Haxhi Bedel

Lidhja e Hoxhallarëve
3 minuta lexim

بسم الله الرحمن الرحيم

Pyetje: Kam nënën 77 vjeçe, e cila ka shumë dëshirë të kryejë haxhin, por ka frikë sepse vuan nga tensioni i lartë dhe, për shkak të moshës, nuk është e sigurt nëse mund ta përballojë apo jo. A lejohet që ta kryej unë haxhin bedel për të, apo duhet patjetër të shkojë vetë?

Përgjigje: Pyetja juaj i përngjan rastit të gruas nga fisi Khath’am e cila erdhi te Profeti (alejhissalatu uesselam) dhe e pyeti: “Babai im është plak i moshuar dhe

nuk mund të qëndrojë mbi kafshë (për haxh). A ta kryej haxhin për të?” Ai tha: “Po.” (Kjo ngjarje ka ndodhur në Haxhin e Lamtumirës). Transmetuan Buhariu nr 1513 dhe Muslimi nr 1334.

Siç kuptohet nga hadithi, vajza e të moshuarit mori leje për të kryer haxhin në emër të babait të saj, pasi ai nuk kishte mundësi fizike për ta kryer vetë. Prandaj, juristët islamë kanë sqaruar se mundësia fizike është një nga kushtet e detyrimit të haxhit.

Në rastin konkret, nëse nëna 77 vjeçare vuan nga tensioni dhe kjo gjendje është kronike, dhe nuk pritet përmirësim real në të ardhmen, si dhe mosha e saj nuk i jep garanci për përballimin e riteve të haxhit, atëherë lejohet që dikush ta kryejë haxhin për të (haxh bedel).

Megjithatë, këshillohet që mjeku i familjes të japë dhe ai opinionin e tij në lidhje me aftësinë fizike të saj për të përballuar udhëtimin dhe ritualet e haxhit.

Nga ana tjetër, duhet sqaruar se nëse djali nuk e ka kryer haxhin për veten e tij më parë, atëherë nuk lejohet të bëjë haxh për dikë tjetër derisa ta ketë kryer fillimisht për veten e tij.

Argumenti për këtë është hadithi i Ibn Abbasit, i cili tregon se kur dikush bëri nijetin e haxhit, Lebbejke (të përgjigjem o Zot) për haxh në emër të Shubrumesë, Profeti (alejhissalatu uesselam) e pyeti: “Kush është Shubrume?” – Një i afërmi im – u përgjigj ai. Profeti (alejhissalatu uesselam) e pyeti: “A e ke kryer haxhin për veten tënde?” – Jo – u përgjigj ai. Atëherë Profeti i tha: “Bëje haxhin për veten tënde, pastaj për Shubrumen.” Transmetuan Ebu Davudi nr 1811 dhe Ibn Maxheh nr 2903.

Allahu e di më së miri! Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

Etiketat