheheni.” (El-Xhâthije, 15)
Kërkoj falje nga Allahu për veten time dhe për ju, për besimtarët dhe besimtaret; ndaj dhe ju kërkoni falje prej Tij, se vërtet Zoti ynë është Falës dhe Mirënjohës.
Hytbja e dytë:
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, dhe paqja e bekimi qofshin mbi më të mirin e të gjitha krijesave të Allahut.
Jeta është një libër i hapur; ditët kalojnë për t’i mësuar njeriut se vlera nuk qëndron në vazhdimësinë e begatisë, por në mënyrën e drejtë të përballjes me luhatjet e saj. Që herët, të urtët e kanë kuptuar se jeta nuk e dhuron kurrë qetësinë e saj të plotë:
Kush kërkon një jetë pa lodhje, nuk i njeh ligjet hyjnore; sepse vështirësia është shkollë, dhe durimi në të është adhurim. Njeriu nuk del prej saj veçse më i mprehtë dhe më i pjekur. Prandaj durimi ka qenë furnizimi i të diturve: me të përballohen fatkeqësitë dhe me të thyhet ashpërsia e dëshpërimit.
Ngjarjet, të ëmbla apo të hidhura, ndërtojnë bindjen se jeta është vetëm një udhëtim, ndërsa Ahireti është vendbanimi i përhershëm.
Fatkeqësitë dhe shqetësimet e jetës, edhe kur janë të ashpra, nuk janë të kota; por mesazhe të fshehta që e ftojnë të mençurin t’i shfrytëzojë, t’i shndërrojë sprovat në dhunti dhe rrëzimet në ringritje.
Pushimi i vërtetë është me hapin e parë që njeriu vendos në Xhenet; atëherë çdo i pikëlluar harron brengat e tij, çdo i shtypur sheh shpërblimin e vet, dhe çdo i sprovuar sheh dhuratën e tij.
Ndërsa një grupi tjetër u janë shpejtuar të mirat e tyre në jetën e kësaj bote, i mohuan dhuntitë që Allahu ua kishte dhënë dhe thanë: “Këtë e kemi fituar vetëm me dijen tonë”, dhe u mburrën me forcën e tyre duke thënë: “Kush është më i fortë se ne?”. Por pikërisht atëherë: “Do ta mësojnë ata që bënë padrejtësi se në ç’përfundim do të kthehen.” (Esh-Shu’arâ, 227)
O Allah, udhëzoji zemrat tona, na i fal gabimet tona, na i lehtëso rrëshqitjet tona dhe bëje Xhenetin shtëpinë dhe vendbanimin tonë.
O Allah, na ruaj fenë tonë, sigurinë dhe nderin tonë; dhe kushdo që synon të na bëjë keq, angazhoje me vetveten e tij dhe bëje dredhinë e tij t’i kthehet atij.
