Falënderimi i takon Allahut, i Cili e bëri ditën e xhumasë zonjën (më të mirën) e ditëve! Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, i Vetëm e pa ortak, Sunduesi i Gjithëdijshëm. Zoti yt krijon çfarë të dojë dhe zgjedh. Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është rob dhe i Dërguar i Tij, i cili na udhëzoi drejt çdo të mire e virtyti. O Allah! Dërgo salavate, paqe e bekime mbi zotërinë tonë, Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin atë me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.
Kini frikë Allahun, o robër të Allahut, në mënyrë që të kapeni fort pas mjetit që ju lidh me Zotin tuaj, e kështu të gjeni shpëtim! Allahu i Lartësuar ka thënë:
«O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe kërkoni afërsinë tek Ai,» (El-Ma’ideh: 35)
O ju njerëz! Vërtet dita e xhumasë ka vlera dhe përparësi mbi të gjitha ditët e tjera. Allahu e ka zgjedhur dhe e ka veçuar këtë ditë, duke e bërë atë ditën në të cilën u krijua Ademi (alejhi selam), ditën në të cilën u fut në Xhenet, dhe ditën në të cilën u nxor prej tij. Po ashtu, ajo është dita kur do të ndodhë Dita e Gjykimit; kështu që në këtë ditë është fillimi i historisë së njerëzimit dhe fundi i tij.
Ebu Hurejra (radhijallahu ‘anhu), përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: «Dita më e mirë mbi të cilën ka lindur dielli është dita e xhumasë: në të u krijua Ademi, në të u fut në Xhenet, në të u nxor prej tij, dhe Dita e Gjykimit nuk do të bëhet veçse në ditën e xhumasë.» (Transmeton Muslimi)
Me këto vlera e përparësi, dita e xhumasë u bë një simbol i myslimanëve dhe dita e tyre me të cilën dallohen nga të gjithë popujt e tjerë që kaluan para tyre.
O vëllezër të nderuar! Një ditë me këtë vlerë dhe këtë përzgjedhje nga Allahu, është plotësisht e denjë që ne të vëmë në punë mendjen tonë për të medituar mbi fshehtësitë dhe urtësitë e saj; sepse Zoti ynë i Urtë nuk zgjedh e nuk veçon diçka veçse mbi bazën e dijes së Tij të plotë.
Prandaj, le të lundrojmë, o vëllezër të nderuar, në një udhëtim zbulimi të disa prej fshehtësive të kësaj dite tonë të madhe!
Dita e xhumasë nuk është thjesht një ditë në të cilën myslimani kryen një namaz ndryshe nga namazet e tjera të javës e pastaj kthehet prapa në shtëpinë e tij, por është një ditë e cila është mjet për arritjen e synimeve të larta e të mëdha, ndër të cilat:
Ajo është dita në të cilën shfaqet qartë përsosmëria e Islamit në gjithëpërfshirjen dhe ekuilibrin e tij, si dhe aftësia e tij e mrekullueshme për ndërtimin e individit dhe shoqërisë, duke u marrë me të gjithë përbërësit e tyre: shpirtërorë, truporë, mendorë dhe jetësorë.
Në ditën e xhumasë shfaqet se Islami nuk është një fe e zhytur në individualizëm ekstrem, siç është rasti i shoqërive kapitaliste që hyjnizuan e madhëruan individin, duke ushqyer egoizmin dhe lakminë e tij, saqë ai nuk ndien më për ata që ka rreth vetes, e kështu u dobësuan apo u zhdukën fare lidhjet shoqërore në ato shoqëri. Po ashtu, Islami nuk është as një fe e zhytur në kolektivizëm absolut, ku individi zhduket, humbet, shtypet dhe shndërrohet thjesht në një numër pa vlerë, ku i humbasin talentet dhe i kufizohen dëshirat, siç është rasti i shoqërive komuniste e të tjerave si to.
Përkundrazi, Islami është një fe që i dha individit një kujdes të veçantë dhe e bëri përmirësimin e tij rrugë për përmirësimin e mbarë shoqërisë. Ai i drejtohet individit drejtpërdrejt, dhe për këtë arsye në fenë tonë njihet ajo që quhet “Detyrim Individual”, prej të cilave është namazi i xhumasë që Allahu e bëri obligim për çdo mysliman. Në të ai është urdhëruar të pastrohet, t’i drejtohet Zotit të tij në këtë ditë dhe të merret me përmendjen e Tij e me leximin e fjalës së Tij.
Më pas, në të njëjtën kohë, ai e praktikon këtë adhurim individual në një atmosferë kolektive. Sepse kusht për ditën e xhumasë është tubimi dhe numri i pjesëmarrësve, kështu që myslimani i sheh vëllezërit e tij nga lagjet fqinje, e kjo bëhet një mundësi për njohje, afrim, vizita të ndërsjella dhe bashkëpunim — diçka që, për fat të keq, e kanë neglizhuar shumë prej myslimanëve.
Në ditën e xhumasë shfaqet gjithashtu kujdesi i Islamit për individin në të gjithë përbërësit e tij, pa lënë mënjanë asgjë. Ai i dha rëndësi anës trupore, pamjes së jashtme dhe pastërtisë së tij, duke e urdhëruar të lahet, të pastrohet, të parfumohet e të veshë rroba të reja e të pastra. Po ashtu, i dha rëndësi shpirtit dhe zemrës së tij, sepse kjo është dita në të cilën myslimanit i është premtuar falja e mëkateve dhe është nxitur drejt adhurimit të shumtë për Zotin e tij e drejt lutjes, pasi në të është një orë që myslimani nuk e qëllon duke u lutur veçse do t’i pranohet ajo. E sa ndikim të madh kanë këto vepra e adhurime në këtë ditë për përmirësimin e zemrës së robit e pastrimin e shpirtit të tij?!
Islami i dha rëndësi po ashtu edhe mendjes e intelektit të tij; sepse kjo është dita në të cilën u ligjërua Hytbja, ku dëgjimi i saj u bë obligim për të, ndërsa u ndalua rreptësishtë shpërqendrimi prej saj. Kështu, mendja e tij përthith nga minberi shumë prej kuptimeve, vlerave, parimeve dhe koncepteve.
Tani mund ta kuptosh se Allahu, përmes rregullave dhe edukatës së kësaj dite, ka dashur të përmirësojë tërë gjendjen tënde: të të bëjë një individ të pastër e dinjitoze në trupin e pamjen tënde, në shpirtin e zemrën tënde, si dhe në mendjen e intelektin tënd. Kjo është ajo që shpie drejt një shoqërie të përmirësuar në të gjitha anët e saj, sepse individi është tulla e parë e shoqërisë.
Në ditën e xhumasë shfaqet gjithashtu kujdesi i Islamit për çështjen e kësaj bote dhe të Botës Tjetër në mënyrë të barabartë; nuk ka përplasje mes tyre, prandaj duhet punuar për të dyja. Besimtari në këtë ditë është urdhëruar për dy angazhime (veprime):
- E para: Për të përmendur Allahun dhe për faljen e namazit.
- E dyta: Për të kërkuar nga mirësia e Allahut dhe për të siguruar fitimin.
Kjo pa lejuar që kjo botë të mbizotërojë mbi Botën Tjetër. Ai u dha rëndësi të dyjave, por në të njëjtën kohë vendosi renditjen e tyre sipas rëndësisë dhe përparësisë: Myslimani mund të punojë e të fitojë, por kur dëgjon thirrjen (ezanin) për ditën e xhumasë, duhet të nxitojë drejt përmendjes së Allahut, duke e lënë botën prapa e pa u shpërqendruar prej saj.
Allahu i Lartësuar për këtë baraspeshë mes çështjes së kësaj bote dhe Botës Tjetër në këtë ditë ka thënë:
«O ju që keni besuar! Kur të thirret ezani për namaz ditën e xhumasë, nxitoni drejt përmendjes së Allahut dhe braktisni shitblerjen! Kjo është më e dobishme për ju, sikur ta dinit! E kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësia e Allahut dhe përmendeni Allahun shumë, me qëllim që të shpëtoni!» (El-Xhumu’ah: 9-10)
O vëllezër në Islam! Nga frymëzimi i Ditës së Xhumasë mësojmë se Allahu ka dashur që shoqëritë myslimane — individë dhe bashkësi — të jenë:
- Qytetarë dhe fisnikë në anët e tyre materiale;
- Besimtarë dhe me etike në anët e tyre fetare;
- Intelektualë dhe me mendim të pavarur në anët e tyre mendore e kulturore;
- Punëtorë e prodhues në anët e tyre jetësore e ekonomike.
E sa ditë e madhe që është dita e Xhuma, dhe sa fe e madhe që është Islami— i ardhur për përmirësimin e kësaj bote dhe të Botës Tjetër!
