Arsimi fetar dhe jofetar në Islam

Lidhja e Hoxhallarëve
11 minuta lexim

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëuesit

Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimet qofshin mbi zotërinë tonë Muhamedin, vulën e profetëve, si dhe mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Vendim nr. 239 (25/1)

Mbi gjykimin e arsimit, në të dy degët e tij – fetare dhe shekullare – për meshkujt dhe femrat në Islam

Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, i mbledhur në sesionin e tij të njëzetepesë në Xhide të Mbretërisë së Arabisë Saudite, gjatë periudhës 29 Rexheb – 3 Shaban 1444 h., që përkon me 20–23 shkurt 2023. Pasi shqyrtoi vendimin e tij të mëparshëm nr. 38 (4/13) lidhur me mënyrën e luftimit të shthurjeve morale, fushat e unitetit islam dhe rrugët e përfitimit prej tyre, si dhe islamizimin e arsimit në vendet islame sot, të miratuar në sesionin e katërt në Xhide, gjatë periudhës 18–23 Xhumada el-Ahire 1408 h., që përkon me 6–11 shkurt 1988, dhe pasi shqyrtoi vendimin nr. 164 (18/2) mbi zhvillimin e burimeve njerëzore në botën islame, si dhe vendimin nr. 169 (18/7) mbi të drejtat dhe detyrimet e gruas myslimane, të miratuara në sesionin e tetëmbëdhjetë në Putraxhaja (Malajzi), gjatë periudhës 24–29 Xhumada el-Ahire 1428 h., që përkon me 9–14 korrik 2007, dhe pasi shqyrtoi gjithashtu vendimin e tij të mëparshëm nr. 236 (24/7) mbi rolin e edukimit fetar në forcimin e paqes, të miratuar në sesionin e njëzetekatër në Dubai, gjatë periudhës 7–9 Rebiul-Evvel 1441 h., që përkon me 4–6 nëntor 2019, si dhe deklaratën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Akademisë lidhur me pezullimin e studimit të vajzave dhe të rejave në shkolla dhe universitete në Afganistan, të lëshuar më 28 Xhumada el-Ula 1444 h., që përkon me 22 dhjetor 2022, dhe pasi shqyrtoi studimet e paraqitura para Akademisë në lidhje me temën: “Gjykimi i arsimit, në të dy degët e tij – fetare dhe shekullare – për meshkujt dhe femrat në Islam”; dhe pasi dëgjoi diskutimet e zhvilluara rreth kësaj teme me pjesëmarrjen e anëtarëve dhe ekspertëve të Akademisë, vendosi si vijon:

Së pari

Me arsim në Islam synohet procesi i përvetësimit të vlerave, parimeve, njohurive dhe aftësive që e ndihmojnë njeriun në adhurimin e Allahut, në ndërtimin dhe përmirësimin e botës, si dhe në arritjen e lumturisë dhe shpëtimit në këtë botë dhe në Botën Tjetër.

Së dyti

Arsimi i meshkujve dhe femrave në dijet e dobishme është një e drejtë që duhet të garantohet nga familja, shoqëria dhe shteti. Ai është e drejtë e të dyve në të gjitha llojet dhe nivelet e arsimit. Dijetarët nuk kanë pasur mospajtim për këtë që nga koha e sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta) e deri në ditët tona. Kjo mbështetet në fjalën e Allahut të Lartësuar:

“Lexo në emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi. E krijoi njeriun nga një gjë e varur. Lexo, sepse Zoti yt është Më Bujari. Ai që mësoi me pendë. E mësoi njeriun atë që nuk e dinte.” (el-Alak, 1–5)

Dhe në fjalën e Tij:

“I Lartësuar qoftë Allahu, Sundimtari i Vërtetë! Mos u nxito me Kuranin para se të përfundojë shpallja e tij te ti dhe thuaj: ‘Zoti im, ma shto dijen!’” (Ta Ha, 114)

Si dhe në fjalën e Tij:

“Edhe ndër njerëzit, kafshët që zvarriten dhe bagëtitë ka lloje me ngjyra të ndryshme. Vetëm dijetarët prej robërve të Tij e kanë drojën e vërtetë ndaj Allahut. Vërtet, Allahu është i Plotfuqishëm dhe Falës.” (Fatir, 28)

Dhe në shumë ajete të tjera. Po ashtu, kjo mbështetet në fjalën e Profetit ﷺ në hadithin që e përcjell Ibn Maxhe nga Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të), me zinxhir transmetimi deri te Profeti ﷺ: “Kërkimi i dijes është detyrim për çdo mysliman.”

Së treti

Arsimi i urdhëruar nga Islami përfshin çdo lloj mësimi që ndihmon në realizimin e pesë interesave themelore (darurijjat), të cilat janë: ruajtja e jetës, fesë, pasardhësve, mendjes dhe pasurisë.

Ai përfshin gjithashtu çdo lloj mësimi që ndihmon në realizimin e interesave të nevojshme dhe plotësuese.

Në këtë hyn: Arsimi fetar, i cili i mundëson njeriut të njohë atë që Allahu e ka bërë detyrim ose e ka rekomanduar nga fjalët dhe veprat, si dhe atë që Ai e ka ndaluar nga fjalët dhe veprat; siç janë: disiplina e Akides, e Fikhut dhe të Usulit të tij, dija e Sunetit, Tefsiri,dhe të tjera.

Në këtë hyn edhe: Arsimi shekullar (mondan), i cili i mundëson njeriut të njohë universin, jetën dhe realitetin, si dhe të veprojë siç duhet me ato që Allahu ia ka nënshtruar dhe ua ka dhuruar njerëzve; siç janë: shkencat mjekësore, shkencat inxhinierike, shkencat ekonomike, shkencat shoqërore dhe humane, shkencat natyrore, dhe të tjera.

Së katërti

Shpenzimi për arsimin, në të dy degët e tij, është prej detyrimeve fetare të familjes, shoqërisë dhe shtetit, sepse mbi të mbështetet qëndrueshmëria e fesë dhe e jetës së kësaj bote, si dhe përmirësimi i njeriut në gjendjen e tanishme dhe në përfundimin e tij.

Së pesti

Nuk lejohet fetarisht që mashkulli apo femra të privohen nga ndonjë lloj i arsimit të dobishëm, qoftë fetar apo shekullar. Kjo sepse bie ndesh me tekstet fetare që urdhërojnë arsimimin e të dyve; sepse ymeti islam ka qenë i njëzëshëm gjatë shekujve për domosdoshmërinë e arsimimit të tyre; sepse kjo sjell pasoja të shumta të dëmshme, si: përhapjen e paditurisë, varfërisë, sëmundjeve, dhe të këqijave të tjera që burojnë prej tyre.

Akademia rekomandon si vijon:

  1. Të trajtohen fetvatë anormale (shadhe) që bien ndesh me Kuranin dhe Sunetin e që ndalojnë gruan nga të mësuarit dhe nga mësimdhënia.
  2. T’u kundërvihet mendimeve që synojnë privimin e gruas nga arsimi, në të dy degët e tij, me argumente që nuk mund të përdoren për t’ju kundërvënë të drejtës së saj për arsimim, dhe të jepen kundërpërgjigje që nxjerrin në pah gabimin e tyre.
  3. T’u bëhet thirrje qeverive të shtojnë kujdesin dhe përkushtimin për t’u mundësuar meshkujve dhe femrave arsimin, në të dy degët e tij dhe në të gjitha nivelet e tij, përfshirë arsimin e vajzave, për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme që ka arsimimi i tyre në garantimin e arsimimit të brezave.
  4. T’u bëhet thirrje shteteve dhe shoqërive që të trajtojnë të gjitha problemet dhe pengesat që mund të ndalojnë ose kufizojnë vazhdimin e arsimit nga shumë vajza, në të dy degët e tij.
  5. Qendrat shkencore universitare, akademitë e fikhut, qendrat kërkimore, revistat shkencore, dijetarët, mendimtarët, imamët, hatibët dhe thirrësit islamë duhet të ndërmarrin një veprimtari të gjerë dhe të madhe në orientimin dhe ndërgjegjësimin e njerëzve për rëndësinë e arsimit për meshkujt dhe femrat; sepse arsimi është shtylla e fuqisë së kombeve në të gjitha aspektet: si ajo e sigurisë, ekonomisë, politikës, shoqërisë dhe shëndetit. Arsimi i është gjithashtu një nga shkaqet e të qenit mesatar dhe i moderuar, si dhe i refuzimit të teprimit dhe ekstremizmit.
  6. T’u bëhet thirrje institucioneve dhe qendrave arsimore universitare që të zhvillojnë programet dhe kurrikulat e tyre, në mënyrë që ato të përgatisin breza të aftë për t’i shndërruar sfidat e kohës në mundësi për ndërtim, përparim dhe zhvillim, duke forcuar njëkohësisht përkushtimin ndaj metodologjisë së edukimit islam, e cila është më e afta për të ofruar zgjidhje të suksesshme për problemet e jetës bashkëkohore, me sfidat dhe mundësitë e saj.
  7. Të inkurajohet kërkimi shkencor, të zhvillohet mendimi krijues dhe kritik, të mbështeten risitë dhe shpikjet, si dhe të forcohet integrimi njohës ndërmjet arsimit fetar dhe atij shekullar, me shpresën e formimit të një brezi të plotë e të ekuilibruar shpirtërisht dhe fizikisht, fetarisht dhe shkencërisht.

Në përfundim, Këshilli i Akademisë vlerëson përpjekjet e shumë shteteve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam, të cilat e kanë bërë arsimimin e meshkujve dhe femrave një shtyllë themelore të ringritjes dhe përparimit të tyre.

Allahu e di më së miri.

 

Burimi: https://iifa-aifi.org/ar/43997.html