Shabani, muaji i mirësisë dhe kënaqësisë së Allahut

Lidhja e Hoxhallarëve
7 minuta lexim

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamed, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij fisnikë dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

O besimtarë!
Çdo njeri në këtë botë kërkon diçka:
Dikush kërkon pasuri, dikush famë, dikush rehati, dikush dashuri, dikush siguri.
Por pyetja më e rëndësishme është:
Cila është mirësia më e madhe që mund të arrijë njeriu? Cili është suksesi i vërtetë që nuk humbet kurrë?
Përgjigjja vjen nga Kurani:
Jo pasuria. Jo pallatet.  Jo kënaqësitë kalimtare. Por: Kënaqësia e Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte, nëpër të cilat
rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh. Kjo është fitorja madhështore.” (Tevbe:72)

Vëllezër dhe ju motra!
Allahu përmend Xhenetin, lumenjtë, banesat, përjetësinë… por pastaj thotë: “Kënaqësia Ime është më e madhe se të gjitha këto.”
Ky varg është shumë i rëndësishëm për të kuptuar drejt realitetin e Xhenetit. Përtej përshkrimeve të kënaqësive ndjesore, theksohet vlera më e madhe për ata që do të hyjnë në Xhenet, e cila është: kënaqësia dhe miratimi i Zotit të tyre, Allahut të Lartmadhëruar.
Sepse kur Allahu është i kënaqur me ty:
— nuk ka më frikë, — nuk ka më mërzi, — nuk ka më hidhërim, — nuk ka më humbje.
Në hadithin e saktë, të transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi, Pejgamberi Muhamed ﷺ tregon se Allahu do t’u thotë banorëve të Xhenetit:  ‘O banorë të Xhenetit!’

Urdhëro o Zoti ynë,  çdo e mirë është në Dorën Tënde, do të thonë ata.’
Ai do të thotë:
‘A jeni të kënaqur?’
Ata do të përgjigjen:
‘Si të mos jemi të kënaqur, o Zoti ynë, kur na ke dhënë atë që nuk ia ke dhënë askujt prej krijesave të Tua?’
Atëherë Allahu do të thotë:

“A t’ju jap diçka edhe  më të mirë se kjo?”
‘E çfarë mund të jetë më e mirë se kjo, do të pyesin ata të habitur?’

Ai do të thotë: “Unë të zbres mbi ju kënaqësinë Time dhe pas kësaj nuk do të hidhërohem më
kurrë me ju.”

Allahu Ekber! Të mos të hidhërohet Zoti yt më kurrë!
A ka dhuratë më të madhe se kjo?

Si arrihet Kënaqësia e Allahut?
O ju besimtarë!
Kjo kënaqësi nuk fitohet rastësisht. Ajo fitohet me përpjekje, me sinqeritet dhe me vepra të mira.

1.) Besimi dhe veprat e mira.

Allahu thotë: “Pa dyshim, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira pikërisht ata janë krijesat më të mira. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Atë.” (Bejjine: 7–8)

Besim pa vepra nuk mjafton.
Vepra pa sinqeritet nuk ngrihet.
Por kur bashkohen të dyja – Allahu kënaqet.

2.) Fjala e mirë.

Pejgamberi Muhamed ﷺ ka thënë: “Me të vërtetë, një rob mund të thotë një fjalë nga kënaqësia e Allahut, pa i kushtuar rëndësi, dhe për shkak të saj Allahu e ngrit atë në shkallë të lartë.” (Shënon Buhariu)
Një fjalë e butë. Një këshillë e sinqertë. Një përmendje e Allahut. Një “Allahu të shpërbleftë”.

Mos e nënvlerëso asnjë fjalë të mirë.

3.) Falënderimi (hamdi)

Pejgamberi Muhamed ﷺ ka thënë: “Allahu kënaqet me robin që kur ha një kafshatë apo pi një gllënjkë, e falënderon Atë.” (Muslimi)

O ju besimtarë!
Allahu kënaqet me një ‘Elhamdulilah’ të sinqertë.
Sa herë harrojmë të falënderojmë, e sa herë ankohemi për atë që nuk kemi, duke harruar bekimet që na janë dhuruar?

4.) Kënaqësia e prindërve
Pejgamberi Muhamed ﷺ ka thënë: “Kënaqësia e Zotit është në kënaqësinë e prindërve dhe hidhërimi i Zotit është në hidhërimin e prindërve.” (Tirmidhiu)
O ju që prindërit i keni gjallë, dijeni se ende e keni një derë të Xhenetit të hapur. Një telefonatë. Një fjalë e butë. Një shërbim i vogël. Mund të jetë shkak që Allahu të jetë i kënaqur me ty.

II

Synimi i besimtarit: Allahu para njerëzve
Të nderuar besimtarë!
Jo gjithmonë do t’i kënaqim njerëzit, por gjithmonë duhet të synojmë të kënaqim Allahun. Aishja (r.a.) transmeton se Pejgamberi Muhamed ﷺ ka thënë: “Kush kërkon kënaqësinë e Allahut duke shkaktuar zemërimin e njerëzve, Allahu do ta mbrojë atë nga njerëzit. E kush kërkon kënaqësinë e njerëzve duke zemëruar Allahun, Allahu do ta lërë atë në dorë të njerëzve.” (Sahih Tirmidhiu)
Zgjidhja është e qartë. Allahu i pari. Gjithmonë.

O Allah!
Na bëj prej atyre me të cilët Ti je i kënaqur.
Na e zbukuro besimin në zemrat tona.
Na i fal gjynahet, të dukshmet dhe të fshehtat.
O Allah, na i prano veprat tona në këtë muaj të bekuar të Shabanit, na përgatit për Ramazanin dhe na bëj prej atyre që e arrijnë kënaqësinë Tënde në këtë botë dhe në botën tjetër.

 

Ulvi Fejzullahu