بسم الله الرحمن الرحيم
Pyetje: Në ligjërata dëgjojmë se mund të agjërohet gjithë muaji Shaban, por gjithashtu qarkullon një hadith i cili e ndalon agjërimin pas mesit të muajit Shaban. Tani që ka kaluar gjysma e muajit Shaban, a e kemi të ndaluar të agjërojmë?
Përgjigje: Mundësia për të agjëruar gjatë gjithë muajit Shaban është përmendur në hadith të saktë, ku përcillet nga Aishja (radijAllahu anha), e cila tregon se Profeti (alejhissalatu uesselam) e agjëronte pothuajse të gjithë muajin Shaban. Transmetoi Muslimi nr. 1156.
Ndërsa në një hadith tjetër thuhet: “Kur të arrijë mesi i muajit Sha’ban, mos agjëroni!” Transmetuan Ebu Davudi nr. 2337 dhe Tirmidhiu nr. 748.
Pra, duket sikur hadithet kanë kundërthënie me njëri-tjetrin, por dijetarët i janë përgjigjur kësaj çështjeje në dy forma:
1. Disa dijetarë e konsiderojnë hadithin jo të saktë dhe, për rrjedhojë, nuk shohin asnjë ndalesë në agjërimin e ditëve pas mesit të muajit Shaban. Prej dijetarëve që e konsiderojnë këtë hadith të dobët janë: Imam Ahmedi, Jahja ibn Meini, Abdurrahman ibn Mehdi, Ebu Zur’ah er-Razi, el-Ethremiu, etj. (Letaif el-Mearif 1/135 dhe Fet’h el-Bari 4/129).
Ndërkohë, në një hadith të saktë Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë:
“Mos e paraprini Ramazanin duke agjëruar një apo dy ditë para tij, përveç njeriut që është mësuar me agjërimin; le të agjërojë.” Transmetuan Buhariu nr. 1914 dhe Muslimi nr. 1082.
Pra, nuk ka kurrfarë ndalese që dikush të agjërojë sa të dojë përpara Ramazanit. Madje, Imam el-Ethremiu sqaron se hadithin që ndalon agjërimin pas mesit të muajit Shaban, përveçse është i dobët, e kundërshtojnë plot hadithe të tjera të sakta (Letaif el-Mearif të Ibn Rexhebit 1/136).
2. Ata dijetarë që mendojnë se hadithi është i saktë, sqarojnë se hadithi bën fjalë për ata njerëz të cilët nuk janë mësuar të agjërojnë shpesh dhe, për rrjedhojë, mund të rëndohen dhe ngarkohen. Kështu që kërkohet që ata të marrin veten dhe të jenë më të gjallë e më të përgatitur për Ramazanin.
Për këtë, Imam el-Hattabi shpjegon:
“Rekomandohet që agjëruesi të pushojë gjatë pjesës tjetër të Shabanit, në mënyrë që të forcohet për të agjëruar agjërimin e detyrueshëm në muajin e Ramazanit, ashtu siç nuk është e pëlqyer që haxhiu të agjërojë në Arafat, në mënyrë që të forcohet duke e thyer agjërimin për t’u falur.”
(Mealim es-Sunen 2/100).
Bazuar në fjalët e dijetarëve, mendojmë se agjërimi pas mesit të muajit Shaban është i lejuar, veçanërisht për ata që janë mësuar të agjërojnë rregullisht. Ndërsa për ata që nuk kanë zakon të agjërojnë shpesh, është e pëlqyeshme të ruajnë fuqinë e tyre për agjërimin e muajit të Ramazanit.
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH
